Kosova

Rasti i Banjskës / Prokuroria e Kosovës ngre aktakuzë kundër 45 të dyshuarve një vit pas sulmit terrorist

Nga Gazeta ‘Si’- Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Milan Radoiçiçin, për sulmin e armatosur në Banjskë.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, në këtë fshat të Zveçanit - grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

“Ju informoj se Prokuroria Speciale ka punuar intensivisht në këtë rast të madh dhe kompleks. Pas përfundimit të hetimeve, pas grumbullimit të provave, pas analizimit të secilës prej tyre, duke u mbështetur në dyshimet e mirëbazuara, kemi dorëzuar aktakuzën kundër 45 të pandehurve. Ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm: konkretisht vepra penale kundër rendit kushtetues, financimit të terrorizmit dhe të shpërlarjes së parave. Për ta ngritur aktakuzën na është dashur të presim gjatë, ndoshta edhe 1 vit. Pranimi i rezultateve të ekzaminimeve jashtë vendit, ishte shkaku kryesor i vonesës së aktakuzës. Sot Prokuroria Speciale, ka ngritur aktakuzën, për këtë rast ku janë akuzuar 45 persona” – tha Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj.

Në konferencë foli gjithashtu edhe Naim Abazi, prokurori i rastit të sulmit në Banjskë i cili tregoi se kanë realizuar 65 intervista dhe analizuar 15 pajisje elektronike gjatë mbledhjes së provave për hartimin e aktakuzës për grupin që sulmoi policinë në Banjskë, e që udhëhiqej nga Milan Radoiçiç.

“Kemi realizuar 65 intervista, janë analizuar 150 pajisje elektronike, mbi 1 mijë armë, dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë rast. Kemi hasur në disa sfida të bashkëpunimit. Megjithatë, përkushtimi ynë për ta ndriçuar këtë rast, ka qenë shtytësi kryesor ta tejkalojmë këtë sfidë. Aktakuza përfshin 45 persona me role të ndryshme brenda këtij grupi kriminal, duke filluar nga grumbullimi i grupit. Ndër të akuzuarit kryesor është Milan Radoiçiç që ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale. Kemi bërë dhjetëra kërkesa në shtete të ndryshme ku kemi arritur të sigurojmë dëshmi të ndryshme. Këto kërkesa kanë qenë jetike për të siguruar burimet e financimit, për ngritjen e aktakuzës së fuqishme” – deklaroi ai i cili më pas njoftoi se janë sekuestruar shumë pasuri.

“Kemi sekuestruar prona, automjete të blinduara, llogari bankare, të cilat janë fituar nga aktivitete të paligjshme, janë konfiskuar mbi 1 mijë armë. Ky veprim ka për qëllim të parandalojë veprimin e këtyre aktiviteteve.

Fondet janë transferuar nëpërmjet rrjeteve duke përfshirë biznese të regjistruar në emër të personave të tretë. Gjurmimi ka kërkuar analizë të detajizuar. Nga kjo aktakuzë presim që të gjithë të mbahen përgjegjës, kjo nuk është vetëm betejë ligjore. Presim që ky rast të shërbejë paralajmërim për të gjithë ata që mendojnë ta shkelin ligjin e rrezikojnë sigurinë publike në Kosovë”, deklaroi ai.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd është duke kryer po ashtu hetime për rastin. Ajo e ngarkon Radoiçiçin me disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë