Autoritetet shëndetësore në botë po hetojnë një rritje të rasteve të hepatitit, që po shkaktohet nga një lloj adenovirusi tek fëmijët.
Ata gjithnjë e më shumë besojnë se kjo rritje mund të lidhet me një virus të zakonshëm.
Adenoviruset janë një grup virusesh të zakonshme që mund të prekin pjesë të ndryshme të trupit në varësi të llojit. Gama e sëmundjeve që lidhen me një adenovirus, përfshin simptoma të zakonshme të ftohjes ose gripit.
Bronkiti akut, pneumonia, konjuktiviti dhe gastroenteriti akut të vjellat dhe diarrenë, mund të rezultojnë gjithashtu nga infeksioni.
Inflamacioni ose infeksioni i fshikëzës urinare dhe sëmundjet neurologjike janë më pak të zakonshme, por gjithashtu renditen si simptoma.

Agjencia shëndetësore e OKB-së tha se deri më tani ka marrë raporte për të paktën 169 raste të “hepatitit akut me origjinë të panjohur” dhe se një vdekje ishte raportuar.
Mjekët janë ende duke hetuar se çfarë po i shkakton sëmundjet, por adenovirusi është një i dyshuar kryesor, pasi është zbuluar në 75 për qind të rasteve të konfirmuara.
Një shpjegim i mundshëm është se shpërthimi është i lidhur me një rritje të infeksioneve të zakonshme virale pas përfundimit të kufizimeve të Covid-19.
Ekspertët besojnë se fëmijët që nuk ishin ekspozuar ndaj adenoviruseve gjatë dy viteve të fundit, tani mund të goditen më shumë kur ekspozohen ndaj viruseve.
OBSH tha se infeksioni me adenovirusin e tipit 41, lloji i implikuar i adenovirusit, nuk ka qenë më parë i lidhur me një paraqitje të tillë klinike.
“Adenoviruset janë patogjenë që zakonisht shkaktojnë infeksione të kufizuara. Ato përhapen nga personi në person dhe më së shpeshti shkaktojnë sëmundje të frymëmarrjes, por në varësi të llojit, mund të shkaktojnë edhe sëmundje të tjera si gastroenterit (inflamacion i stomakut ose zorrëve), konjuktivit (sy rozë) dhe cistit (infeksion i fshikëzës).
“Ka më shumë se 50 lloje të adenoviruseve imunologjikisht të dallueshëm që mund të shkaktojnë infeksione te njerëzit. Adenovirusi i tipit 41 zakonisht shfaqet si diarre, të vjella dhe ethe, shpesh të shoqëruara me simptoma të frymëmarrjes”,ka raportuar OBSH.
Burimi: The Independent/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




