Nga Gazeta ‘Si’- Hapja e grupkapitujve për anëtarësimin në Bashkimin Europian duket hapi më i lehtë deri tani për Shqipërinë, por vlerësimi i parë nga Brukseli për ecurinë e grupkapitullit më kryesor, të quajtur “Themeloret”, po tregon se vendi ka një rrugë të vështirë përpara.
GazetaSi.al ka siguruar të plotë materialin konfidencial të Komisionit Europian, i cili u është shpërndarë disa institucioneve në Shqipëri për të deklaruar pozicionet e tyre.
Ky dokument do t’i vendoset në dispozicion Këshillit Europian, pra vendeve anëtare, për të bërë, siç thuhet në raport, “një pasqyrë të përgjithshme të progresit të Shqipërisë në grupkapitullin e Themeloreve.”
Kjo përqendrohet veçanërisht në kapitujt 23, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore” dhe kapitullin 24 “Drejtësia, liria dhe siguria”- thuhet në raportin konfidencial, të siguruar nga Gazetasi.al.
Në 18 faqe analizë të ecurisë së “Themeloreve”, vlerësohen disa arritje, kryesisht për SPAK-un, por problemet dhe shqetësimet janë madhore. Siç theksohet dhe në raportin paraprak të Komisionit Europian, “progresi në grupin e Themeloreve do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave”.
Vëmendja kyçe do të shkojë për kapitujt 23 dhe 24, përkatësisht, Gjyqësori dhe Liritë. Shqipëria e ka pranuar që prej nisjes së negociatave të anëtarësimit se, pa bërë progres në këto dy pika, nuk do të mbyllet asnjë kapitull. Periudha e raportimit përfshin kohën që nga Shtatori 2024 deri në zgjedhjet e 11 Majit për të cilat nuk ka një vlerësim të posaçëm, por i referohet deklaratës zyrtare nga Përfaqësuesja e Lartë Kallas dhe Komisionerja për Zgjerimin, Kos. E përmbledhur në një fjali, vlerësimi i Komisionit Europian për vetëm dy kapitujt, 23 dhe 24, kërkon “punë të mëtejshme dhe angazhim politik në tre drejtime kyçe:
- Thellim i reformave
- Konsolidim i arritjeve
- Adresim i mangësive në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, menaxhimin e migracionit, lirinë e medias dhe të drejtat e tjera themelore.
GazetaSi.al po veçon disa nga pjesët kryesore të materialit konfidencial të Komisionit Europian, ku jepen më shumë detaje për problemet kyçe në kapitujt 23 dhe 24.
Shumë probleme në gjyqësor
Në lidhje me gjyqësorin, kapitullin 23, thuhet se “Shqipëria vazhdoi zbatimin e reformës gjyqësore, duke forcuar pavarësinë gjyqësore dhe autonominë e prokurorisë”. Në raport vlerësohet përmbyllja e procesit të vetingut, por ngrihet shqetësimi për forcimin e cilësisë dhe efikasitetit të drejtësisë, promovimeve në detyrë, transferimit dhe llogaridhënia e institucioneve. Në raport preket edhe vakanca e shumëdiskutuar në kupolën e drejtësisë. “Shqipëria duhet të sigurojë rinovimin në kohë dhe të bazuar në meritë në vitin 2025 të pozicioneve të nivelit të lartë në sistemin gjyqësor, veçanërisht emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe Strukturën e Specializuar kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).”- thuhet në raportin paraprak të Komisionit Europian. Siç ka raportuar më parë Gazeta Si, mungesa e vetingut për anëtarët jo magjistratë të institucioneve të drejtësisë, është kthyer në një shqetësim për BE. “Nuk pati zhvillim dhe sfidat vazhdojnë në harmonizimin e dispozitave për verifikimet e të dhënave dhe deklarimin e pasurisë për emërimin e anëtarëve jo-magjistratë të KLGJ-së dhe KLP-së me rregullat për magjistratët. “- thuhet në raport. Gjatë kohës së marrrjes në analizë, mes maxhorancës dhe opozitës u zhvillua debati për moszbatimin e vendimeve nga ana e PS të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, si dhe të debatit për mbarimin e mandatit të Kryetares së GJK apo 2-3 anëtarëve të tjerë. Kjo gjë nuk i ka shpëtuar analizës së Brukselit. “Gjykata Kushtetuese vazhdoi të funksionojë në mënyrë efektive, ndërsa mungesa e respektimit nga Parlamenti të disa vendimeve të saj dhe pasiguria ligjore gjatë kohëzgjatjes së mandateve të anëtarëve të saj përbëjnë shqetësim.”- thuhet në raport.
Presion mbi drejtësinë
Një nga pikat e forta të këtij raporti është vënia në dukje e presionit të politikës mbi drejtësinë. Raporti i referohet rastit të arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe reagimeve që pasuan, veçanërisht nga kryeministri Rama dhe protestat para SPAK-ut. Në raport nuk përmenden emra, por ngjarja e arrestimit në shkurt është ende e freskët. “Ndërsa qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar në përgjithësi, përpjekjet në rritje nga zyrtarët publikë ose politikanët për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të padrejtë mbi sistemin gjyqësor i përkeqësuan shqetësimet. Hetimi dhe arrestimi i një zyrtari të zgjedhur, i konfirmuar nga Gjykata e Strukturës së Specializuar kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) në shkurt 2025, shkaktoi reagime të papara publike nga degët ekzekutive dhe legjislative, përfshirë përpjekjet për të ushtruar presion mbi SPAK-un dhe institucionet gjyqësore. Kjo ngre shqetësime serioze. SPAK publikoi dy letra ankesash drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për mosforcimin e sigurisë dhe mossigurimin e sigurisë së personelit të SPAK gjatë një proteste jashtë ambienteve të SPAK. “- thuhet në raportin konfidencial të Komisionit Europian. Analiza për cilësinë dhe efikasitetin e drejtësisë tregon nivelin e pakënaqshëm të Shqipërisë. Efikasiteti vazhdoi të ndikohet negativisht nga rritja e kohëzgjatjes së procedurave dhe një numër i lartë çështjesh të prapambetura që janë rritur më tej, si dhe nga mungesa e progresit në emërimin e kryetarëve të gjykatave. Masat vendimtare për të rritur efikasitetin ende nuk janë miratuar. “- thuhet në raport, ku, për herë të parë vihet në pikëpyetje puna e Komisionit të Posaçëm Parlamentar.
“Një plan gjithëpërfshirës për efikasitetin e sistemit të drejtësisë ende nuk është miratuar nga KLGJ-ja dhe shqetësimet vazhdojnë nëse propozimet ligjore të paraqitura në Parlament në lidhje me efikasitetin janë në përputhje me standardet evropian.
Antikorrupsioni, shumë pikë për SPAK, por…
Raporti konfidencial i Komisionit Europian për dy kapituj kyçë të megociatave, nga ecuria e të cilëve varet mbyllja e kapitujve të tjerë, verëson me nota të larta punën e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit. “SPAK-u konsolidoi më tej kapacitetin e tij në luftën ndaj korrupsionit me rezultate pozitive, duke bërë që SPAK-u të ketë bërë përparim të prekshëm drejt një rekordi të fortë në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në nivele të larta, dhe përdorimi i hetimeve financiare dhe konfiskimeve të aseteve është përmirësuar “- thuhet në raport, ku flitet më tej për problemet, kryesisht për mangësitë në parandalimin e korrupsionit. Legjislacioni mbetet kompleks dhe i paplotë.
Pritet punë e mëtejshme për përafrimin e ligjeve për lobimin, donacionet dhe financimin e partive politike me standardet evropiane. Institucionet e ngarkuara me parandalimin e korrupsionit duhet të rrisin më tej kapacitetin, efektivitetin dhe rezultatet e tyre. Përveç SPAK-ut që ka rezultste pozitive në hetime, strukturat e tjera kundër korrupsionit vazhduan të përballen me sfida në zbulimin dhe hetimin efektiv të korrupsionit. Policia e shtetit vazhdon të mbetet shumë e ndjeshme ndaj korrupsionit.”- thuhet në raport. Një problem tjeyër që nxjerr raporti, duke përfshirë edhe SPAK-un është rënia e konfiskimit te aseteve për krime të lidhura me korrupsionin. “Numri i referimeve në SPAK nga autoritetet e tjera mbetet përgjithësisht i ulët dhe duhet të rritet.- thekson raporti, ku përmendet edhe miratimi në dhjetor i strategjisë së re antikorrupsion, por duke vënë në dukje se nuk është demonstruar zbatim efektiv për te patur rezultate, mekanizma monitorimi dhe koordinim institucional. Në lidhje me hetimet financiare vihet në dukje seShqipëria ende nuk ka demonstruar një praktikë të besueshme dhe të qëndrueshme të nisjes së hetimeve financiare paralele në rastet që lidhen me krimin e organizuar. Kapacitetet e shërbimeve të prokurorisë dhe autoriteteve të zbatimit të ligjit për të kryer sistematikisht hetime financiare së bashku me procedurat penale duhet të rriten.”. Raporti analizon me tone kritike edhe luftën kundër drogës. Megjithëse vëren se “ka një trend pozitiv në rastet e lidhura me drogën në numrin e vendimeve gjyqësore dhe dënimeve përfundimtare,” raporti thekson se “u zhvilluan më pak hetime dhe akuza.”. Po ashtu, në raport thuhet se, krahasuar me voton 2023, “ka një trend në rënie në sekuestrimin e drogës në vitin 2024 ose 35% më pak narkotikë të sekuestruar.
Media, sa shumë probleme
“Sa i përket lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, Shqipëria pritet ende të miratojë një reformë të plotë të kuadrit ligjor dhe rregullator, në veçanti forcimin e pavarësisë dhe efikasitetit të Autoritetit të Medias Audiovizuale (AMA) dhe pavarësinë e transmetuesit publik, të cilat mbeten çështje shqetësuese. “. Kështu nis analiza e Komisionit Europian për median, duke treguar edhe rrugën e ndërhyrjeve që duhen bërë për të rritur pavarësinë e saj.
“Ndryshimet ligjore duhet të miratohen gjithashtu për të adresuar shqetësimin e përqendrimit të lartë të tregut mediatik, për të forcuar pavarësinë editoriale, për të forcuar transparencën e financimit dhe pronësisë së medias, për të futur rregulla mbi ndarjen e reklamave shtetërore dhe burimeve të tjera shtetërore, për të dekriminalizuar shpifjen dhe për të përafruar aspektet civile të saj me standardet evropiane, për të shkurtuar afatet e aksesit në informacion për gazetarët, për të zbatuar një matje transparente dhe të paanshme të audiencës, në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet evropiane bazuar në një dialog gjithëpërfshirës me komunitetin e medias. Ndryshimet legjislative pritet të ndahen me Komisionin e Venecias para miratimit.”
Për herë të parë, Komisioni Europian bën komente edhe për shkarkimin në bllok të Këshillit Drejtues të RTSH pak pak zgjedhjeve. Shkarkimi nga Parlamenti i të gjithë anëtarëve të Këshillit Drejtues të transmetuesit publik dhe përzgjedhja dhe emërimi pasues i anëtarëve të rinj rriti më tej shqetësimet në lidhje me pavarësinë e transmetuesit publik, duke përfshirë rrezikun e ndikimit politik në emërime. Përveç kësaj, respektimi i të drejtës përqasje në informacion, e cila ndikoi negativisht te gazetarët në një mënyrë disproporcionale, duhet të forcohet më tej.”- thuhet në materialin konfidencial të Komisionit Europian për ecurinë e dy kapitujve kryesore të negociatave.
Shumë detyra për Parlamentin e ri
Kur analizon funksionimin e institucioneve, Komisioni Europian thekson polarizimin e fortë mes maxhorancës dhe opozitës në Kuvend, si dhe ngre shqetësime të rëndësishme për Parlamentin. “Mbikqyrja e ekzekutivinga Parlamenti mbeti e dobët. Parlamenti vazhdoi të dështonte në emërimin e kryetarëve dhe anëtarëve të disa institucioneve. Polarizimi politik vazhdoi të ndikojë në punën parlamentare. Anëtarët e Parlamentit nga partia kryesore e opozitës ndoqën taktika penguese dhe bllokuese, duke çuar në masa disiplinore kundër disa prej tyre“- thuhet në raport, në të cilin shfaqet dbe pritshmëria e Brukselit për legjislaturën e re.
Nevojitet dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në Parlament. Parlamenti ende duhet të zbatojë disa nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese”. Komisioni Europian pret nga Parlamenti i ri edhe disa velrime të tjera që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore dhe bashkëpunimin ndërpartiak. “Rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, mangësitë në legjislacionin mbi median në fushatat zgjedhore, mbikqyrja e kufizuar parlamentare mbi ekzekutivin, polarizimi dhe mungesa e dialogut gjithëpërfshirës dhe ndërpartiak, mbeten për t’u adresuar. Legjislacioni mbi median në fushatat zgjedhore duhet të forcohet, duke përfshirë adresimin e dezinformimit dhe sigurimin e mbulimit dhe monitorimit të pavarur të medias gjatë zgjedhjeve, si dhe kufizimin e përdorimit të përmbajtjes së prodhuar nga partitë në lajme.
Nevojiten ende veprime më konkrete për të përfunduar kuadrin legjislativ mbi financimin e partive politike dhe financimin e fushatave zgjedhore në përputhje me standardet evropiane, si dhe për të konsoliduar zbatimin e tij.”- thuhet në raportin konfidencial të Komisionit Europian për ecurinë e dy kapitujve kyç për negociatat e anëtarësimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.