Nga Gazeta 'Si'-I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, është takuar të martën në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Siç ka bërë të ditur Lajçak, ditë më parë, ai është në Beograd për t’u përgatitur për takimin e radhës mes dy palëve, në nivel të kryenegociatorëve.
Pas takimit me Vuçiç, Lajçak shkroi në X se udhëheqësi serb ngriti "shqetësime të forta lidhur me situatën e serbëve në Kosovë".
"Theksova se duhet të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje të dakorduara në dialog", shkroi në X emisari evropian.
In my meeting today with @predsednikrs @avucic in preparation of the next meeting of Chief Negotiators, he raised strong concerns about the situation of the Kosovo Serbs. I stressed that we need to discuss and find agreed solutions in the Dialogue. pic.twitter.com/2zLaYWNch9
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) September 10, 2024
Javën e kaluar ai ka qenë në Prishtinë për arsyen e njëjtë.
Gjatë vizitës në Prishtinë, Lajçak ka thënë se është arritur pajtueshmëri për raundin e ri të dialogut mes kryenegociatorëve – Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviçit – mirëpo nuk ka dhënë hollësi se kur do të zhvillohet takimi.
Gjatë adresimit për media në Prishtinë, pas takimit me Bislimin, Lajçak po ashtu tha se Serbia ka tërhequr letrën që kishte dërguar në Bruksel vitin e kaluar, përmes së cilës kishte shprehur rezerva lidhur me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit për zbatimin e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.