Analize

Raporti / Partitë, lum premtimesh që s’mund t’i mbajnë kurrë

Nga Mentor Kasa –Gjatë fushatave elektorale, opozita në Shqipëri premton gjithmonë më shumë se sa partia, apo partitë në pushtet, por që të gjitha partitë i lëshojnë këto premtime pa marrë parasysh mundësitë reale për mbajtjen e tyre. Në këtë përfundim ka dalë një raport i Qendrës Altax dhe i financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Raporti analizon premtimet elektorale në periudhën 2009-2017 dhe përfshirjen e tyre në programet qeverisëse, sipas partisë apo koalicioneve që kanë fituar besimin e votuesve në zgjedhje. Nga ky vëzhgim, për zgjedhjet e 2009, janë identifikuar plot 298 premtime elektorale nga partitë, në 2013 ky numër bie ndjeshëm në 270 premtime dhe në 2017 përgjysmohet në 152 premtime.

Të ndara sipas tre partive politike kryesore, raporti vëren se rënia më e madhe e premtimeve është nga Partia Socialiste me 60 për qind, ndjekur nga LSI me 52 për qind, ndërsa Partia Demokratike nga 2009 deri në 2017 ka një pakësim premtimesh me vetëm 3 për qind.

Nëse premtimet ndahen sipas pozicionit të subjekteve politike, pra nëse janë në qeveri, apo në opozitë, raporti vë re se në zgjedhjet e fundit, opozita ka një numër më të lartë premtimesh se pozita. Kështu, në 2009, PS dhe LSI, që ndodheshin në opozitë, ka tre herë më shumë premtime se PD, ndërsa në 2017-ën PD dhe LSI kanë një numër premtimesh dy herë më të lartë se PS.

Sipas fushës së premtimeve, nga analiza e Altax, në 2009 partitë politike politike kanë bërë më shumë premtime për bujqësinë dhe fshatin, për arsimin, rininë dhe gruan dhe më pas për taksat, buxhetin, mbrojtjen sociale dhe pensionet. Shëndetësia dhe infrastruktura renditeshin të tretat.

Në 2013, infrastruktura dhe industria ishin premtimet kryesore, ndjekur nga premtimet për bujqësinë dhe fshatin, buxheti dhe taksat dhe në fund energjia dhe minierat.

Në 2017-n premtimet kryesore të të trija partive kryesore lidheshin me taksat dhe buxhetin, më pas bujqësia e peshkimi, arsimi dhe në fund sektorët e tjerë.

Pavarësisht ndasive që mund të kenë në premtimet e bëra për taksat, buxhetin e shpenzimet buxhetore, nga analiza e Altax vërehet se partitë politike u referohen shumë pak dokumentave strategjike sektorialë, që duhet të shërbejnë si bazë për politikat e të gjitha qeverive.

“Secila nga partitë që analizohen ka një nivel jo të lartë të referimit në dokumentet kryesore strategjike sektoriale dhe ekonomike e financiare. PD në zgjedhjet e vitit 2009, kur kërkonte të vijonte qeverisjen ka një referencë të premtimeve te këto dokumente në një nivel të lartë. Megjithatë duke marrë në konsideratë që të gjithë këto dokumente janë hartuar me ekspertë të qeverisë, por edhe të asistuar nga ekspertë të huaj kjo referencë është një qasje e argumentuar. Një nivel jo të lartë referimi ka edhe LSI. Por edhe PS ka një nivel që tregon jo sa nevojitet për vlerësimin e premtimeve bazuar te dokumentet strategjike të vendit, megjithëse është në nivele më poshtë se dy partitë e tjera”, thuhet në raportin e Altax.

Analiza vëren se në zgjedhjet e vitit 2017, të tre partitë kryesore kanë rritje të argumentimeve të premtimeve nga referenca te dokumentet strategjike, por përsëri për arsye të euforisë dhe dëshirës për të maksimalizuar votat për partitë e tyre kanë dalë jashtë formateve që përcaktonin strategjitë.

E përbashkëta tjetër është se në lidhje me taksat, të gjitha partitë premtojnë ulje të tyre, duke “harruar”, ose duke mos e trajtuar me përgjegjshmëri informalitetin dhe evazionin tatimor.

“Ndërsa, qasja është e njëjtë dhe ka tentuar në mënyrë të përsëritur të premtojë uljen e taksave, mekanizmat për ta realizuar atë kanë qenë të ndryshëm. Të dyja palët në ngjashmërinë e tyre kanë harruar, apo nuk kanë trajtuar me përgjegjshmëri fenomenin e evazionit tatimor dhe informalitetit në ekonomi, që ka minuar vazhdimisht qasjen për të bërë ekonomi nëpërmjet uljes së taksave”, thotë Altax.

Të ndara sipas partive, analiza vë re se në 2017, LSI premtonte më shumë uljen e taksave, premtime që zinin 36 për qind të premtimeve totale të kësaj force politike, ndjekur nga PD me 9 për qind, ndërsa PS ka premtuar më pak ulje taksash në 2017, ndonëse në 2013 dhe 2009 ka qenë në të njëjtin nivel me PD e LSI për këtë pjesë.

Analiza vë re gjithashtu se premtimet e bëra shkojnë disafish përtej mundësive financiare të buxhetit të shtetit shqiptar.

“Në krahasimin e premtimeve të ngjashme për sektorët e qeverisjes, si dhe për tema sociale shikohet se të gjithë partitë synojnë premtime që dalin përtej mundësive të buxhetit me 2-3 herë më shumë se një vit i zakonshëm fiskal duke marrë parasysh mundësitë e të ardhurave dhe shpenzimeve që mund të prokurohen dhe të realizohen si programe buxhetore”, thotë Qëndra Altax.

Analiza cilëson si joreale edhe premtimet për punësimin.

“Kuadri makroekonomik dhe fiskal, 2009-2021 nuk ka patur asnjëherë mundësi reale të rritjes në periudhën 2009-2017 që të përkojë me nivelin e punësimit të premtuar. Nga llogaritjet tona rritja maksimale e mundur me projeksionet e rritjes së PBB-së në Shqipëri nuk premton për më shumë se 22.000 – 25.000 vende pune për vitet me rritje ekonomike mbi 3.8 përqind dhe me një rritje të pandërprerë dhe jo me luhatje. Ndërkohë, kur shikojmë premtimet për punësimin nga secila parti politike ato kanë rezultuar premtime të pamundura për t’u realizuar, as në gjysmën e nivelit të premtuar nga dy partitë e mëdha”, thuhet në raport.

E njëjta dukuri vërehet edhe për pensionet, ku partitë politike kanë premtuar rritje me 2-3 herë, ndërkohë që në realitet, Altax thotë se nga 2009 deri më tani, rritja faktike e tyre nuk tregon më shumë se 36 për qind.

Raporti gjen gjithashtu se PD ka një nivel më të lartë të premtimeve të përsëritura, 8 për qind në 2009 dhe 17 për qind në 2017, PS e 4 për qind në 2009 dhe 10 për qind në 2017, LSI me 4 për qind në 2009 dhe 15 për qind në 2017.

Analiza e premtimeve gjen gjithashtu se kosto financiare e premtimeve të Partisë Demokratike është në nivel më të lartë se ajo e premtimeve të PS-së dhe LSI-së. PS nga ana tjetër ka premtuar më shumë të ardhura në buxhet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë