Shfaqja e rastit të dytë me meningit brenda vitit në qytetin e Durrësit , ka alarmuar popullatën dhe prindërit në mënyrë të veçantë.
14 vjeçari i sjellë me urgjencë në shërbimin infektiv ne QSUT rezultoi i prekur nga bakteri Nisseria Meningitis i cili shkakton sëmundjen e meningitit.
Edhe pse mjekët flasin për një përmirësim të lehtë te gjendjes së tij, ende nuk mund të thonë nëse e kaloi rrezikun. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, 14 vjeçari është i prekur nga forma agresive e meningitit, edhe pse sipas tyre, ky rast nuk ka lidhje epidemiologjike me 17 vjeçaren nga Durrësi që humbi jetën nga kjo sëmundje në muajin dhjetor.
Por prindërit e nxënësve të shkollës “Eftali Koci” ku u konfirmua rasti me meningit po refuzojnë t’i dërgojnë fëmijët në shkollë.
Eugena Tomini, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik tregon se 30% e individëve janë mbartës të bakterit të meningitit. Edhe pse nuk shfaqin shenja ata mund ta transmetojnë te persona të tjerë .
Por si t’i dallojmë shenjat e meningitit në këtë periudhë të ngarkuar me viroza?
Sëmundja e meningitit shkaktohet nga disa forma të bakterit, por ato që janë më të rënda deri në humbje jete janë nëntipet B dhe W135.
Rrezikun nga meningiti shumë shtete europiane e kanë zgjidhur përmes vaksinës e cila kryhet pas moshës dy vjeç.
Shqipëria nuk e ka në kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit edhe pse eshtër e komanduar prej kohësh nga Instituti i Shëndetit Publik.
Edhe pse me një kosto të lartë, një pjesë e prindërve e kanë siguruar privatisht në tregun farmaceutik brenda ose jashtë vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



