Raporti vjetor i Co-PLAN, Insituti për Zhvillimin e Habitatit në Shqipëri, për matjen e ndotjes së ajrit, zhurmës dhe parametrave të tjerë në Shqipëri ka treguar se, vendi ynë nuk është në ditët më të mira për sa i përket këtyre komponentëve.
Në kuadër të projektit “Mushkëri të Gjelbërta” në Tiranë janë monitoruar 194 pika ku vërehen përqendrime të larta të ndotësve kryesor të ajrit si NO2, grimcave të pluhurit e gazeve të tjera në ajër.
Raporti tregon se përqendrime të larta të NO2 janë vërejtur në rrugët dhe kryqëzimet kryesore të Tiranës. Rruga e Barrikadave, Zona e Ushtarit të Panjohur, Rruga Elbasanit, sheshi “Italia”, zona Bashkiake Nr.5, kryqëzimi tek Shkolla Kosova dhe tek ish këndi i lojërave ‘7 Xhuxhat’ tregojnë 184 μg/m3
Ndërsa zona të tjera në kryeqytet si Rruga Abdyl Frashëri 159 μg/m3 janë zonat me tejkalim me 5-6 herë të normave të lejuara të dyoksidit të azotit (norma e lejuar nga BE 40 μg/m3) kjo si pasojë e trafikut të rënduar të automjeteve.
Sipas raporteve faktorët që ndikojnë në ndotjen e janë të shumtë si mjetet motorike që është faktori kryesor dhe që luan rolin më të madh në ndotje, më pas sektorët e ndryshëm të industrie. Ekspertët e mjedisit, kanë konstatuar se duke pasur një trafik të ngarkuar dhe lëvizje të ngadaltë e shpesh herë të shoqëruar me ndalime, shkaktohet më shumë ndotje se sa do të kishim në rastin kur makina do të ecte me shpejtësi konstante. Kjo shpjegon edhe nivelet e larta të ndotjes të monitoruara në kryqëzimet e Tiranës.
“Gazrat që çlirohen nga automjetet, benzina apo nafta, janë disa herë më të rrezikshme se ato të pluhurit, pasi këto gazra futen lehtësisht në organizëm dhe shkaktojnë sëmundje të rënda. Nga ana tjetër, emetimet industriale në ajër nuk janë të njohura, nuk ka statistika publike për sasinë e ndotësit që shkarkohet në atmosferë nga njësitë industriale në vend. Për shkak të ndikimit të ndotjes nga sektori i ndërtimit dhe transportit kryesisht në Tiranë, monitorimi i ajrit dhe raportimi nga autoritetet shtetërore anashkalohet qëllimisht; në mënyrë që ndërgjegjësimi i publikut të ulet për çështje të tilla, por edhe të sigurojë një rrugëdalje të lehtë për të gjitha kompanitë private që emetojnë ndotje çdo ditë sidomos brenda qendrës së qytetit. Sektori i ndërtimit ka intensifikuar aktivitetin në qytetet kryesore të vendit si: Tiranë, Durrës, Elbasan, etj,”shpjegohet më tej në raport.
Ndërkohë një shkaktar tjetër i sipas konstatimeve është edhe djegia e biomasës së lagur dhe jashtë rregullave teknike, djegia e mbetjeve urbane në mënyre të pakontrolluar etj. Për ndotjen nga grimcat PM2.5 dhe PM10 shkaktarë janë pluhurat e ndotjes urbane nga prishjet dhe ndërtimet, mospastrimi i rrugëve sipas rregullave duke bërë larjen e tyre, mungesa e parqeve te gjelbëruara, trafiku ne zonat urbane etj.
Zhurmat
Raporti tregon se edhe efekti i zhurmave është kthyer në një fenomen shqetësues. Të dhënat tregojnë se niveli më i lartë i zhurmave vërehet në qytetin e Tiranës, është si rezultat i rritjes së vazhdueshme të dendësisë së banorëve, shtimit të qarkullimit të automjeteve, publike apo private, dhe zgjerimit të aktiviteteve të ndërtimit. Por gjetjet tregojnë se situata në kryeqytet përkeqësohet edhe nga mungesa e legjislacionit, për institucionet përgjegjëse, qoftë ato qendrore apo edhe lokale.
Matja e nivelit të zhurmës në qytetin e Tiranës është kryer në dy zona, Zona A dhe Zona B. Kjo ndarje është realizuar nga ekspertët për të pasur një pamje më të qartë të gjendjes.
“Zona A karakterizohet nga një sipërfaqe prej 85.56 ha, e ndarë në 21 nën- zona të cilat janë monitoruar nëpërmjet 77 stacioneve. Ndërsa Zona B ka një shtrirje prej 131.27 ha, e përbërë nga 46 nën- zona ku u monitoruan 124 pika stacionare. Matjet në secilën zonë janë kryer në 3 fasha të ndryshme të ditës, mëngjes, drekë dhe darkë; pra në çdo stacion janë bërë 3 matje duke çuar numrin e matjeve në total 603 (Zona A-231, Zona B-372). Pajisja e përdorur për matjen e zhurmës është e modelit CIRRUS 161B ku parametrat e matura kategorizohen sipas niveleve Leq, Lmin, Lmax dhe Lmes,” shpjegohet më tej në raport.
Gjetjet përcaktojnë se niveli i zhurmës gjatë ditës dhe natës arrin rreth 62.5 dB dhe 60 dB respektivisht, në zonën A. Ndërsa në zonën B, nivelet e zhurmës janë më të larta se standardi i lejuar, gjatë ditës dhe në këtë zonë janë monitoruar rrugët si Rr. “Kavajës”, Rr. “Durrësit”, dhe Bul. “Bajram Curri”. Raporti përcakton se Tirana është një qytet shumë i zhurmshëm dhe matjet akustike janë shumë më të larta se sa është e përcaktuar. Në të dy zonat vlerat e nivelit të zhurmës tejkalojnë dukshëm nivelet standarde të vendosura në Shqipëri, nga MMPAU dhe MSH, sipas Udhëzimit Nr.8, datë 27.11.2007, “Për nivelet kufi të zhurmave në mjedise të caktuara”, që korrespondojnë në 55 dB gjatë ditës dhe 45 dB gjatë natës.
Elbasan
Në qytetin e Elbasanit, ndotja e zhurmave vjen si pasojë e transportit, shpejtësia me të cilën lëvizin automjetet, vjetërsia e tyre dhe akset kryesore të lëvizjes. Akset më problematike janë bulevardi dhe unaza e qytetit ku kalojnë automjete të tonazheve të ndryshme me shpejtësi të lartë pranë blloqeve të banimit. Të dhënat tregojnë se në kohën e kufizimit të transportit për shkak të pandemisë rezulton se ndotja akustike por dhe e ajrit ishte shumëfish më e ulët sesa në një ditë normale, të cilat janë më të larta se standardi i BE-së dhe ai Shqiptar.
Monitorimet e kryera kanë treguar se stacionet më problematike janë ato të lokalizuara pranë kryqëzimeve dhe kantiereve të ndërtimit.
Shkodër
Në qytetin e Shkodrës ndotja vjen më së shumti nga rrugët kryesore dhe kryqëzimet ku vlerat e kalojnë limitin e lejuar 55 dB ditën dhe 45 dB natën.
Gjetjet kanë treguar se ndotësit kryesor në këtë qytet janë, transporti urban, aktivitetet tregtare, prodhuese,lokalet e natës, infrastruktura e dobët e rrugëve që nuk përballon fluksin e lartë të automjeteve.
Durrës
Qyteti i Durrësit është konstatuar më një vlerë deri diku të lartë të ndotjes akustike. Sipas raporteve zona me e ndotur është Sheshi qendror i qytetit me vlerën mesatare të matur 64.8 dB gjatë ditës, ndërsa gjatë natës vlera me e lartë e regjistruar është 63.5 dB në sheshin Pavarësia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.