Ushqim

Raporti: Luleshtrydhet dhe spinaqi të ‘mbytura’ me pesticide

Luleshtrydhet dhe spinaqi vazhdojnë të kryesojnë listën vjetore të frutave dhe perimeve që përmbajnë nivelet më të larta të pesticideve në botë, të ndjekura nga lakrat jeshile, nektarinat, mollët, rrushi dhe specat e zier dhe djegës, sipas Organizatës Environmental Working Group (Grupi i punës për çështjet ndërkombëtare të Mjedisit është një grup aktivistësh që specializohen në kërkime rreth problemeve që lidhen me mjedisin).

Në raportin e “Udhëzuesit e Blerësve 2022”, grupi ka renditur produktet që janë më të prekura nga pesticidet në Europë. Në fund të listës janë pjeshka, dardha, selino, domatja dhe avokado.

Edhe pse pjesë e listës janë disa nga produktet më të përdorura, ekspertët thonë se njerëzit nuk duhet të ndalojnë së ngrëni këto ushqime, të cilat janë plot me vitamina, minerale, fibra dhe antioksidantë të nevojshëm për të luftuar sëmundjet kronike.

“Nëse gjërat që ju pëlqen të hani janë në listën “Dirty Dozen”(produktet e pasura me pesticide futen në këtë listë), rekomandoj të blini versione organike kur të keni mundësi”, tha Alexis Temkin, toksikologe në EWG.

“Disa studime dhe prova klinike të rishikuara nga kolegët kanë parë se çfarë ndodh kur njerëzit kalojnë në një dietë plotësisht organike”, tha ajo. “Përqendrimet dhe matjet e pesticideve ulen shumë shpejt”.

Gati 70% e frutave dhe perimeve në listë nuk kishin mbetje të pesticideve të dallueshme, ndërsa pak më pak se 5% kishin mbetje të dy ose më shumë pesticideve, thuhet në raport.

Avokadot kishin nivelet më të ulëta të pesticideve në mesin e 46 ushqimeve të testuara, të ndjekura nga misri i ëmbël, ananasi, qepët dhe papaja.

I lëshuar çdo vit që nga viti 2004, raporti EWG përdor të dhënat e testeve të Departamenteve të Bujqësisë nga disa vende për të renditur 46 ushqime që janë më së shumti dhe më pak të kontaminuara me mbetje pesticidesh. Punonjësit e USDA-s e përgatisin ushqimin ashtu siç do ta bënin konsumatorët, duke larë, qëruar ose pastruar përpara se të testonin çdo artikull.

USDA nuk merr mostra të të 46 ushqimeve çdo vit, kështu që EWG nxjerr rezultatet nga periudha më e fundit e testimit.

Shumë mostra të 46 frutave dhe perimeve të përfshira në raport rezultuan pozitive për pesticide të shumta, duke përfshirë insekticide dhe fungicide. Mbi 90% e “luleshtrydheve, mollëve, qershive, spinaqit, nektarinave dhe rrushit rezultuan pozitive për mbetjet e dy ose më shumë pesticideve”, thuhet në raport.

Plot 103 pesticide të ndryshme u gjetën në lakrat dhe zarzavatet, të ndjekura nga 101 pesticide të ndryshme në specat djegës.

Në përgjithësi, “kampionët e spinaqit kishin më shumë mbetje pesticide se çdo produkt tjetër”, thuhet në raport.

“Të qenit i ekspozuar ndaj pesticideve të shumta, madje edhe në nivele të ulëta, është një problem ku çdo pesticid ka një ndikim shëndetësor”, tha Leonardo Trasande, mjek.

Rreziqet shëndetësore të pesticideve

Rreziqet shëndetësore nga pesticidet varen nga lloji, sipas Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit. Pesticidet mund të ndikojnë në sistemin nervor, të irritojnë sytë dhe lëkurën, të ndërhyjnë në sistemet hormonale të trupit ose të shkaktojnë kancer.

Pesticidi DCPA, i klasifikuar nga EPA si një kancerogjen i mundshëm për njerëzit dhe i ndaluar në vitin 2009 nga Bashkimi Europian, u zbulua shpesh në zarzavate dhe lakër, thuhet në raportin e EËG.

Foshnjat dhe fëmijët janë veçanërisht të prekshëm ndaj pesticideve, thonë ekspertët, për shkak të dëmtimit që kimikatet mund t’i shkaktojnë trurit në zhvillim. Një studim i vitit 2020 zbuloi një rritje të humbjes së IQ-së dhe paaftësisë intelektuale tek fëmijët për shkak të ekspozimit ndaj organofosfateve, një lloj pesticidi.

Hapat që konsumatorët mund të ndërmarrin

Përveç ushqimit organik, ka një sërë veprimesh që konsumatorët mund të ndërmarrin për të reduktuar ekspozimin ndaj pesticideve dhe shumë toksinave të tjera si metalet e rënda që mund të gjenden në produkte.

Shpëlajini të gjitha produktet përpara se ti shërbeni. Mos përdorni asnjë lloj solucioni për ti larë, uji është zgjidhja më e mirë, thonë ekspertët.

Zgjidhni blerjet lokale. Blerja e ushqimit që blihet drejtpërdrejt nga një fermer vendas mund të zvogëlojë rrezikun e pesticideve.

Blini në sezon. Çmimet bien kur frutat dhe perimet janë në sezon dhe të bollshme. Kjo është një kohë e mirë për të blerë ushqime organike me shumicë, më pas për t’i ngrirë ku mund t’i përdorni në të ardhmen, sugjerojnë ekspertët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë