Mjedis

Raporti i mjedisit zbulon lumenjtë dhe plazhet e ndotura

Sipas raportit të fundit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit të siguruar nga Gazeta “Si”, edhe uji është një tjetër problem në vendin tonë. Të dhënat nga ekspeditat e kryera janë të një cilësie shumë të mirë, por është vënë re një impakt i lartë i shkarkimeve që shkon në lumenj, pa asnjë lloj filtrimi paraprak, nga mbetjet urbane industriale e bujqësore duke ndikuar në cilësinë e ujërave sipërfaqësore.

Të dhënat tregojnë se lumenjtë më të ndotur në Shqipëri janë Lumi i Tiranës me stacionet e monitorimit më të ndotura në Yrshek, ish-dogana, Ura Rinas, Ura e Gjolës dhe Ura Salmet, më pas vijon me Lumin e Shkumbinit në stacionin e monitorimit më të ndotur si Ura e Rrogozhinës, Lumi Gjanica dhe Lumi Seman. Raporti vlerëson se kjo situatë e lumenjve kryesorë në vendin tonë ka impakt gjithashtu në cilësinë e ujërave nëntokësore, në cilësinë e deteve dhe në ekosistemet ujore. Nga vlerësimet ka rezultuar se ujërat e Basenit të Matit klasifikohen në klasën e tretë dhe jo shumë të mirë, për shkak të nevojës biokimike për oksigjen në stacionin e Fanit të Vogël. Ndërsa Baseni i Semanit klasifikohet në gjendje shumë të keqe për shkak të stacionit të urës së qytetit të Fierit, ku kanë impakt shumë të madh shkarkimet urbane dhe industriale.

Problematike në raport shfaqen edhe lagunat, pasi është vënë re një prani e lartë e lëndës organike dhe inorganike, duke sjellë kështu degradimin e qëndrueshmërisë së këtyre ekosistemeve.

Plazhet
Për sa i përket plazheve raporti tregon se vendet më të ndotura janë Plazhi Zhiron (Kështjella), Pas Kanalit (Plepa) në Durrës, Shkolla e Marinës, Plazhi Vjetër K.Pionieri në Vlorë, të cilët u kategorizuan me cilësi të keqe, pasi janë vënë re derdhje të lira të ujërave të zeza në det. Ndërsa, Plazhi Vjetër, Kabinat, u kategorizua me cilësi të mjaftueshme. Sipas raportit, ndotja e ujërave bregdetarë vjen gjithashtu nga shkarkimet urbane të patrajtuara. Një tjetër faktor që ndikon në ndotjen e plazheve janë edhe turistët me veprimtaritë e tyre jo higjienike. Për sa i përket monitorimit të dy treguesve bakteriologjikë Enterococcus Intestinalis (IE) dhe Eschericchia Coli (E.Coli), të gjitha plazhet e monitoruara kishin një nivel më të mirë se vitet e tjera. Të dhënat kanë treguar se stacionet e "kategorisë së mirë", për plazhet e monitoruara gjatë vitit të kaluar, kanë pasur rritje të cilësisë në krahasim me vitet 2014-2017.

Ujërat nëntokësore
Të dhënat kanë treguar se luhatja e nivelit të ujërave nëntokësore, lidhet më së shumti me ndryshimet stinore dhe efektet e shfrytëzimit. Ndryshimet stinore që kanë të bëjnë me kushtet klimaterike shprehen me ngritjen e nivelit të ujit në muajin dhjetor-mars. Niveli maksimal varion nga - 0.6 - 14.65 m, ndërsa niveli minimal varion nga - 1.6 - 17.1 m. Gjithashtu, është vënë re se niveli i ujërat nëntokësorë është më i lartë se vitet e mëparshme, megjithëse vërehen luhatjet më të mëdha të amplitudës.

Monitorimi i TOC (Total organik karbon) dhe TN (Total Azot)
Për sa i përket këtyre komponentëve, lumenjtë me të ndotur janë Lana, Lumi i Tiranës, Gjanica, Ishëm, Vjosa në pikën monitoruese 46(AL70R_Vj50). Shkumbin në pikën monitoruese 29(AL50R_Sh80) dhe Erzeni pikën monitoruese 68(AL40R_Er50 ). Ndërsa, lumi me cilësinë më të mirë është Vjosa në pikat moituoruese 44(AL70R_Vj40 ). Sipas të dhënave, frekuencat e këtyre parametrave kanë ndryshime të herëpashershme. Vlerat e larta të TN janë konstatuar në 47.75 përqind të pikave të monitoruara, ku forma kryesore e azotit është amoniaku, nitritet, nitratet dhe komponimet organike të azotit. Sipas ekspertëve ljo gjë tregon më së qarti se notja vjen nga shkarkimet urbane, industriale dhe bujqësore. Një tjetër shkaktar i lumenjve është konstatuar edhe erozioni i tokës nga shpyllëzimet. Të dy treguesit si TN dhe TOC, janë gjetur më së shumti në zonat e zhvilluara dhe me popullsi të lartë si Tiranë, Fier, Fushë-Krujë, Elbasan, Lezhe.
Për sa i përket prurjeve ujore, ekspertët kanë konstatuar se lumenjtë e Shqipërisë paraqesin një potencial ujor të larmishëm i cili kontrollohet, disiplinohet dhe menaxhohet duke u vënë në dispozicion të bujqësisë, industrisë dhe drejtimeve të tjera të ekonomisë në dobi të komunitetit. Kryesisht faktorët natyrorë që ndikojnë në sasinë e prurjeve ujore janë faktorët metorologjike, pjerrtësia e relievit në brigjet e lumit, shkalla e zhveshmërisë së pellgut ujëmbledhës.

Monitorimi për Klorofil-A, Azot dhe Fosfor
Për sa i përket këtyre elementëve, ekspertë kanë konstatuar se gjendja trofike në pikat e monitoruara është shumë e mirë, përveç dy pikave të monitoruara gjatë vitit të kaluar, si Porti i Shëngjinit, ku ka vlera të larta të përqendrimit të klorit, me një rritje nga 1.8847 µg/l në fazën e parë, në 2.9714 µg/l në fazën e dytë, për shkak se kohët e fundit është mbipopulluar gjiri i Shëngjinit pasi ka qenë edhe sezoni turistik dhe janë shtuar aktivitetetet ekonomiko-industriale. Gjithashtu, edhe në Porto Romano nga 0.7163 µg/l në fazën e parë, në 3.1826 µg/l në fazë e dytë, ku gjendja trofike është pak më e mirë për shkak të kanalit të hidroforit, që mbledh ujërat e përdorura nga bujqësia dhe kimikatët pa u filtruar më parë. Ndër të tjera është vënë re nga ekspertët se ka një rritje, edhe të përqendrimit dhe azotit e fosforit në ujërat e monitoruar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë