Politike

Rasti ‘Himarë’ / Legjislacion i njëjtë standarde të ndryshme, si PS bëri të kundërtën në 2016

Presidenti i Republikës dekretoi zgjedhjet e pjesshme lokale në bashkinë Himarë.

Dekretimi shkaktoi debate të shumta publike, pasi procesi vendimmarrës në KQZ, letra e Këshillit të Ministrave për vakancën dhe dekreti i Presidentët u konsumuan brenda 90-100 minutave në një sinkron të habitshëm ndërinstitucional, ndërkohë që kryetari i zgjedhur i bashkisë Dhionisios (Alfred) Beleri dhe subjekti i tij politik mbështetës vendosën ankimimin e dekretit të Presidentit në Gjykatën Administrative.

Vendimi i KQZ për ndërprerjen e mandatit të kryetarit të bashkisë Himarë Dhionisios (Alfred) Beleri u bë pa i lejuar atij konsumimin e të drejtës së ankimimit administrativ në KQZ apo në Gjykatën Administrative dhe pa u publikuar vendimi në Fletoren Zyrtare. Beleri de facto nuk e mori asnjëherë mandatin për të ushtruar funksionin e tij apo deleguar zëvendësimin e tij, pasi u arrestua disa orë përpara zgjedhjeve dhe është dënuar tashmë nga sistemi gjyqësor për korrupsion elektoral. Ai u ndalua të lejohet të bëjë betimin, përfshirë edhe lejen në formën që iu lejua për pjesëmarrjen në seancën e KQZ ku përfundoi mandati i tij. Ish kryetari i bashkisë që humbi zgjedhjet e vitit 2023 vijoi drejtimin derisa u arrestua për korrupsion, i pasuar nga dy emra të tjerë nga partia politike që humbi zgjedhjet, njëri prej të cilëve është nën hetime gjithashtu për korrupsion.

Zhvillimi i zgjedhjeve në muajin gusht dhe në një nga bashkitë kryesore turistike të vendit përbën rast unik në historikun e zgjedhjeve shqiptare. Referuar tabelës së ekspertëve të Institutit të Studimeve Politike (ISP) mbi zgjedhjet e pjesshme vendore të periudhës 2013-2024 rezulton se asnjëherë nuk ka pasur zgjedhje në kohë pushimesh verore dhe se afatet e vendimmarrjes midis periudhës së krijimit të vakancës dhe dekretit për zgjedhjet nuk kanë ende një standard të njësuar.

Në rastin aktual Komisioneri Celibashi, Presidenti Begaj, qeveria përmes Sekretarit të Përgjithshëm, PS dhe PD, si dhe aktorët politikë e institucionalë të përfshirë në debat patën lexime të ndryshme të  dispozitave ligjore për raste të tillë, shpesh edhe të të njëjtave dispozita. Deklarimi i Presidentit dhe opozitës u bazuan gjithashtu në argumente të ndryshme të të njëjtit legjislacion.

Një rast thuajse i ngjashëm proceduralisht ndodhi më 2016 kur Presidenti dekretoi datën e zgjedhjeve pa pritur botimin e vendimit përkatës të KQZ dhe Gjykatës Kushtetuese në Fletoren Zyrtare.

Në atë kohë subjekti i interesuar, Partia Socialiste, e cila tashmë në pushtet mbron argumentet e kundërta me vitin 2016, kërkoi nga Gjykata Administrative sigurim padie duke pezulluar dekretin, si rruga për pezullimin e zgjedhjeve në këtë bashki.

Sipas PS (2016) “ky akt individual i Presidentit të Republikës ka dalë në mënyrë krejt të papritur në vijim të një ‘njoftimi për media’ që Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë dje mbi ankimin e kryetarit të shkarkuar të Bashkisë Peshkopi, z. Xhelili», ndërkohë në reagimin e tij Presidenti Nishani deklaroi se «data e zgjedhjeve nuk përcaktohet nga Presidenti, por nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Presidenti ka vetëm dekretin e shpalljes së datës për të përgatitur institucionet e tjera, që nga KQZ-ja e deri te partitë politike. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar që janë vetëm dy të diela, 4 shtatori dhe 11 shtatori, dhe kjo nuk ndryshon edhe pas botimit në Fletoren Zyrtare të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Më 9 gusht 2016 Gjykata Administrative e rrëzoi kërkesën e Partisë Socialiste për pezullimin e dekretit të Presidentit, duke u bazuar në dy argumente. Së pari, se gjykata administrative jep vendime jopërfundimtare vetëm në rastin e mospranimit të padisë dhe të pushimit të gjykimit dhe së dyti, gjykata vendos mospranimin e padisë, kur padia nuk plotëson kushtet formale të paraqitjes së saj.

Pas 8 vitesh situata përsëritet me kahe të kundërta. Presidenti Begaj dekretoi datën e zgjedhjeve, PD në opozitë, në pozita të kundërta me 2016, e kundërshtoi dekretin dhe lajmëroi ndjekjen e procedurës ligjore të ankimimit në Gjykatën Administrative, kurse PS në qeveri, në pozita të kundërta me 2016, mbron dekretin e Presidentit.

Pavarësisht nga debati politik dhe ligjor rasti i Himarës nxori në pah disa çështje të rëndësishme që meritojnë trajtim politik, ligjor dhe administrativ, për njësim standardesh dhe shmangie të debateve të njëjta kontestuese në të ardhmen.

Së pari, Kodi Zgjedhor ka nevojë për njësim praktikash dhe procedurash me legjislacionin plotësues për zgjedhjet, si  dhe me vendimmarrjet e krijuara mbi bazën e Kodit aktual. Hartimi dhe miratimi i një komentari të detajuar lidhur me Kodin Zgjedhor ka qenë sugjerim i hershëm i Institutit të Studimeve Politike (ISP), I cili ndonëse ka gjetur mbështetje nga KQZ, ende nuk është jetësuar prej tij.

Së dyti, zgjedhjet e pjesshme duhet të shmangin skemat taktike politike që krijojnë standarde të dyfishta dhe avantazhe  të padrejta për palë të caktuara politike. Për shembull, mosmarrëveshjet politike midis KQZ, qeverisë dhe Presidentit vonuan për më shumë se 3 vjet shpalljen e zgjedhjeve të reja në bashkinë Shkodër dhe në periudha 1-2 vjeçare edhe në disa bashki të tjera (shih tabelën).

Së treti, aktet e KQZ duhet të krijojnë akses dhe standarde të njësuara kohore për ankimim, publikim dhe më pas shpalljen e zgjedhjeve dhe zhvillimin e tyre. Njoftimi i Këshillit të Ministrave dhe vetë dekreti i Presidentit duhet të jetë akte fundore, pas konsumimit të proceseve ankimuese dhe administrative.

Së katërti, data për zgjedhjet e pjesshme duhet të jetë produkt konsensual brenda afateve të mundshme ligjore, si dhe të shmangë sa të jetë e mundur zhvillimin e zgjedhjeve në muajit korrik apo dhjetor, dy muaj që përbëjnë pikun e kohës së “periudhës zgjedhore” të përjashtuar për zgjedhjet parlamentare e lokale sipas Kodit Zgjedhor.

Së pesti, koncepti i zgjedhjeve të pjesshme vendore duhet të ndryshojë për të ndjekur modelet e shumta në vendet europiane, sipas të cilave mandati vakant i kalon të njëjtës parti me këshilltarin më të votuar në këshill. Kjo formë do të siguronte vijueshmërinë e mandatit politik dhe të evitonte kriza politike, shpenzime të mëdha financiare, incidente dhe pabarazi në garë. E njëjta praktikë ndiqet në thelb nga zëvendësimi i mandateve parlamentare, të cilat pasojnë emrin tjetër në listë, ndonëse mund të jenë deputetë nga bashki të ndryshme të të njëjtit qark.

Së fundi, pas më shumë se tri dekadash eksperimente partitë duhet të evitojnë kandidatët me rekorde kriminale në zgjedhje, qeveria duhet të heqë dorë nga keqpërdorimi i pushtetit në gara elektorale, KQZ duhet të dëshmojë integritet dhe paanshmëri, institucioni i Presidentit duhet të qëndrojë dukshëm i baraslarguar nga palët politike dhe sistemi i drejtësisë duhet të ofrojë vendimmarrje që krijojnë njësim praktikash për raste të ngjashme gjykimi apo ankimimi. Marre nga ISP


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë