Nga Konstantinos Filis- Situata në disa pjesë të Ballkanit Perëndimor është e paqëndrueshme dhe problematike në pjesën tjetër. Perspektivat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian janë zbehur. Madje edhe entuziazmi i ri që buron kryesisht nga Ukraina, por edhe nga Moldavia e gjendur nën hijen e luftës Moskë-Kiev, është dobësuar për shkak të mosgatishmërisë së disa shteteve anëtare për ta përshpejtuar zgjerimin.
Por edhe nga paaftësia e qeverive kombëtare, për të kryer reforma që përputhin sistemin e vendit të tyre me standardet e BE-së. Një vit më parë më kujtohet që isha në Uashington, dhe nga atje dëgjova apelin e dëshpëruar të Ministri të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, në lidhje me pasojat e rënda mbi stabilitetin dhe demokratizimin e Ballkanit Perëndimor, nëse qytetarët e tyre nisin ta humbin besimin se BE-ja synon vërtet të zgjerohet.
LEXO EDHE:
– ‘Përvec Tavos, një gazetar dhe biznesmen po diskutohen për të zëvendësuar Belerin’ (emrat)
– Ekskluzive/ Fredi Beleri akuza direkte kryeministrit Rama: Si po kontrollon drejtësinë për të marrë Himarën pa zgjedhje
Njëzet vite pasi u mbajt në Selanik samiti i parë BE-Ballkani Perëndimor, politika greke ka hyrë me forcë në një cikël të ri. Prandaj është thelbësore që ne të formulojmë një qasje gjithëpërfshirëse dhe jo të pjesshme. Greqia ka disa çështje serioze të pazgjidhura me Shqipërinë për shkak të rastit të Fredi Belerit (kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës i etnisë greke, aktualisht i burgosur).

Po ashtu, ne jemi prapa edhe me zbatimin e kushteve, mbi të cilat është rënë dakord me Maqedoninë e Veriut, duke humbur shumë kohë të çmuar, meqë zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vendin fqinj ka të ngjarë të sjellin ri-ngjitjen në pushtet të nacionalistëve të VMRO-së, një parti që e kundërshton haptazi Marrëveshjen e Prespës me Greqinë mbi ndryshimin e emrit zyrtar.
Natyrisht, për sa i përket Shqipërisë, ne kemi detyrimin të sigurojmë të ardhmen më të mirë të mundshme për pakicën etnike-greke, duke shfrytëzuar aspiratat e saj evropiane për të ushtruar presion mbi respektimin e shtetit të së drejtës. Megjithatë është për të ardhur keq, që qëndrimi fillestar i Greqisë ishte sfidimi i sistemit gjyqësor shqiptar, në vend të këmbënguljes që kryetari i sapozgjedhur i bashkisë të lejohej të bënte betimin.
Aktualisht situata ka arritur në një pikë ku Greqia nuk mund të tërhiqet, jo vetëm për çështjen “Beleri”, por edhe për çështje të tjera të pazgjidhura, siç janë çështjet e pronësisë, ligji për vetëqeverisjen lokale, si dhe caktimi i kufijve mbi një Zone Ekskluzive Ekonomike, e cila po zvarritet nga qeveria shqiptare.
Nëse tërhiqemi tani, kjo do të nxiste nacionalizmin shqiptar, në kurriz të një këndvështrimi më pozitiv në marrëdhëniet midis dy vendeve. Sa i përket Belerit, përfundimi i kësaj çështjeje sido që të jetë, do t’i dërgojë BE-së dhe rajonit mesazhin se vendi ynë është i aftë të ushtrojë një politikë efektive dhe të mbrojë interesat e tij kryesore.
Në rast se perspektivat e anëtarësimit të Shqipërisë mbeten të pakushtëzuara pa u zgjidhur çështja “Beleri” (është mirë që procesi është bërë më i politizuar dhe i kthyeshëm që nga viti 2020), kjo do ta inkurajojë Tiranën të përfitojë nga situata në lidhje me zgjidhjen ose moszgjidhjen e çështjeve të të lartpërmendura.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, shpreson të jetë udhëheqësi natyral i të gjithë popullsisë shqiptare në rajon, për të qenë i preferuari i liderëve si kancelari gjerman Olaf Scholz, por edhe i Shteteve të Bashkuara. Ai beson se në këtë mënyrë mund të neutralizojë çdo presion që Athina mund të synojë të ushtrojë mbi të, duke e përdorur si një levë synimin e Shqipërisë për të hyrë në BE.
Përtej kësaj, Greqia nuk ka asnjë zë në konfliktin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo e mbështet qëndrimin e BE-së për çështjen e Bosnjës, dhe ndonëse ka një zgjerim të aktivitetit të biznesit grek në rajon, ajo ka ende nevojë të kombinohet me nismat diplomatike që synojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe, si dhe me pjesëmarrjen në partneritete shumëpalëshe, përmes të cilave Greqia mund të hedhë në terma afatgjatë themelet e një pakti ballkanik për paqen, bashkëpunimin dhe zhvillimin.
Synimi i një nisme të tillë do të ishte ruajtja e korpusit ligjor, pavarësisht ndryshimeve në qeveri. Athina mund dhe duhet të bëhet më aktive në rajon, duke filluar me një tur ballkanik nga ana e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, së bashku me një delegacion zyrtarësh qeveritarë dhe biznesmenësh.
Po ashtu, do të ishte pozitive nëse Greqia do ta bëjë të qartë pozicionin e saj në lidhje me zgjerimin e BE-së deri në vitin 2033, në formën e një udhërrëfyesi të cilin kryeministri ynë mund t’ua paraqesë homologëve të tij ballkanikë.
Ky udhërrëfyes i ndërmjetësuar nga Athina, mund të hartohet pasi Mitsotakis të ketë dëgjuar se çfarë kanë për të thënë liderët e tjerë të rajonit. Ai nuk do të ishte një zëvendësim i politikës së BE-së, apo një përpjekje për të penguar punën e Brukselit. Çdo përpjekje e tillë do të ishte e dënuar të dështonte.
Përkundrazi, ky udhërrëfyes mund të shërbejë për t’i dhënë përparësi çështjeve dhe për të krijuar një dialog të vazhdueshëm midis shteteve të rajonit, si në nivelet më të larta ashtu edhe në ato më të ulëta, midis politikanëve, drejtuesve të biznesit dhe figurave kulturore, dhe sigurisht me anëtarët e brezit të ri.
Trazirat ndërkombëtare dhe paqëndrueshmëria që mbizotëron në dhe përreth Ballkanit, lejojnë, madje kërkojnë ndërmarrjen e nismave për krijimin e një Këshilli Rajonal Ballkanik, i cili mund të shndërrohet në një mekanizëm për shkëmbimin e praktikave të mira dhe menaxhimin, apo edhe për zgjidhjen e problemeve të jetës së përditshme, por dhe sfidave të përbashkëta me të cilat përballet rajoni në tërësi, duke ia lënë BE-së dhe NATO-s menaxhimin e çështjeve më madhore.
Në këtë mënyrë, mund të hartohen strategji të përbashkëta të bashkëpunimit në kuadër të zhvillimit, me Selanikun në qendër të këtyre proceseve. Një aset i mëtejshëm për Greqinë, është roli udhëheqës i këtij vendi në ndërlidhjen energjetike të Ballkanit Perëndimor me furnizuesit dhe tregjet ndërkombëtare.
Burimi: “Kathimerini”/Përshtati Gazeta Si
Shënim: Konstantinos Filis, profesor i asociuar në Kolegjin Amerikan të Greqisë, dhe drejtor i Institutit për Çështjet Globale në këtë universitet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




