Ngjarje

Reagimet / Shuhet kryepeshkopi Anastas, Rama: Keqardhje, Begaj: Drejtoi kishën me mençuri e përkushtim! Meta: Trashëgimia e tij do mbetet e gjallë

Nga Gazeta Si- Krerët më të lartë të shtetit dhe politikës shprehën ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kryepeshkopit Anastas Janullatos, i cili ndërroi jetë mëngjesin e 25 janarit në një spital të Athinës.

Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet duke thënë se i bashkohet shprehjes së keqardhjes për ndarjen nga jeta të kryepeshkopit Janullatos dhe “duke uruar që të prehet në paqe i përcjell ngushëllimet e mia të gjithë bashkëpunëtorëve të tij dhe anëtarëve të komuniteti të besimtarëve ortodoksë”, tha Rama në një aktivitet për 95-vjetorin e vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri.

Kreu i shtetit Bajram Begaj, në një postim në rrjetet sociale vlerësoi kontributin e kryepeshkopit, duke thënë se ka udhëhequr kishën me mençuri e përkushtim.

“Shqipëria humbi sot Fortlumturinë e tij, Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasin, udhëheqësin shpirtëror dhe figurën e shquar të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Gjatë udhëheqjes së tij, Fortlumturia e tij ka udhëhequr Kishën me mençuri, përkushtim dhe dashuri për njerëzit, duke kontribuar në forcimin e saj dhe në krijimin e një rruge të re për besimin ortodoks shqiptar, veçanërisht pas periudhës së vështirë të kaluar.

Ai ishte një shembull i palodhur i përkushtimit shpirtëror dhe një udhërrëfyes për të gjithë ata që e ndoqën. Në këtë moment të dhimbshëm, shprehim ngushëllimet tona më të thella për Kishën dhe për gjithë besimtarët, që humbën atin dhe kryebariun e tyre, një udhëheqës të dashur dhe të nderuar. Trashëgimia e Fortlumturisë së tij do të mbetet gjithmonë e gjallë në zemrat e atyre që e nderuan dhe e donin. Lutemi që Zoti t’i dhurojë prehjen në tendat e të drejtëve dhe qoftë kujtimi i tij i përjetshëm!’, shkruan ai.

Nga qelia, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta shkruan se kontributi i kryepeshkopit Anastas i ka shërbyer gjithë Shqipërisë, ndërsa thekson se trashëgimia e tij do të mbetet e gjallë.

“Kontributi i jashtëzakonshëm dhe përkushtimi i vyer i Fortlumturisë së Tij në më shumë se tre dekada i ka shërbyer jo vetëm ringritjes kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe arsimimit e përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë por edhe afirmimit ndërkombëtar dhe njohjes së saj kudo në botë”, shkruan Meta.

Lulzim Basha shkruan se “Kryepeshkopi Anastas Janullatos do të mbetet një simbol i përkushtimit shpirtëror, i urtësisë dhe i forcës së karakterit.”

Spiropali: Ringriti Kishën Orthodhokse Autoqefale, kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare

Kryeparlamentaja Elisa Spiropali, ka shprehur një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta ditën e sotme të kryepeshkopit Anastas Janullatos.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali vlerësoi kontributin e tij për ringritjen e Kishën Orthodhokse Autoqefale.

“Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe besimtarët orthodhoksë humbën sot Kryebariun e tyre, Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos. Me vizionin hyjnor, dashurinë e pashterrshme, dijet e gjera, erudicionin e pafund, respektin për besimet dhe komunitetet e tjera fetare, shpirtin e tolerancës, përdëllimin e pashoq, komunikimin e ëmbël fetar e njerëzor, Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Anastas, në kushte të mungesave e vështirësive shumë të mëdha, për më shumë se tre dekada, ringriti dhe konsolidoi  Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, projektoi, mbështeti e promovoi institucionet arsimore, humanitare, shëndetësore e kulturore dhe kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare në Shqipëri e në botë. Ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të madhe! Nderim e mirënjohje për trashëgiminë e Kryepeshkopit Anastas’, shkruan ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë