Drejtësia

Raporti / SPAK i shqetësuar për retorikën politike dhe ndryshimet ligjore për pavarësinë e tij

Gazeta Si – Mes sfidave dhe problematikave në raportin për vitin 2025, SPAK shprehet i shqetësuar para së gjithash për retorikën dhe ndërhyrjen e politikës në hetimet për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar.

Në raport theksohen si shqetësuese edhe nismat e qeverisë me karakter ligjor, që do të mund t’ië kufizonin pavarësinë e institucionit.

Struktura e Posaçme, ka identifikuar disa sfida kryesore në funksionimin e institucionit, që kërkojnë ndryshime ligjore të mundshme në Kushtetutë, për të garantuar cilësinë dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë së institucionit.

Prokuroria e Posaçme thekson rritjen e nivelit të kërcënimeve nga krimi, mospërcaktimi i qartë ligjor e përfundimit të mandatit të prokurorëve, bashkëpunimi me institucionet e tjera apo dhe me ato ndërkombëtare.

1.Sfidat në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë – Hetimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta paraqet sfida të rëndësishme për SPAK. Gjithashtu, retorika politike dhe mediatike mund të ndikojë në perceptimin publik dhe në autoritetin e institucionit, si dhe mund të shërbejë edhe si faktor nxitës për rritjen e nivelit të kërcënimeve nga krimi i organizuar. SPAK do t’i konsideronte veçanërisht shqetësuese ato nisma ose masa me karakter ligjor dhe institucional, që do të synonin kufizimin e mjeteve proceduriale dhe pavarësinë e saj. Ndërhyrje të tilla do të përbenin rrezik serioz për funksionin kushtetues të SPAK dhe për vetë shtetin e së drejtës.

2.Statusi i prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit – Mospërcaktimi i qartë ligjor kërcënon vijimësinë e hetimeve dhe standardet profesionale, duke ndikuar në besimin e publikut dhe në përmbushjen e kërkesave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare.

3.Këshilltarët ligjor pranë SPAK – Mungesa e këshilltarëve ligjorë me përvojë krijon vështirësi në cilësinë e hetimeve dhe ndjekjes së çështjeve në të gjitha shkallët e gjykimit, përfshirë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

4.Bashkëpunimi me institucionet publike – Edhe pse ka rritje të referimeve dhe shkëmbimit të informacionit, niveli i bashkëpunimit duhet të intensifikohet më tej, veçanërisht me Policinë e Shtetit, për të garantuar hetime më të koordinuara dhe efikase. 5. Sistemi i Menaxhimit të Çështjeve (Case Management System) – Konsolidimi i mëtejshëm i moduleve ekzistuese dhe integrimi i funksionaliteteve të reja mbetet prioritet për të përmirësuar ndërveprimin me proceset hetimore dhe procedurale të të dhënave, duke siguruar monitorim më të mirë të progresit të çështjeve.

6.Njësia e analizës – Ngritja e një strukture të specializuar për mbështetjen e hetimeve komplekse, matjet e riskut dhe raportimet kombëtare dhe ndërkombëtare vazhdon të mbetet sfidë, duke kërkuar bashkëpunim të vazhdueshëm me ekspertë ndërkombëtarë.

7.Specialisti Ndërlidhës – Statusi i specialistit ndërlidhës si nëpunës civil nuk përputhet plotësisht me funksionet, që duhet të kryejë sipas ligjit nr. 95/2016, duke e bërë të nevojshme përcaktimin e qartë të pozicionit dhe kompetencave për të garantuar efektivitetin e rolit.

8.Shqyrtimi i kërkesave nga autoritetet e huaja – Mungesa e kompetencës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja, përfshirë procedurat e ekstradimit, mbetet problematike dhe ndikon vijimësinë e hetimeve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

9.Kompetenca e Gjykatave të Posaçme – Mungesa e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale për subjektet e posaçme detyron që këto çështje të trajtohen nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, duke rritur kohëzgjatjen dhe kompleksitetin procedural.

10.Ekstradimi/deportimi i shtetasve shqiptarë – Edhe pse ka përmirësime në bashkëpunimin me disa shtete, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, procesi i ekstradimit vazhdon të jetë sfidues dhe kërkon nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe për të garantuar ekzekutimin e vendimeve penale jashtë vendit”, thuhet në raport.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë