Nga Gazeta ‘Si’- ‘Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, Ballkani Perëndimor është identifikuar gjerësisht si një zonë e mundshme e rritjes së agresionit të ndikimit të drejtpërdrejtë rus.’
Kështu vëren një raport britanik mbi Ballkanin Perëndimor, i përgatitur në kuadër të Procesit të Berlinit i cili po zhvillohet në Londër.
Raporti i cili analizon ndikimin rus në vendet e BP, evidenton lidhjet e ngushta mes Serbisë dhe Rusisë.
Ai thekson, se sot Rusia mban një prani të fortë inteligjence dhe paraushtarake në Serbi, dhe Beogradi është, së bashku me Bjellorusinë, furnizuesi kryesor i armëve ruse dhe kineze në Europë.
“Rusia dhe Serbia kryejnë rregullisht operacione të përbashkëta inteligjence në rajon, me qëllimin e qartë për të parandaluar zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.
Beogradi është gjithashtu nyja kryesore e tranzitit për vullnetarët që janë regjistruar në forcat pushtuese ruse në Ukrainë, disa prej të cilëve, nga ana tjetër, janë rekrutuar në shërbimet e inteligjencës së Rusisë.
Serbia është vendi i stacionit më të madh të inteligjencës ruse në rajon, Qendrës Humanitare Ruse në Nish dhe vendi gjithashtu pret një rrjet kompleks kompanish, shoqatash qytetare dhe nismash të supozuara kulturore që shërbejnë si organizata fasadë për interesat strategjike ruse”, vëren raporti.
Ai gjithashtu shton se në të gjithë rajonin, Kisha Ortodokse Serbe vepron si një zbatues kryesor i presionit politik serb dhe rus; duke kontribuar në shtypjen e mospajtimit demokratik dhe Serbisë.
Banjska, kriza më e madhe e nxitur nga Vuçiç dhe Putin
Teksa analizon ndikimin rus në shumë prej vende të BP, raporti ndalet edhe tek sulmi ushtarak i Banjskës, i cili ndodhi në veri të Kosovës gjatë shtatorit të 2023-shit.
Sipas raportit, Serbia dhe Rusia kanë punuar së bashku për të nxitur krizën më të rëndësishme të sigurisë në Europë jashtë fushave të betejës së Ukrainës.

“Sulmi paraushtarak i shtatorit 2023 në Banjskë nga ekstremistë të armatosur me lidhje të drejtpërdrejta me qeverinë e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç rezultoi në tre vdekje, përfshirë një oficer policie të Kosovës.
Ngjarjet në Banjskë rezultuan në një qortim të rrallë të drejtpërdrejtë të qeverisë serbe nga administrata e atëhershme e Biden, e cila kishte frikë se një grumbullim i konsiderueshëm trupash nga Beogradi përgjatë kufirit të Kosovës ishte një prelud për një pushtim të plotë.
Personi kyç pas sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiç, mbetet i lirë në Serbi, pavarësisht thirrjeve nga disa qeveri dhe institucione perëndimore, siç është Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, për të sjellë ata që janë përgjegjës para drejtësisë”, shkruan raporti.

Mali i Zi/ Ndikimi Vuçiç-Putin, i rrënjësour në të gjitha nivelet
Edhe në Malin e Zi, raporti gjen një përhapje të gjerë të ndikimit ruso-serb.
“Që nga një përpjekje për grusht shteti në vitin 2016, i dyshuar se është kryer pjesërisht nga operativë rusë dhe serbë, dhe dhuna e vitit 2021 që shoqëroi instalimin e një patriarku të ri të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, ka shqetësime të konsiderueshme në lidhje me rritjen e ndikimit rus dhe serb në vend.
Ashtu si Serbia fqinje, edhe Mali i Zi është bërë një stacion për interesat tregtare ruse, mbi të gjitha ato që synojnë thyerjen e sanksioneve.
Në vitin 2024, Departamenti i Thesarit i SHBA-së shtoi shtetasin rus me bazë në Mal të Zi, Sergey Kokorev, dhe avokatin e tij të Korporatës Ndërkombëtare të Biznesit (IBC) në listën e tyre të zezë për “furnizimin e Rusisë me teknologji dhe pajisje të përparuara që i duhen urgjentisht për të mbështetur makinën e saj të luftës”, verën raporti.
Ai shton se në kufijtë e rajonit edhe Hungaria është gjithnjë e më shumë e lidhur me politikën e jashtme të Rusisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



