Drejtësia

Raporti vjetor i SPAK, Altin Dumani: Zyrtarë të lartë përdorin skema të sofistikuara korrupsioni

Gazeta Si – Gjatë raportimit vjetor në KLP për vitin 2024, kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi se vitin e kaluar është vënë re se korrupsioni nga ana e zyrtarëve të lartë bëhet nëpërmjet skemave të sofistikuara.

“Hetimet e vitit 2024 tregojnë se korrupsioni i zyrtarëve të lartë, zhvillohet përmes skemave të sofistikuara dhe faktorë si ndikimi institucional, përfshirja e rrjeteve kriminale dhe pastrimi i parave që rrisin nivelin e rrezikut. Gjatë vitit 2024 konstatohen 132 hetime të filluara me kallëzime. Vihet re rënie e hetimeve të filluara me kallëzime nga policia e shtetit nga 65 në vitin 2023 në 30 në vitin 2024”, – shtoi kreu i SPAK.

Dumani tha se janë vënë në hetim 33 ish-zyrtarë, nga të cilët 19 janë dërguar për gjykim. Për 10 funksionarë të lartë, gjatë vitit të kaluar janë dhënë vendime të formës së prerë.

“Sa i takon luftës ndaj Korrupsionit janë hetuar një numër i konsiderueshëm zyrtarësh të lartë. Gjatë vitit 2024, janë nën hetim 33 ish-zyrtarë të lartë ku dy prej tyre janë të regjistruar në dy procedime të ndryshme secili. Nga këto 33, 19 prej tyre janë dërguar për gjykim në gjykatë duke përfaqësuar 52.9% të rasteve. Në vitin 2024 janë 10 funksionarë të lartë publik për të cilët ka pasur vendim të formës së prerë. Numri i personave të dërguar në gjykatë përbën rreth 35.2% të totalit të individëve”, u shpreh Dumani.

Kryeprokurori theksoi faktin se ka pasur më shumë hetime të përfunduara krahasuar me vitet e kaluara si dhe nisjen e procedimeve penale ndaj më shumë zyrtarëve publike.

Ndër të tjera gjatë raportimit të tij, Dumani u ndal edhe tek krimi i organizuar ku u shpreh se ka pasur një trend rritës në çështje të regjistruara.

“Në lidhje me vëllimin e punës në hetim dhe gjykim dua të ndaj disa tregues. Në lidhje me krimin e organizuar hetimet për veprat penale në Prokurorinë e Posaçme në vitin 2024 kanë pësuar një trend rritës në çështje të regjistruara, të hetuara dhe të përfunduara. Nëse do ta krahasaojmë me vitin 2023, ka shënuar nje rritje me 18.8% e regjistrimit të këtyre procedimeve penale. Numri i personave nën hetim ka një rritje me rreth 21.6%. Gjithashtu një rritje prej 35% vërehet edhe për hetimet e përfunduara krahasuar me vitin 2023. Këto vlera në rritje tregojnë arritjet e SPAK në luftën e  krimit të organizuar”, theksoi Dumani.

Dumani shtoi se sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme ka ardhur në trend rritës.

Krahasuar me vitin 2023, viti 2024 shënoi vlerën e 59.7% pasuri të sekuestruara e të konfiskuara. Sipas tij, vetëm në vitin 2024, arrin vlerën 65.5 milionë euro pasuri të sekuestruara e konfiskuara. Në vitin 2023 vlera e tyre arrinte rreth 41 milionë euro.

Kryeprokurori shpjegon se vlera e pasurive të sekuestruara zë 43.8% të vlerës totale ndërsa ato të konfiskuara 56%.

“Gjatë periudhës kohore 2021-2024, SPAK ka regjistruar një numër të lartë të procedurimeve të reja me një trend rritës kryesisht në vitet e fundit.

Vetëm gjatë 2024 janë regjistruar 328 procedime penale të reja, duke dëshmuar një rritje me rreth 9.7% krahasuar me vitin paraardhës.

Për veprat penale, të cilat janë në kompetencën e SPAK, krahas hetimit për veprat penale, nis edhe ai pasuror. Krahasuar me vitin 2023, vlera totale e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, ka shënuar një rritje të masën 59.7%. vlera e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara gjatë vitit 2024, që përllogaritet në vlerën totale prej 65.5 mln euro, kundrejt rreth 41 mln euro në vitin 2023. Prej tyre, vlera e pasurive të sekuestruara është shuma rreth 28.7 mln euro ndërkohë që për pasuritë e konfiskuara, kjo vlerë arrin shumën rreth 36.7 mln euro. Kështu vlera e pasurive të sekuestruara zë 43.8% të vlerës totale ndërsa pasuritë e konfiskuara zë rreth 56% të vlerës totale”, – tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë