Punonjësit e sistemit të drejtësisë që ende nuk e kanë kaluar procesin e vettingut po shfrytëzojnë këtë periudhë tranzicioni për veprimtari korruptive në funksion të përfitimeve personale. Shërbimi Informativ i Shtetit vijoi me plotësimin e raportit publik për veprimtarinë e kryer përgjatë vitit të pandemisë.
“Elementë të veçantë të këtij sistemi, të cilët janë në proces verifikimi të pastërtisë së figurës në kuadër të procesit të Vettingut, po e shfrytëzojnë këtë periudhë në funksion të përfitimit personal, duke shpërdoruar detyrën kundrejt ndërveprimit korruptiv, nëpërmjet dhënies së vendimeve gjyqësore në kundërshtim me parashikimet e akteve ligjore në fuqi”, thotë SHISH në raport.
Mes gjetjeve të Shërbimit Inteligjent në raport thuhet se në sistemin e drejtësisë, prokurorë e gjyqtarë janë përfshirë në forma të paligjshme korruptive, si ushtrimi i ndikimit të paligjshëm, ndërveprimi korruptiv me qëllim lehtësimin e pozitës së të pandehurve përmes zbutjes së masave të sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie, ose duke aplikuar dënime alternative.
SHISH vëren se korrupsioni ishte i përhapur edhe në sektorë të tjerë të administratës shtetërore dhe gjatë pandemisë. “Edhe gjatë kësaj periudhe, korrupsioni ka vijuar në sistemin e drejtësisë, por edhe në disa sektorë të administratës shtetërore, ku konstatohet se palët ndërveprojnë të nxitura nga interesi i përfitimit të përbashkët”, thuhet në raport.
Në lidhje me krimet ekonomike, SHISH vëren se veprat më të përhapura janë kontrabanda me mallra të akcizës, evazioni fiskal dhe cenimi i sigurisë ushqimore përmes tregtimit të mallrave të skaduar, ose jocilësorë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



