Politike

Rasti Kajmaku dhe firma e Ahmetajt pas shkarkimit nga qeveria, a janë njësoj?

Kur gjykata vendosi shpalljen në kërkim të Agim Kajmakut në nëntor të 2019-s, pak muaj pasi ky i fundit ishte zgjedhur kryetar i Bashkisë së Vorës, akuza kryesore ndaj tij lidhej me deklarimin e rremë në formularin e dekriminalizimit.

Kajmaku akuzohej se kishte fshehur një arrestim e proces gjyqësor në ngarkim të tij nga drejtësia greke nën emrin Jorgo Tota.

Por, një tjetër akuzë e ngritur nga prokuroria ishte ajo e shpërdorimit të detyrës. Kjo akuzë u ngrit pasi nga këqyrja e dokumentacioneve dhe hetimet e prokurorisë, rezultoi se ai kishte firmosur si kryetar bashkie edhe pas shkarkimit.

Sipas prokurorisë në atë kohë, Agim Kajmaku ka firmosur si kryetar bashkie pasi është shkarkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten e 1 nëntorit 2019. KQZ e mori vendimin rreth orës 11:00 të paradites dhe organi i akuzës ngriti dyshime se Kajmaku firmosi shkarkimin e dy nënkryetarëve të bashkisë së Vorës pas vendimmarrjes së KQZ-së.

Por, Agim Kajmaku u mbroj me anë të avokatit të tij se shkarkimi i dy nënkryetarëve është bërë të premten në mëngjes, para se KQZ ta shkarkonte atë nga detyra e kryebashkiakut të Vorës. Qëndrimin e Prokurorisë e kanë kundërshtuar edhe dy nënkryetarët e bashkisë së Vorës, të shkarkuar nga Kajmaku, duke pretenduar rikthimin në detyrë.

Si për akuzat e ngritura ndaj Agim Kajmakut, ashtu edhe për pretendimet e ngritura nga dy ish-nënkryetarët e bashkisë së Vorës të shkarkuar prej tij nuk ka një vendim përfundimtar të drejtësisë.

Por, a mund të krahasohet rasti në fjalë me atë të Arben Ahmetajt?

Edi Rama firmosi shkarkimin e Arben Ahmetajt nga posti i zv.Kryeministrit dhe i ministrit të Rindërtimit më 25 korrik dhe më 26 korrik, Presidenti Bajram Begaj dekretoi shkarkimin e tij, ndërsa më 27 korrik Arben Ahmetaj ka drejtuar një mbledhje qeverie ku ka firmosur një sërë vendimesh sipas denoncimit që bëri të shtunën Partia Demokratike.

Partia Demokratike e cilëson këtë antikushtetuese dhe e krahason me rastin e Agim Kajmakut. Megjithatë, në rastin e Arben Ahmetajt jo të gjitha hallkat e parashikuara nga Kushtetuta për shkarkimin e zv.Kryeministrit apo të një ministri ishin konsumuar deri në momentin kur Ahmetaj firmoste vendimet e qeverisë.

Neni 98 i Kushtetutës përcakton shprehimisht në dy pika shkarkimin e ministrave, por lë një hapësirë të madhe interpretimi; nuk përmend shkarkimin e zv.Kryeministrin.

“Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi”, thuhet në këtë nen.

Pika e dytë, pra që dekreti i Presidentit shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi do të thotë se është Kuvendi hallka e fundit e shkarkimit dhe Kuvendi e votoi dekretin e shkarkimit të Arben Ahmetaj më datë 28 korrik, një ditë pasi ai kishte drejtuar mbledhjen e Qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë