Futboll

Raundi i parë i Milan-Inter pa histori, Inzagi e tejkaloi Piolin

Gazeta Si – ‘Pengu’ i zikaltërve është që nuk shënuan më shumë gola për të mbyllur llogaritë që në ndeshjen e parë. Pavarësisht humbjes 0-2, Milani është ende ‘gjallë’.

Nëse pas një derbi gjysmëfinal të Ligës së Kampionëve, të fituar 2-0, të mbetet një shije e hidhur, do të thotë se tabela nuk pasqyron superioritetin e fushës. Interi fitoi, ose më mirë Inzagi fitoi. Mund ta kishte fituar edhe më thellë derbin dhe të bënte gati valixhet për në Stamboll.

Një shtyllë, dy pritje të Maignan, shumë sulme të pashfrytëzuara, një penallti e dhënë dhe pastaj e anuluar, një tjetër e kërkuar dhe e padhënë. Është edhe ndeshja e kthimit për të luajtur, por raundi i parë tregon një fitore neto të Simone Inzagit.

Xheko feston golin e pare ndaj Milanit ne derbi. Gazeta Si, 11 maj 2023

Pas atij të Dohës dhe më pas atij të kampionatit, një tjetër kryqëzim, ku trajneri i Interit e përgatiti dhe lexoi më mirë ndeshjen. Inzagi, më mirë se Pioli: njëri i sulmuar shumë muajt e fundit dhe tjetri më i përkëdhelur. Janë çuditë dhe paradokset e futbollit.

Interi i Simone Inzagit e kaloi periudhën e zezë të fillimit të pranverës, kur krijonte pa fund dhe shpërdoronte pa fund. Sot kjo skuadër ecën me ritëm që kundërshtarët nuk mund ta mbajnë. Jo më kot Sarri në ‘San Siro’ foli për një skuadër me cilindratë superiore.

Inzagi nuk gaboi asgjë të mërkurën në mbrëmje. Zgjedhja e Xhekos si partner i Lautaros? E saktë. Çalhanoglu në mesfushë? Perfekte. I paprekshëm Mkhitarian, i pakalueshëm Açerbi. Dhe ata që hyjnë nga stoli, edhe pse quhen Brozoviç apo Lukaku, luajnë me një sjellje pretoriane.

Lojë e shpejtë, vertikale, e arsyetuar. Interi driblon pak, është e vërtetë, por arrin ta çajë kundërshtarin. Në derbin me Milanin nuk ishte ‘vrastar’, e vetmja gjë që nuk e bëri perfekte atë mbrëmje. Të martën raundi i dytë, një hap larg ëndrrës së Stambollit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë