Fondet e siguruara kryesisht nga tregtia ndërkombëtare e drogës pastrohen në sektorin e ndërtimit dhe turizmit në Shqipëri sipas një studimi nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar.
Ky raport paraqet një panoramë shumë të detajuar të çmimeve dhe rrugëve të trafikimit të drogës dhe emigrantëve përgjatë Ballkanit Perëndimor duke hedhur dritë edhe mbi vendet se ku pastrohen paratë.
Nga viti 2017 deri në vitin 2020 Tirana ka përjetuar një rritje të madhe të çmimeve të pronave dhe të ndërtimeve. Nëse në vitin 2017 çmimi i një metri katror ishte 861 euro, në vitin 2020 çmimet pothuajse u dyfishuan duke arritur nivelin nga 1400 deri në 2 000 eurove për një metër katror, thuhet në raport.
Çmimet në Tiranë pothuajse janë rritur me më shumë se 50% në krahasim me vitin 2017 ndryshe nga vende të tjera si prsh Podgorica kur çmimet u ulën me 14%, duke zbritur poshtë 1 mijë euro për të njëjtën periudhë.
Studimi thekson se sipas argumentimit të ekspertëve, rritja në Tiranë nuk mund të shpjegohet me kërkesën e lartë nga ekonomia reale ose nga rritja e nivelit zyrtar të të ardhurave, por përkundrazi drejtohen kryesisht nga paraja nga krimi i organizuar dhe korrupsioni i cili është investuar në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme.
Një përqindje e madhe e njerëzve që blejnë apartamente luksoze përdorin para të paligjshme dhe paguajnë me cash por sipas ekspertëve edhe kur pagesat bëhen me anë të sistemit financiar verifikimi i burimit mbetet mjaft sporadik.
Raporti citon se ishte shumë e habitshme se si edhe gjatë periudhës së pandemisë, industria e ndërtimit vazhdoi të rritej në Shqipëri pavarësisht se ekonomia e përgjithshme u tkurr.
Në tremujorin e dytë të 2020, edhe pse ekonomia u tkurr mesatarisht me 10.2%, aktiviteti i pasurive të patundshme vazhdoi të zgjerohej me 5.5%.
Në Vlorë, grupet kriminale pretendohet se kanë investuar në sektorin e turizmit , duke përfshirë hotele luksoze në bregdet. Çmimet janë rritur nga 600 në 700 euro për metër katror në vitin 2017 në bregun e ujit në 1 000 euro në 1 200 euro në fillim të vitit 2021.
Një sasi më e vogël të ardhurash të paligjshme kanalizohet në përdorimin e bizneseve nga trafikantët nëpërmjet financimeve cash në restorante, bare, stacione karburanti dhe kompani taksish.
Këto biznese janë veçanërisht të përshtatshme për të pastruar shuma më të vogla, të cilat më pas përfshihen gjithashtu në sistemin bankar.
Sa i përket analizës së sektorëve dhe pikat e nxehta se ku pastrohen paratë në Ballkanin Perëndimor, raporti citon se përgjithësisht shumat e vogla të parave pastrohen në biznese me nivele të larta të qarkullimit të cash-it të tipit hotele, restorante, kafene, palestra, dyqane suveniresh, pika ku shiten fruta-perime etj.
Raporti thekson se të ardhurat e aktiviteteve të paligjshme që kryhen në rajon, pastrohen kryesisht po në rajon, ndërsa grupet kriminale të Ballkanit Perëndimor janë duke gjeneruar të ardhura të shumta si pasojë e aktiviteteve të paligjshme (veçanërisht trafikimit të drogës) jashtë rajonit.
“Paratë e pista, të gjeneruara dhe të pastruara në rajon, po mbajnë gjallë një ekosistem të krimit dhe korrupsionit”, – thotë Kristina Amerhauser, një nga autoret e raportit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.