Mjedis

Raporti i OKB: Në të ardhmen zjarret ekstreme do të jenë më të shpeshta

Zjarret ekstreme do të bëhen më të shpeshta, duke u rritur me rreth 50% deri në fund të këtij shekulli, sipas një raporti të ri të OKB-së.
Raporti zbulon se ekziston një rrezik i lartë në Arktik dhe rajone të tjera të paprekura më parë nga zjarret. Shkencëtarët i përcaktojnë zjarret ekstreme ato që ndodhin afërsisht një herë në njëqind vjet. Studiuesit thonë se rritja e temperaturave dhe ndryshimet në mënyrën se si ne përdorim tokën do të nxisin rritjen e zjarreve. Studimi i ri bën thirrje për një rishpërndarje radikale të burimeve financiare nga luftimi i zjarreve në parandalimin.
Shkencëtarët nga Programi i OKB-së për Mjedisin (UNEP) thonë se zjarret e mëdha vitet e fundit kanë filluar të “prekin” zonat e largëta veriore, në tokat e tharjes së torfës dhe në shkrirjen e ngricave të përhershme. Ky studim i fundit thotë se do të ketë një rritje globale të zjarreve në 14% deri në vitin 2030, krahasuar me numrin e regjistruar në vitet 2010-2020. Rritja mund të arrijë në 30% deri në vitin 2050 dhe 50% në fund të shekullit.

Foto ilustruese-Tymi pas fikjes së zjarreve në Siberi.

Dhe megjithëse studimi bën vetëm parashikime për ngjarjet ekstreme, autori i studimit, si Andrew Sullivan nga Organizata e Kërkimeve Shkencore dhe Industriale të Commonwealth (CSIRO) në Canberra, Australia, thotë se incidentet më të vogla të zjarreve do të rriten gjithashtu me ndryshimin e përdorimit të tokës dhe rritjen e popullsisë. Kjo mund të ketë implikime të rëndësishme për ndryshimin e klimës pasi djegia shtesë do të rrisë sasinë e karbonit të emetuar në atmosferë.

Megjithatë, në Afrikë, ku ndodhin rreth dy të tretat e zjarreve në botë, ka të ngjarë të ketë më pak zjarre në dekadat e ardhshme pasi një popullsi në rritje po pastron më shumë zona pyjore për tokë bujqësore.

“Në Afrikë, numri i zjarreve po zvogëlohet, për shkak të ndryshimit të përdorimit të tokës dhe intensifikimit të bujqësisë. Përqindja jonë e sipërfaqes së djegur në fakt po zvogëlohet dhe zjarret tona po bëhen gjithnjë e më të vogla, për shkak të reduktimit të ngarkesës me karburant,” tha Glynis Humphrey nga Universiteti i Cape Town.

Autorët u bëjnë thirrje qeverive të ndryshojnë modelin e tyre të shpenzimeve për zjarret e mëdha. Tani për tani, studimi thotë se planifikimi dhe parandalimi merr më pak se 1% të financimit ndërsa shuarja e zjarrit merr mbi gjysmën e buxhetit në dispozicion. Shumë qeveri kanë qëllime të mira për sa i përket shpenzimeve më shumë për planifikimin dhe parandalimin – por realiteti në terren është i ndryshëm.
Burimi: BBC/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë