Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria e Italisë ka minuar ndjeshëm sundimin e ligjit, duke thelluar ‘recesionin demokratik’ të Europës.
Kështu thekson një raport i Unionit të Lirive Civile për Europën. Krahas Italisë, ndër vendet që nuk respektojnë ligjin pothuajse në të gjitha aspektet, raporti rendit edhe Bullgarinë, Kroacinë, Rumaninë dhe Sllovakinë.

Si po ‘minohet’ demokracia në Europë?
Në Itali, studiuesit theksuan se si qeveria e Giorgia Melonit kishte hartuar propozime për t’i dhënë “kompetenca të pafundme” ministrisë së drejtësisë mbi prokurorët, gjë që do të rriste kontrollin politik mbi gjyqësorin.
Kontribuesit italianë shënuan gjithashtu “nivele të paprecedentë të ndërhyrjes në media”.
Në Bullgari, raporti shqyrtoi se si u nisën hetimet kundër korrupsionit kundër kundërshtarëve të shquar politikë të qeverisë.
Në Sllovaki, flamuj të kuq janë ngritur për ndryshime të shumta të paraqitura nga qeveria e populistit nacionalist Robert Fico, duke përfshirë heqjen e zyrës së prokurorit qendror dhe një projektligj për agjentët e huaj “të stilit rus” që do t’u kërkonte OJQ-ve të mbanin etiketën stigmatizuese të “organizatave të mbështetura nga të huajt”, nëse marrin më shumë se 40 € nga jashtë vendit.
Në Kroaci, integriteti i sistemit të drejtësisë u pa si i dëmtuar, pas ngritjes në postin e prokurorit të përgjithshëm të shtetit të Ivan Turudiçit, një gjyqtar me lidhje të ngushta me partinë në pushtet Bashkimi Demokratik Kroat (HSZ).
Zyra e prokurorit publik evropian është ankuar për “sfidat sistematike të Kroacisë në respektimin e shtetit të së drejtës” , pasi zyra e Turudiçit duket se ka sfiduar të drejtën e EPPO-së për të hetuar një rast të dyshuar të mashtrimit kundër buxhetit të BE-së.
Në Rumani, zgjedhjet e fundit presidenciale zbuluan se si TikTok mund të lejonte një ultranacionalist pak të njohur të shkonte drejt fitores, ndërkohë që një projekt-ligj për të siguruar pavarësinë e shërbimit publik të TV dhe radios është në parlament që nga viti 2021.
Autorët e raportit paralajmëruan gjithashtu se “demokracitë model”, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, në Europën veriperëndimore nuk ishin imune ndaj problemeve. Raporti evidentoi kryesisht rritjen e kufizimeve për lirinë e shprehjes.
Burimi: The Guardian/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.