Nga Gazeta ‘SI’ – Durana është i vetmi, unik, park teknologjik që ekziston në botë pa taksa dhe pa kërkesë llogarie, që i ka shkaktuar shtetit dëme të mëdha financiare pa sjellë asnjë përfitim. Përkundrazi Durana u bë streha e kompanive që figuronin virualisht aty vetëm të përfituar nga shmangia e taksave, duke e kthyer në një “parajsë fiskale”. Disa nga këto kompani rezultojnë të lidhura ngushtë me me kontigjentë në kërkim si Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, protagonistë të skandalit në AKSHI.
Precedenti Durana nuk gjendet në asnjë vend të Europës perëndimore, ku nuk ekzistojnë parqet teknologjike pa taksa dhe mbi të gjitha pa prezencë fizike por vetëm aktivitet virtual. Legjislacioni europian, kërkon që bizneset të jenë të regjistruar fizikisht në kuadër të strategjisë së tyre “anti-guaskë”, pra kompanitë fantazmë, me aktivitet të dyshimtë. Edhe në rastet e regjistrimit si nomadë digjitalë (rasti i Lituanisë që njeh residencën digjitale) është i detyruar të ketë sërish një adresë fizike aktiviteti dhe person kontakti. Specifikisht, direktiva “Unshell” (ATAD 3) e BE-së thekson se “nëse një kompani nuk provon se ka aktivitet brenda zonës së lirë ekonomike, ajo humbet të drejtën e lehtësirave tatimore”.
Europës nuk i pëlqen as idea “no tax”, dhe asnjë park teknologjik në Perëndim nuk operon nën një regjim të lirë fiskal. Vendet e zhvilluara të kontinentit mund të ofrojnë lehtësime si norma fikse tatimi apo rimbursim të pjesshëm në raste humbjeje (rasti i Danimarkës dhe Gjermanisë) apo grante për kompanitë e teknologjisë (Suedia).

Raste të ngjashme me atë Durana park në Durrës vijnë nga Bjellorusia dhe Moldavia.
Parku HTP i Bjellorusisë, që është quajtur “Silicon Valley” i Europës, ofron incentiva fiskale për bizneset rezidente të parkut si p.sh 0% tatim mbi fitim, TVSH dhe taksë prone. Për tatimin mbi pagën e punonjësve, bizneset paguajnë një normë fikse prej 9%, pavarësisht pagave të larta. Parku teknologjik i Moldavisë është subjekt i vetëm një takse. Bizneset që shtrijnë aktivitetin e tyre pjesë e MITP, taksohen 7% vetëm mbi të ardhurat totale.
Por, këto dy parqe të inovacionit dhe shkencës, ia kthejnë “borxhin” ekonomive vendase. Në rastin e HTP-së në Bjellorusi, parku kontribuon në 3% të PBB-së së ekonomisë atje dhe i shton vendit një qarkullim prej 667.6 milionë rublash ose rreth 240 mln euro në vit nëpërmjet shërbimeve dytësore dhe taksave jo direkte. Parku i Moldavisë, sipas shifrave nga institucionet moldave, në vitin 2024 kreu 770 mln euro shitje dhe nga tatimi 7%, i dha mbrapsht shtetit 54 mln euro.
Turqia, mëmë e 90 parqeve teknologjike në vend, ashtu si Shqipëria ofron një regjim “no tax” për kompanitë aty. Sipas legjislacionit turk, kompanitë në zonat e lira fiskale nuk do të paguajnë për një periudhë të caktuar asnjë taksë mbi tatim-fitimin, as TVSH, as tatim mbi pagat.
Por parku turk nuk është “fushe me lule”.
Kompanitë që operojnë aty janë të detyruara të ndjekin detyrat e caktuara nga shteti. Detyra kryesore është që çdo muaj të raportojnë përparimin e bërë në inovacion dhe kërkim-zhvillim, si dhe të raportojnë shpenzimet e të ardhurat.
Një detyrim tjetër i madh për kompanitë në Turqi, kur të ardhurat e tyre të përjashtuara nga taksat tejkalojnë 1 mln lira në vit, rreth 20 mijë euro, është të investojnë 2% të këtyre të ardhurave në një fond kapitali sipërmarrës (venture capital) të krijuar në Turqi ose në një startup të themeluar në një nga qendrat e zhvillimit në Turqi. Stafi duhet të regjistrojë të paktën 90 orë pune në muaj në park. Nëse këto kritere nuk plotësohen, kompanitë e humbin privilegjin e përjashtimit nga taksat.
Dobishmëria e këtyre parqeve në ekonominë e një vendi do kohë për t’u provuar dhe përjashtimet fiskale nuk mbështeten nga organizatat kombëtare.
No Tax Zone: Pro dhe Kundër
Sipas një analize nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ndonëse mbështetja nga qeveria është e rëndësishme për zhvillimin e parqeve teknologjike, ajo nuk është e domosdoshme.
OKB ngre dy pyetje kur të vendoset financimi i parqeve apo lehtësimi fiskal i tyre (të dyja nuk mund të ndodhin).
Cili është qëllimi kryesor i krijimit të parkut?
A është parku mënya më efektive për ta arritur qëllimin e vendosur?
Organizata argumenton se qeveritë mund të incentivojnë këto parqe kur janë ato kthene në kontribuues me rëndësi të insutrisë së shkencës dhe inovacionit në vend, apo kur sjellin përfitime reale në ekonominë kombëtare apo lokale.
“Do të ishte gabim që fondet publike të përdoren vetëm për të përfituar pak kompani brenda parkut ose për të mbrojtur interesa të ngushta”, theksojnë ekspertët e OKB-së.
Madje, organizata argumeton se hapja e parqeve teknologjike nuk është gjithmonë e dobishme ë krijimin e inovacionit, sepse inovacioni nuk është linear, siç e krijojnë bizneset në park, por ai nxitet nga nevojat e tregut dhe klientëve.
Rasti Durana
Durana Park është parku i parë teknologjik në Shqipëri, që ka nisur punën në fillim të vitit 2025. Ndonëse adresa e parkut është në Xhafzotaj të Durrësit, atje nuk ka një godinë dhe kompanitë që janë bërë “rezidente” të saj, punojnë nga zyrat e tyre, por përfitojnë të gjitha benefitet e parashikuara nga ligji.
Një vit nga krijimi, 53 kompani janë bërë pjesë e parkut Durana, duke jetuar praktikisht në një “parajsë fiskale” ku nuk i paguajnë shtetit shqiptar asnjë taksë, nga tatimi mbi fitimin, TVSH-ja, taksat doganore, taksat e infrastrukturës dhe pronën, pagat e personelit dhe madje përfitojnë rimbursim nga shteti për trajnimin e punonjësve. Kjo do të zgjasë 15 vite.
Lista e kompanive pjesë e Durana Park


Në thelb, detyra e Duranës është zhvillimi i kërkim-zhvillimit, krijimi i rrjeteve të bashkëpunimit dhe kthimi i Shqipërisë në një qendër rajonale të inovacionit dhe më vonë dhe krijimi i qendrave të të dhënave (Big Data) e robotika.
Deri tani, nuk është i qartë progresi që këto kompani kanë bërë, por janë të qarta se çfarë ka humbur shqipëria.
Sa para kanë humbur shqiptarët nga parku Durana
Në një përllogaritje, bazuar në parashikimet e qeverisë, deri më tani buxheti i shtetit ka humbur
Fillimisht, Këshilli Shqiptar i Investimeve, përgjegjëse për operimin e Durana, parashikon 30 mln lekë për promovimin e projektit,për 3 vitet e para, mesatarisht 10 mln lekë, për vitin e parë. shpenzimet operative për vitin e parë, parashikohen 65.118 lekë, në mungesë të godinës dhe faturave të lidhura me të.

Durana parashikon që vitin e parë ka 350 të punësuar me një pagë mestare 250 mijë lekë në muaj dhe duke qenë se për këto paga nuk mbahet tatim dhe kontributet i paguan shteti, ky i fundit humb rreth 394 mln lekë të tjera.
Në projeksionet e ministrisë së Ekonomisë, pas 15 vitesh përjashtimi, Durana do të paguajë 471 mln lekë tatim-fitimi për 5 vite dhe sipas përllogaritjeve, vitin e parë shteti ka humbur 94.2 mln lek. Për 14 vitet e ardhshme këto humbje do të katërmbëdhjetëfishohen. Bazuar në të dhënat për taksën e pronës dhe pastrimit, arka e shtetit humb përafërsisht 540 mln lekë në vit.
Në total arka e shtetit ka humbur rreth 1 mld lekë vetëm vitin e parë të Durana park, nga përjashtimet fiskale.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



