Ngjarje

Reagon Onkologjiku, mjekët pranojnë mungesën e ilaçeve, sqarojnë rrezatimin radioaktiv

Pas skandalit të mjekëve në QSUT, Shërbimi Onkologjik ka thyer heshtjen. Me anë të një prenoncimi për median, mjekë të këtij spitali pranojnë se ka mungesë të ilaçeve në shërbimin e sëmundjeve të rënda, ndërsa sqarojnë akuzat për përgjysmimin e dozave të mjekimit.

Kimioterapeuti Sotiraq Senjo thotë se janë mjekët ata që përcaktojnë dozën e kimioterapisë në varësi të gjendjes dhe moshës së pacientit.

“Asnjë shtet nuk arrin t’i plotësojë të gjitha nevojat për  medikamente pasi çdo 3 muaj mund të dalin medikamente të reja dhe okologjia është gjithmonë një thes i shpuar. Pacienti duhet të menaxhohet në kushtet që jemi”, tha Senjo, duke shtuar se asnjë mjek nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me ilaçet, pasi mjekët vetëm shkruajnë recetën.

Ndërsa shërbimi i Radiologjisë në Onkologjik ka sqaruar dyshimet e ngritura nga një grup mjekësh brenda këtij spitali, për nivele të larta të rrezatimeve që vijon të lëshojë sipas tyre aparatura e Brakiterapisë.

Fizikanët pranojnë se norma e rrezatimeve u tejkalua disafish vetëm kur u bë testimi për ta vënë në punë. Pasi ekspertët e huaj konstatuan se ambienti në Onokologjik nuk plotësonte kushtet teknike për radioaktivitetin, u vendos  mbyllja e aparaturës si dhe u bë kapsulimi i burimit radioaktiv, me të cilin punon pajisja.

Rozana Buçi, fizikante pranë QSUT tha për median se burimi radioaktiv është i rrezikshëm kur del nga kapsulimi

Pas publikimit të dosjes në media, mjekët nuk fshehin klimën e acaruar mes tyre dhe pacientëve.

Mjeku Senjo tha për median se marrëdhënia mjek-pacient është agravuar dhe kjo do të ketë pasoja afatgjatë.

“Pacientët janë të shqetësuar dhe të acaruar”, tha mjeku.

Pas ngjarjes në QSUT, Ministria e Shëndetësisë ka pezulluar nga detyra mjekët Alketa Pere, Edmond Gashi, koordinatorin Emiljano Lela dhe zëvendësdrejtoreshën e QSUT, Brikena Qirizai, përgjegjëse për onkologjikun. Ndërsa Brakiterapia apo kobalti vijon të jetë e mbyllur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë