Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shumë shpejt mund të vihet me shpatulla pas murit, për shkak të fondeve shtetërore që ai akuzohet se i ka përdorur për botimin e një libri biografik; një histori e gjatë kjo dhe ende e pazbardhur plotësisht, e cila do ta detyrojë kreun e vendit të përballet me akuzat publike në Parlamentin e Kosovës. Një raport i Komisionit Hetimor për Shpenzimet e Lobimit, i cili është përfunduar tashmë dhe javën e ardhshme shkon në Parlament, zbulon se janë të paktën 65 mijë dollarë amerikanë të dokumentuar që janë dhënë për librin biografik “New State, Modern Stateman” të Presidentit Hashim Thaçi. Dokumenti është zbuluar pjesërisht nga Gazeta Express, duke argumentuar se si Shteti i Kosovës ka dhënë para për librin personal të Presidentit.
Vetë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi vazhdon ta mohojë se ka paguar për këtë libër. Në një intervistë për Televizionin T7, ai do të deklaronte se nuk merr përgjegjësi për atë që është shkruar në këtë libër. Thaçi ka thënë gjithashtu se nuk ka paguar që të shkruhet ky libër për të, duke shtuar se çdo pretendim tjetër është gënjeshtër.

Komisioni Hetimor për Shpenzime të Lobimit deri tani e ka ftuar presidentin Thaçi gjashtë herë për të raportuar, por ky i fundit i ka injoruar të gjitha ftesat. Javë më parë, pas një mbledhjeje të këtij emisioni, kryetari Dardan Sejdiu tregoi se presidenti Thaci nuk është përgjigjur, ndërsa para komisionit kanë raportuar njerëz të afërt me të. Ndër personat që janë intervistuar deri më tani nga komisioni janë ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Citaku, ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, Ardian Arifaj, këshilltar i Presidentin Thaçi.
Sipas këtij raportit të komisionit hetimor dokumenti bëhet e ditur se 65 mijë dollarët janë paguar vetëm për fjalën hyrëse të librit të Thaçit, të shkruar nga Senatori Dole. Dhe kjo provohet nga një faturë që kompania “Alston and Bird” kishte dërguar më 18 korrik 2017 në Ministrinë e Punëve të Jashtme; faturë të titulluar “Strategic Advice and Counsel” që ngarkonte Kosovën me pagesën prej 65 mijë dollarësh.
Gjithçka duket se ka nisur nga denoncimi në media i avokatit britanik Sir Geoffrey Nice, një prej figurave më të dashura publike për shqiptarët e Kosovës menjëherë pas luftës, pasi ai ka qenë prokurori i Tribunalit të Hagës që udhëhiqte gjyqin kundër Sllobodan Millosheviçit. Nice vazhdoi të qëndronte krah shqiptarëve edhe më pas, me qëndrimin e tij kundër raportit të senatorit zviceran Dick Marty, që akuzonte direkt atëkohë kryeministrin Hashim Thaçi dhe gjithë hierarkinë e UÇK-së, për trafikim të organesh dhe keqtrajtime gjatë luftës në Kosovë.

Pikërisht për këtë arsye, Thaçi kishte kërkuar bashkëpunimin me avokatin e njohur britanik. Nëpërmjet ish-zëvendësministrit të Jashtëm Petrit Selimi, Thaçi i kishte kërkuar avokatit Nice të punonte me Qeverinë e Kosovës. Por diku marrëdhëniet janë prishur, pasi siç shkruan avokati britanik në denoncimin e tij, Hashim Thaçi i ka mbetur borxh mbi gjysmë milioni euro.
“Nuk kisha asnjë bashkëpunim profesional me Qeverinë e Kosovës, derisa më kontaktoi Petrit Selimi dhe më e pyeti nëse do të punoja për Qeverinë. U pajtova me kushtet financiare që më ofroi Selimi”, shkruan Nice në një letër drejtuar Qeverisë së Kosovës, respektivisht Avni Arifit, shef i stafit të Kryeministrit, të cilin e njofton se për këtë çështje e ka informuar edhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovës. Për disa vjet, avokati britanik ishte angazhuar duke këshilluar Thaçin, kishte ndihmuar në krijimin e një materiali të nevojshëm kur Gjykata Speciale të jetësohej, si dhe e kishte ndihmuar në një pjesë të librit biografik të Presidentit, i cili u botua së fundmi me titullin “Shteti i ri – burrështetas modern”.
Nice vazhdon të rrëfejë në letrën e tij se pasi ishte paguar për një kohë, papritmas i janë ndalur pagesat nga Qeveria e Kosovës, duke i mbetur borxh gjysmë milionë euro, të cilat tani ende po i kërkon. Pas kësaj ai kërcënonte se nëse këto pagesa nuk do të kryheshin sipas marrëveshjes, ai do të fliste publikisht në media. Nga ky komunikim nuk dihet se sa i ka kushtuar Qeverisë së Kosovës kontrata e Thaçit me dy juristët, megjithatë në të dhënat që i dërgon Nice Qeverisë, prej nëntorit të vitit 2015 deri në fund të korrikut të vitit 2016, duhej t’i paguheshin avokatit Nice 327,445.86 euro, ndërsa avokates Nevonka Tromp 162.975.01 euro (Nevonka Tromp ishte hetuese në rastin e Millosheviçit).
Duke mos iu bërë pagesat, Geoffrey Nice i ka shkruar Qeverisë së Kosovës dhe vetë Presidentit Thaçi, që disa herë i kishte premtuar se i paguan paratë, por kjo, siç ankohet Nice, nuk ka ndodhur edhe më tutje.

Nice shkruan se bashkë me Tromp ishin angazhuar për t’i dhënë këshilla Thaçit, për t’i përgatitur fjalime, aranzhuar intervista, madje duke kontribuuar në librin autobiografik të Thaçit, për të cilin Nice thotë se ka menduar që ishte për Kosovën dhe jo vetëm për Thaçin.
Avokati tregon gjithashtu se kanë përgatitur një material voluminoz sekret për Qeverinë, kur Gjykata Speciale të fillonte aktakuzat e para. “Kemi punuar që qeveria e Kosovës të mund të përgatiste materiale ku askush s’do të kishte qasje, të cilat do të përdoreshin kur individë të caktuar do të akuzoheshin nga Gjykata Speciale”, ka shpjeguar Nice.
Edhe pasi pagesat nuk i janë kryer, Nice thotë të ketë vazhduar ta ndihmojë Thaçin, sidomos në pjesën e librit të Thaçit, ku flitet për akuzat rreth trafikimit të organeve.
“Unë, duke m’u kërkuar, kam ndihmuar shkrimtarët e librit biografik të Hashim Thaçit, me historinë e akuzave të trafikimit të organeve, duke menduar se historia nuk ishte vetëm për Hashim Thaçin, por për popullin e Kosovës”, ka shkruar Nice.
Ai thotë se e ka takuar tri herë vetëm për vetëm Hashim Thaçin, madje edhe në Presidencë dhe, sipas Nice, presidenti është zotuar se do t’i kryhen pagesat. Në këtë letër të tij shihet se Nice është lodhur nga papërgjegjësia e njerëzve në qeverinë e Kosovës, e posaçërisht nga mënyra se si ata po e hidhnin topin sa te njëri sa te tjetri. Për këtë arsye ai kishte vendosur që t’u shkruante të gjithëve përnjëherësh.
“Duke ju përfshirë të gjithëve, nuk do të jetë e mundur më që t’u ikni përgjegjësive vazhdimisht” u ka thënë Nice, Enver Hoxhajt, Petrit Selimit, Abelard Tahirit, ambasadorit Lirim Greiçevci, Aridan Arifajt dhe Bashmir Xhemajt. “Gjithashtu po i dërgoj edhe ambasadorit Ruairi O’Connell, i cili ka bërë përpjekje, që në emër tonë, ta zgjidhë çështjen”, thotë më tej Nice. Ndërkohë ambasadori britanik në Kosovë, O’Connell në atë kohë do të thoshte se “kjo është një çështje mes Qeverisë së Kosovës dhe z. Geoffrey Nice”.
Nice zbulon që sipas marrëveshjes me Qeverinë, kishte punuar me persona të tjerë, madje edhe me një nga shkrimtaren e librit biografik për Thacin, Suzy Jagger, që po ashtu do të duhej të paguhej. Në bazë të këtij letërkëmbimi mësohet se, ajo çfarë Presidenti Thaci ka dashur ta paraqesë si një libër biografik të shkruar nga dy gazetarë të huaj, në fakt ka qenë një libër i porositur dhe i paguar nga ai vetë.
“Për të kryer punën për Qeverinë, sipas marrëveshjes, ne kemi bashkëpunuar me palë të tjera si Alan Donnelly dhe Suzy Jagger dhe gjithashtu Pleurat Halilin”, i kishte shkruar avokati britanik presidentit Thaçi.
“Ne besojmë se ata janë paguar. Nëse kjo ka ndodhur, ne duam të dimë pse me ne është vepruar ndryshe, kur ne kemi pasur rol kyç në punën që është kryer me këta individë”, shkruan më tej Nice.
Në këtë pikë Nice aludon që Thaçi dhe ekipi i tij e kishin anashkaluar atë, duke i kryer pagesat për libër në rrugë të tjerë. Nuk dihet se në çfarë mënyre janë kryer ato pagesa.
Avokati Nice i ka shkruar për herë të fundit edhe Presidentit Thaçi, ku i ka treguar se në një gjykatë të Kosovës ka nisur rasti për faturat e papaguara dhe ku e informon se po e prish e kontratën. “Prej 2016-ës ne jemi duke shkuar nëpër një proces për të marrë borxhin sipas ligjit të Kosovës”, i ka shkruar Nice, Thaçit. Madje, Nice, në fund të letrës e kërcënon Thaçin, duke thënë se edhe pse ka heshtur deri më tani, në rast se nuk i bëhet pagesa, do të detyrohet ta bëjë publike, e kjo sipas tij, do të dëmtojë imazhin e Kosovës. Deri tani, as Presidenca dhe as Ministria e Punëve të Jashtme, nuk kanë një qëndrim zyrtar për këtë çështje. /Express/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




