Kosova

Raportuesja e Kosovës: BE të ndalë Serbinë! Po çregjistron shqiptarët në Preshevë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian i bën thirrje Brukselit që të adresojë me urgjencë problemin sistematik të shpopullimit të shqiptarëve nga ana e Serbisë në Luginën e Preshevës. Viola von Cramon ka konfirmuar përmes rrjeteve sociale një deklaratë të kryebashkiakut të Preshevës, Shqiprim Arifi.

“Është një problem i madh që duhet trajtuar urgjentisht në Beograd nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrel, Miroslav Lajçak dhe Oliver Varhelyi. Absolutisht e saktë”, shkruan von Cramon duke shpërndarë postimin e kryebashkiakut shqiptar të Preshevës.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe vetë kryebashkiakut Shqiprim Arifi kanë denoncuar prej muajsh fshirjen e adresave të shqiptarëv në Luginën e Preshevës nga ana e autoriteteve qendrore serbe.

“Pezullimi i adresave të shqiptarëve që jetojnë në Serbi është një rast unink duke pasur parasysh se është një problem sistematik dhe që i ndodh vetëm minoritetit shqiptar”, deklaron Shqiprim Arifi.

Fenomeni është vënë re si në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Sipas përfaqësuesve politikë shqiptarë në Serbi, vetëm në katër vitet e fundit në Medvegjë u janë fshirë adresat nga regjistri civil mbi katër mijë shqiptarëve.

Shqiptarët akuzojnë se bëhet fjalë për një plan të mirëfilltë që po ekzekutohet nga Ministria e Brendshme serbe për të ulur numrin e qytetarëve shqiptarë. Institucione, aktivistë dhe politikanë shqiptarë kanë denoncuar publikisht Serbinë, duke e akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, pasi pasivizimi dhe më pas fshirja e adresave të vendbanimit të shqiptarëve i lë ata praktikisht pa shtetësi dhe pa qasje në shërbime mjekësore, sociale dhe arsimore, pa të drejtë vote dhe pa të drejtë për të kryer shit-blerje të pronave.

Praktikisht, kjo do të thotë se pavarësisht se jetojnë në Luginën e Preshevës, kjo kategori nuk ekziston. E gjithë zanafilla e problematikës lind në vitin 2011, kur Serbia miratoi një ligj për vendbanimet dhe adresat.

Autoritetet serbe e arsyetuan këtë ligj me përpjekjet për të pastruar listat e votuesve nga abuzimet dhe parandaluar manipulimin e zgjedhjeve. Por, pa kaluar shumë kohë ligji nisi të përdoret si instrument për të çregjistruar me pahir shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Serbët shfrytëzojnë një nen të këtij ligji, sipas të cilit autoritetet e Ministrisë së Brendshme të verifikojnë dhe të çregjistrojnë nga adresat e dhëna një qytetar, në rastet kur mendojnë se qytetari nuk banon aty. E si të mos mjaftonte shfrytëzimi i këtij ligji, në rastin e shqiptarëve ka pasur denoncime të panumërta se atyre u njoftohet çregjistrimi gojarisht dhe pa asnjë dokument zyrtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë