Partia Demokratike e lexon raportin e Moody’s si një zgjatim të raporteve të tjera ndërkombëtare, ku nuk renditet asgjë pozitive në lidhje me ekonominë shqiptare.
Ish-deputetja Jorida Tabaku thotë se Moody’s nxjerr në pah kalbëzimin e Qeverisë nga korrupsioni, duke kundërshtuar Ministrinë e Financave, që e interpreton këtë raport si vlerësues dhe tregues i qëndrueshmërisë së ekonomisë shqiptare në sytë e tregjeve ndërkombëtare.
“Gënjeshtra u është bërë ves dhe ai del me shpirtin politik. Raporti i fundit i Moody’s nuk ka bërë ASNJË renditje pozitive por vlerësimin e ekonomisë. Ashtu si raportet e tjera ekonomike nga FMN tek OECD flasin për një kalbëzim të qeverisë nga korrupsioni. Moneyval flet për pastrimin e parave dhe e ka klasifikuar Shqipërinë në listën gri, Banka Botërore dhe BERZH raportojnë për një krizë të thellë ekonomike dhe recesion me 9 për qind rënie”, thotë ish-deputetja Tabaku.
Tabaku kërkon nga Qeveria që të pranojë dështimin dhe të marrë masa për të ndihmuar njerëzit në vend të “avazit”, siç e quan, të vjedhjes dhe gënjeshtrës.
“Gënjeshtrat e përditshme dhe propaganda nuk e shndërrojnë të zezën në të bardhë. Ndryshimi është i pandalshëm. Kohë më të mira do të vijnë për shqiptarët dhe biznesin. Grabitësit dhe xhandarët e ekonomisë do të marrin përgjigjen e merituar”, deklaron ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



