Ana e errët

Raporti i Prokurorisë: Hashashi problem në 2019; vjedhja vepra më e përhapur

Kultivimi i hashashit ka qenë një problematikë serioze në të paktën katër qarqe përgjatë vitit 2019. Kryeprokuroria Olsian Çela fajësoi për këtë bashkëpunimin e dobët mes prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, informalitetin e lartë dhe mungesën e një praktike të unifikuar në hetimin e këtij krimi.

Çela përmendi Qarqet Vlorë, Gjirokastër, Shkodër si dhe rrethin e Krujës në Qarkun e Durrësit si pikat kryesore të kultivimit të kanabisit përgjatë vitit 2019. Ai u pyet në Komisionin e Ligjeve nga ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj mbi arsyet e këtij fenomeni dhe se çfarë ka bërë prokuroria për t’iu kundërvënë këtij aktiviteti të paligjshëm.

Kryeprokurori Çela përdori një gjuhë të moderuar për t’i kaluar një pjesë të mirë të fajit Policisë së Shtetit dhe Policisë Gjyqësore, të cilat sipas asaj që nënkuptoi dorëzonin në prokuroria dosje të paplotësuar dhe pa prova të mjaftueshme.

“Kemi vënë re një rritje të kultivimit të kanabisit në Vlorë, Krujë, Gjirokastër dhe Shkodër. Pse ka ndodhur? Dua të bëj një analizë paraprake jo vetëm brenda strukturës së Prokurorisë por edhe Policisë së Shtetit, për të kuptuar cilat kanë qenë masat parandaluese nga ana e tyre në këto qarqe. Cila ka qenë përgjigja e Prokurorisë në raport me referimet që kanë bërë dhe si ka qenë efikasiteti i bashkëpunimit mes Prokurorisë dhe Policisë përgjatë vitit 2019? E them këtë sepse janë pikërisht këto elementë që nga analiza që zhvillova në rrethet gjyqësore ua kërkova prokurorëve që t’i evidentonin dhe të cilat nuk ishin evidentuar. Nuk ka sot një dokument zyrtar të përpiluar nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria për të analizuar shkaqet se pse ka ndodhur”, u shpreh ai.

Përveç bashkëpunimit të dobët, informaliteti u radhit si pengesa tjetër kryesore në hetimet e Prokurorisë për kundër parave të pista, një pjesë e mirë e të cilave sigurohen edhe nga aktiviteti i mbjelljes së hashashit.

“Ky nivel informaliteti e bën të vështirë hetimin efikas. Ne nuk kemi sot një analizë të saktë se prokurorët dhe oficerët që janë të angazhuar në luftën kundër pasurive të krimit, trajnime kanë marrë. Ne vazhdojmë të kemi probleme serioze”, u shpreh ai.

Në këtë pjesë, kryeprokurori fajësoi edhe sistemin gjyqësor, që në disa raste ka rrëzuar prokurorinë duke u rikthyer pasurinë e sekuestruar personave nën hetim për pastrim parash. Ai foli për mënyra, praktika dhe interpretime të ndryshme të ligjit nga gjyqtarë të ndryshëm.

Megjithatë, Çela deklaroi se procedimet penale kanë pësuar një ulje me 3 për qind në 2019 në krahasim me 2018, ndërkohë që një e treta e krimeve dhe kundërvajtjeve penale janë klasifikuar si vjedhja.

Rrethi me kriminalitetin më të lartë është raportuar Vlora, Dibra me kriminalitetin më të ulët. Ndërkohë, një rritje me pak më shumë me pak më shumë se dy herë kanë pësuar procedimet penale për veprën e terrorizmit. Përgjatë 2019 prokuroria ka regjistruar dhjetë dosje të tilla, ndërkohë që në 2018 ishin vetëm katër. Një pjesë e mirë e këtyre procedimeve lidhen me persona të rikthyer që luftuan për ISIS-in në Siri.

Këto dosje, sipas prokurorisë, kanë të dhëna hetimore për tentativë për akte terroriste, rekrutim të meshkujve dhe fëmijëve, financim e stërvitje të rekrutëve dhe nxitje të terrorizmit. Mes dosjeve të procedura ndodhet edhe ajo e celulës iraniane që synonte ndërmarrjen e sulmeve terroriste kundër muxhahedinëve të MEK-ut që strehohen në kampin e Manzës në Shqipëri.

Ndërkohë, sipas raportit të dorëzuar në Kuvend, vepra penale më e përhapur është vjedhja, që zë 31 për qind të totalit të rreth 44 mijë procedimesh, që do të thotë se përgjatë 2019 janë regjistruar rreth 15 mijë procedime për vjedhje.

Rritje përgjatë 2019 kanë shënuar edhe krimet seksuale me rreth 40 për qind më shumë se në 2018 e po ashtu edhe rastet e pengmarrjes. Megjithatë, në shkallë vendi raporti vëren se niveli i kriminalitetit ra me 3 për qind, duke numëruar 1072 krime për 100 mijë banorë, nga 1094 po për 100 mijë banorë që ishin në 2018.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë