Futboll

Real Madrid e ka zgjedhur trajnerin e ri, në 2024-ën Alonso merr vendin e Ançelotit

Gazeta Si – Pavarësisht driblimeve të shpeshta të Karlo Ançelotit, është i sigurt tashmë kalimi i tij në stolin e Brazilit, duke nisur nga sezoni i ardhshëm. Një tjetër konfirmim, edhe pse indirekt, vjen nga Spanja, ku RadioMarca siguron se Real Madrid e ka vendosur kush do të jetë trajneri i ri: Ksabi Alonso.

Për të do të ishte një rikthim në Madrid, ku ka luajtur nga 2009-a deri në 2014-ën (sezonin e fundit me Ançelotin trajner). Ish-mesfushori numëron 236 ndeshje dhe ka fituar 1 titull kampion, 2 Kupa Spanje, 1 Superkupë Spanje, 1 Champions dhe 1 Superkupë UEFA.

Spanjolli e vazhdoi karrierën si trajner së pari te Real Sociedad B dhe pastaj te Bajer Leverkusen, ku vazhdon të mahnisë. E mori drejtimin e ekipit gjerman në tetor të 2022-shit, e mbylli sezonin e kaluar në vend të 6-të dhe këtë sezon kryeson.

Sipas RadioMarca, Ksabi Alonso, 42 vjeç në nëntor, duket se ka kaluar përfundimisht hierarkitë e brendshme, konkretisht Raulin, trajnerin aktual të Real Madrid Kastija, që pritej të promovohej në skuadrën e parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë