Rreth 300 pasagjerëve që prisnin të niseshin drejt Romës me linjën e Raynair u është dashur të presin të paktën 12 orë në aeroport, për t’u njoftuar në fund që udhëtimi i tyre ishte anululuar. Ka qenë një sorollatje disaorëshe ajo e udhëtarëve që mbrëmjen e së shtunës duhet të kishin mbërritur në Aeroportin e Ciampinos.
“Kemi bërë check-in në orën 16:00-16:25 dhe kemi bërë imbarkimin në avion në orën 18:00. Deri në orën 20.00 kemi qëndruar 300 persona në avion, në pritje të nisjes së avionit. Disa herë komandanti i kabinës së pilotëve ka komunikuar me ne duke na treguar se është një problem teknik që pritet të rregullohet së shpejti”, shprehen dy pasagjerë, burrë e grua nga Tirana.
“Në orën 20.00 na u komunikua se avioni ka vonesë edhe me 6 orë të tjera dhe do të nisemi në orën 02:00 të ditës së diel (9 dhjetor)”, tregon një vajzë e re, dëshmitare e incidentit në Rinas.
“Kompania na dha një kompensim qesharak, vetëm 410 lekë, për periudhën e qëndrimit në Rinas nga ora 20:00 deri në 02:00 të mëngjesit – thotë ajo – një pagesë e papërfillshme kjo, kur mendon se çmimet në aeroport janë një shishe ujë 180 lekë dhe një kafe 240 lekë”.
“Na u bënë këmbët daulle nga pritja e gjatë”, thotë gruaja nga Tirana që ende mbahet për krahut të të shoqit. “Në orën 01:00 nisën imbarkimin e udhëtarëve, ishim të lodhur e të përgjumur të gjithë nga qëndrimi në karriget e aeroportit. Por që nga dalja e deri tek avioni i Raynair, rruga zgjati plot 1 orë; qëndruam të paktën 30 minuta në autobus, pa ajër të kondicionuar, na hoqën trurin!”.
Në orën 02:00 pasagjerët e linjës Tiranë-Roma Ciampino janë sistemuar në pritje të nisjes së avionit. Por sërish, situata vijoi pa asnjë informacioni se kur do të nisej avioni.
“Shumë udhëtarë u acaruan, iu afruan derës së kabinës së pilotit dhe kërkonin sqarim se pse nuk kishte një informacion se çfarë do të bëhej. Edhe burri im u ngrit, por më kot! Bashkë me ne në avion kishte edhe pleq të tjerë, por edhe fëmijë të vegjël që u torturuan”, rrëfen gruaja e moshuar.
“Asnjë sqarim deri në orën 03.30 kur nga mikrofoni dëgjuam komandantin që na thotë se koha e punës ka mbaruar dhe ata ishin të detyruar ta anulonin udhëtimin duke na premtuar kompensim. Po lodhjen, stresin, pagjumësinë do të na e paguajnë!? Këta të trajtojnë pa respekt e dinjitet!” thotë ajo.
Në fund të tetorit, Ryanair nisi zyrtarisht fluturimet. Autoritetet shqiptare njoftuan se deri në fund të vitit 2023 kompania ka parashikuar të ketë rreth 200 fluturime në javë, në 17 destinacione dhe krijimin e rreth 1 mijë vendeve të reja të punës. Në atë kohë, Ministri i Financave Ervin Mete theksonte se “ardhja e një kompanie si Ryanair, një emër me kaq eksperiencë në industrinë evropiane të aviacionit, pritet të sjellë më shumë diversifikim, por edhe më shumë destinacione të reja për fluturime direkte me Tiranën”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




