Politike

Raporti / Parlamenti si “noter” i Qeverisë, opozita votoi mazhorancën

Nga shtatori deri në dhjetor, Parlamenti shqiptar ishte formal, përmbushi përgjegjësitë e tij në funksionin legjislativ, pjesërisht edhe në funksionin zgjedhor, por jo vetëm që dështoi të ushtrojë funksionin kontrollues ndaj Qeverisë, por Qeveria iu imponua, ndërsa opozita votoi mazhorancën.

Këto janë gjetjet kryesore të Institutit të Studimeve Politike pas vëzhgimit të punës së Kuvendit të Shqipërisë nga shtator deri në dhjetor.

“Në ushtrimin e funksionit të tij të tretë, funksionin kontrollues, Parlamenti nuk arriti ta përmbushë atë. Në tërësinë e tij Kuvendi lejoi të imponohet në aktivitetin e vendimmarrjen e tij nga pushteti ekzekutiv. Gjatë sesionit nuk pati asnjë mocion, komision hetimor dhe as seancë pyetjesh ndaj Kryeministrit dhe Qeverisë së tij, nuk pati ndjekje të nivelit të zbatimit të ligjeve që miratohen në Parlament dhe se në disa nisma të qeverisë, Parlamenti veproi më shumë si noter institucional i saj, sesa si institucioni kryesor i përfaqësimit dhe ushtrimit të sovranitetit qytetar në Shqipëri”, thuhet në raport.

Llogaridhënie nga qeveria nuk kanë kërkuar as deputetët që morën mandatet pas muajit shkurt, si përfaqësues të opozitës parlamentare, pas largimit të Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe aleatëve të tyre.

“Të dhënat e monitorimit treguan se rreth 60 për qind e deputetëve të ardhur në Parlament gjatë 2019 në emër të opozitës ishin votues të rregullt “pro” të akteve të mazhorancës dhe nismave të Qeverisë. Ky është një tregues i ndryshimit të raporteve politike në Parlament dhe dobësimit të përfaqësimit opozitar. Mazhoranca fitoi mbështetjen e rregullt e 10-16 deputetëve të rinj në Kuvend, duke dobësuar përfaqësimin dhe duke krijuar mazhorancë absolute për çdo vendimmarrje në interes politik të saj. Për pasojë, është rritur numri i deputetëve që nuk merr pjesë rregullisht në votimet e akteve në Kuvend dhe që ankohen se zëri i tyre nuk po dëgjohet”, theksohet në gjetjet e këtij raporti.

Deputetët që u aktivizuan më shumë ishin Taulant Balla nga Partia Socialiste dhe Rudina Hajdari e grupit parlamentar demokrat, ndërkohë që ISP thotë se pjesa më e madhe e deputetëve që kanë edhe kostumin e biznesmenit nuk ishte aktive në Parlament. Sa u takon deputetëve të PS që votuan ndryshe nismave të grupit të tyre parlamentar në Kuvend ISP rendit gjashtë, nga të cilët vetëm Ditmir Bushati dhe Fatmir Xhafaj shprehën publikisht rezervat për nismat. Megjithatë, ata nuk kanë votuar në asnjë rast kundër, por kanë zgjedhur rrugën e abstenimit.

ISP vëren se mungesa e një opozite të fortë u pasqyrua edhe në punën e Komisioneve Parlamentare. “Komisionet e Përhershme dhe të Posaçme përballen me riskun e aktivitetit formal në funksionimin e tyre. Më pak se një e treta e deputetëve është aktive në debatet në komisione. Drejtimi i tyre shpesh është i personalizuar dhe vendimmarrja e paracaktuar”, thotë raporti.

Përveç kësaj, ISP gjen edhe shkelje të tjera proceduriale. Kështu, në Komisionin e Ligjeve janë identifikuar tre raste kur deputetë që nuk kanë qenë fare të pranishëm në mbledhje figurojnë sikur kanë qenë, apo raste kur mbledhja është zhvilluar ditën e seancës plenare pa asnjë njoftim paraprak. Në këtë komision problematikë shihet edhe prania e dy deputetëve që janë anëtarë edhe në komisione të tjera, të cilët shfaqen vetëm për pak minuta.

Tek Komisioni i Ekonomisë, drejtuar nga Arben Ahmetaj, ISP veçon rastin kur Ahmetaj largohet nga mbledhja dhe ja lë drejtimin e mbledhjes një anëtareje të Komisionit, apo raste aplikimi të dy standardeve, kur në një rast Ahmetaj nuk pranon në mbledhje dy zyrtarë që janë futur me vonesë nga një komision tjetër, por pranon një zyrtar tjetër që u vonua për të njëjtën arsye. ISP thotë gjithashtu se ka replika personale mes Arben Ahmetajt dhe të ftuarve në këtë Komision nga institucionet e tjera shtetërore.

Çudive të këtij lloji nuk i ka shpëtuar as Komisioni i Sigurisë Kombëtare, ku vëzhguesit e ISP kanë gjetur në një rast pjesëmarrjen e dy deputetëve njëkohësisht në dy komisione parlamentare, apo ardhjen e dy deputetëve në momentet e fundit të mbledhjes vetëm për të firmosur praninë formale në mbledhjen e Komisionit.

I njëjti fenomen është parë edhe te Komisioni i Arsimit dhe Medias, ndërsa tek Komisionet për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Komisioni i Politikës së Jashtme dhe Komisioni i Integrimit Europian, vëzhguesit e ISP nuk kanë gjetur problematika të rënda, përveç rasteve të fillimit të mbledhjeve me vonesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë