Nga Gazeta ‘Si’ – Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian, Riho Terras, ka dënuar sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, dhe ka theksuar se të gjithë kriminelët duhet të sillen para drejtësisë. Në konferencën për mediat, Terras tha se shumë shpejt do të ketë një pasqyrë të plotë të informacioneve të fundit për Kosovën.
“Nesër planifikoj që të vizitoj veriun e Kosovës. Aty do të mbaj disa takime dhe të njëjtën kohë do të vizitoj vendin ku ka ndodhur sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit. Gjithashtu, ju inkurajoj që autoritetet të punojnë në këtë drejtim drejt zbulimit dhe ndriçimit të këtij rasti… Të gjithë kriminelët duhet të sillen para drejtësisë. Unë jam gjeneral dhe për të bërë një plan njëherë duhet të kem një pasqyrë të plotë të informacioneve”, tha ai.
Në vizitën e tij të parë në Kosovë, tha se të martën do të vizitojë veriun e vendit, ku inkurajoi institucionet e Kosovës që të ndriçojnë rastin e sulmit terrorist të 29 nëntorit, ku u dëmtua infrastruktura kritike e vendit. Terras në konferencën për media, njoftoi se është takuar me krerët institucional në Kosovë, si dhe po pret që ditëve në vijim të takohet edhe liderët opozitarë, përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, si dhe shoqërinë civile në Kosovë.
“Më jepni mundësi që të takohem me të gjitha palët dhe të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, në mënyrë që të marrë të gjitha pikëpamjet e tyre. Siç e ceka më herët për të hartuar një raport objektiv të progresit dhe më pastaj do të diskutojmë më tej”, tha ai.
Krahas këtyre, eurodeputeti lavdëroi Kosovën për ndërmarrjen e një sërë reformash, që sipas tij, do të ndihmojnë vendin në rrugëtimin e saj drejt integrimit në BE.
“Jemi këtu për ta ndihmuar Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. Kosova me sukses ka ndërmarrë një sërë reformash në përparimin e saj. Kjo është reflektuar në Raportin e Progresit për vitin 2024. Në cilësinë e raportuesit në Parlamentin Europian jemi këtu për t’i përfshirë të gjitha këto arritje në raport”.
Më 29 nëntor ka ndodhur një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut. Institucionet vendore e kualifikuan si sulm kriminal dhe terrorist që qëllim kishte dëmtimin e infrastrukturës kritike të Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.