Ngjarje

Raporti/ Sa të sigurtë dhe të lirë janë gazetarët në Shqipëri?

Sa mbrohen ligjërisht gazetarët shqiptarë? A respektohen ata përsa i përket kushteve të punës dhe sigurisë? Këto pyetje dhe të tjera, që lidhen me punën e gazetarëve janë ngritur dhe marrin përgjigje në raportin e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurtw (Safe Journalist), të bërë publik vetëm disa ditë më parë.
Sipas raportit situata e gazetarëve përgjatë vitit 2020, e cila sigurisht është ndikuar së shumti nga pandemia e COVID-19 është përkeqësuar në disa drejtime, që lidhen me mos pagesën në kohë të rrogës, me mos marrjen e pushimeve në mënyrën dhe formën e duhur apo probleme me marrjen e lejes së lindjes. Në këtë drejtim theksohet se gazetaret femra janë më të prekura nga kjo situatë në krahasim me gazetarët meshkuj.
Pozicioni i gazetarëve në redaksitë e lajme dhe kushtet e tyre, duke iu referuar këtu edhe kontratave të punës dhe duke marrë parasysh edhe mbrojtjen ligjore përsa i përket lirisë së shprehjes ishin të tjera pika të studimit, që vëren se ka pasur përkeqësim të një pjese të madhe të këtyre indikatorëve në praktikë, pavarësisht se në parim shumë nga këto të drejta janë të rregulluara.
“A garantohet e drejta për lirinë e shprehjes dhe informimit? A përfshin kjo e drejtë edhe aksesin në internet? A zbatohen në praktikë garancitë ligjore? Kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e shprehjes, lirinë e medias dhe lirinë e informimit. Ajo parashikon që e drejta e lirisë së shprehjes, të medias dhe informimit mund të kufizohet me ligj “për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve”. Legjislacioni në fuqi për lirinë e shprehjes nuk përfshin drejtpërdrejt aksesin në internet. Megjithatë, në Shqipëri, aksesi në internet është i garantuar përmes Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kuadri ligjor për të drejtën e lirisë së shprehjes dhe informimit nuk zbatohet plotësisht në praktikë me shenja të përkeqësimit të lirisë së shprehjes, të informimit dhe të shtypit.”,- vërehet në raportin studimor.
Përfitimi financiar dhe ndikimi politik
Raporti ngre edhe pyetje të tilla që lidhen me burimet e financimit të mediave dhe sa përdoren politikisht dhe nga vetë shteti këto media.
“Burimi kryesor i financimit nga shteti për mediat private është financimi që jepet për transmetimin e reklamave ose njoftimeve shtetërore, ose financimi për ngjarje publike apo fushata publicitare. Kriteret e akordimit të këtyre fondeve nuk janë të përcaktuara. Gjithsesi, në vitet e fundit, mediat private të transmetimeve kanë marrë fonde për investimet në teknologji për fikjen e sinjalit të transmetimeve analoge. Institucionet shtetërore nuk publikojnë rregullisht të dhëna për fondet specifike që u akordojnë mediave të ndryshme. Ministria e Financave dhe Ekonomisë publikon të dhëna për të gjitha pagesat e bëra nga institucionet publike për kontraktorët privatë.”, vijohet në raport, ndërsa bëhet me dije se ka mungesë transparence për paratë që shpenzohen përmes ndërmarrjeve të mëdha shtetërore, si ato për shërbimet komunale.

“Po ashtu, kur paratë shpërndahen përmes agjencive publicitare, nuk është e qartë se si u akordohen organeve të medias këto para. Nga ana tjetër, janë përkeqësuar edhe procedurat e transparencës në lidhje me procesin e prokurimit të reklamave shtetërore për mediat, duke bërë që të lindin pretendime për procese të njëanshme dhe diskriminuese. Po ashtu, ka shumë të ngjarë që reklamat shtetërore apo fondet publike për mediat të keqpërdoren dhe të synojnë të imponojnë në një farë mase programin e partisë politike në pushtet.”
Raporti bën me dije se në përgjithësi, fondet shtetërore për reklama në mediat janë në rënie, por gjithsesi, mediat në mënyrë të tërthortë përfitojnë nga fondet, projektet apo favore të tjera që shteti mund t’u japë pronarëve dhe bizneseve të tyre, siç janë licencat, lejet e ndërtimit dhe përfitime të tjera që vijnë nga tenderët publikë. Diçka e tillë ka bërë që “Varësia e mediave nga këto burime financimi ka bërë që politika e tyre editoriale të ndikohet dhe të jetë e njëanshme.”
Sipas studimit, zhvillimi i mediave në Shqipëri në tre dekadat e fundit reflekton një peizazh dinamik, të pasur dhe të larmishëm mediatik me tiparin kryesor të dominimit të mediave klienteliste, të karakterizuar nga ndërvarësi dhe lidhje të fshehta mes medias, politikës dhe biznesit.
Shqipëria ka një sistem transmetimi të dyanshëm, me Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) si transmetues publik në shërbim të publikut dhe media të lulëzuar private me 7 kanale televizive kombëtare, 3 radio kombëtare, 48 kanale televizive vendore, 56 radio vendore, 2 platforma tokësore/satelitore me pagesë dhe me më shumë se 650 media online. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka rreth 1,200 anëtarë, ndërsa numri i përgjithshëm i gazetarëve në 2018 ishte afërsisht 1,750.”
Proceset gjyqësore ndaj gazetarëve
Pikë e veçantë e raportit janë edhe proceset gjyqësore, që janë hapur kundër gazetarëve nga zyrtarë të shtetit dhe politikanë gjatë vitit të kaluar. Kështu bëhet me dije, se në vitin 2020 u hapën më shumë se dhjetë procese gjyqësore kundër gazetarëve, kryesisht për shpifje.
“Në disa raste është kërcënuar pavarësia e punës së gazetarëve në Shqipëri përmes rritjes së numrit të proceseve gjyqësore kundër tyre, veçanërisht kundër gazetarëve investigativë. Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (që njihen me termin “Paditë SLAPP”) po bëhen më të shpeshta në peizazhin mediatik në Shqipëri si mekanizëm për të censuruar, frikësuar apo heshtur median e pavarur, gazetarët investigativë dhe kritikët, duke i ngarkuar atyre barrën e kostove të mbrojtjes ligjore deri në braktisjen e kundërshtimit apo kritikës.”, nënvizohet në studim.
Sipas të dhënave të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, në vitin 2020 u konfirmuan dymbëdhjetë padi kundër gazetarëve. Vetëm në dhjetor 2020 ka pasur tre padi SLAPP në Shqipëri, duke kontribuar kështu në përkeqësimin e lirisë së medias.
Ekspertët e medias, organizatat e shoqërisë civile dhe organizata të tjera të pavarura të mediave kanë reaguar duke theksuar se proceset gjyqësore për shpifje kundër gazetarëve kanë bazë të vogël ligjore, por po përdoren si mekanizëm për të frikësuar dhe censuruar investigimin e korrupsionit.
“Politikanët dhe përfaqësuesit e bizneseve të mëdha zakonisht hapin procese të tilla gjyqësore në një përpjekje për të bërë të heshtin gazetarët investigativë ose mediat kritike.”, – vijohet në raport.
Ky është viti i pestë radhazi që shoqatat e gazetarëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor (Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova dhe Serbia), me mbështetjen e Komisionit Evropian monitoruan zhvillimin e lirisë së medias dhe sigurinë e gazetarëve në vendet e tyre. Në vitin 2020 në këto vlerësime u përfshinë edhe dy vende të tjera: Shqipëria dhe Kroacia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë