Futboll

Real Madrid arrin akordin me yllin e Çelsit

Sezoni aktual nuk është shumë pozitiv për Realin e Madridit, që ka hasur vështirësi në periudhën post-Kristiano Ronaldo. Presidenti i madrilenëve, Florentino Perez, e ka të qartë se duhet të shpenzojë, pasi është momenti për të sjellë në ekip yje të rinj.

Dhe sipas të përditshmes spanjolle “As”, ai e ka në dorë yllin e parë, që vjen nga Premier League. Bëhet fjalë për belgun e Çelsit, Eden Hazard, me të cilin Perez ka arritur akordin për transferimin e tij në Madrid në verën e ardhshme. Kontrata e sulmuesit me Çelsin skadon në vitin 2020 dhe ai nuk ka rinovuar, pavarësisht se klubi ia ka bërë gati kontratën e re.

Londinezët kërkojnë 170 milionë euro për kartonin e Hazard dhe pritet të mos ketë probleme në arritjen e një marrëveshjeje mes klube. Raportet e tyre, pas transferimit të portierit Kurtua në Madrid, janë të shkëlqyera. Te Çelsi në fakt nuk i kanë humbur shpresat për rinovimin me Hazard, por gjithçka e ka në dorë lojtari, që kërkon një aventurë te re dhe joshet nga Reali. Fantazisti ka lënë të kuptohet se dëshiron të ndërrojë skuadër për sezonin e ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë