Treguesi i kredive me probleme zbriti në 5.27% në korrik nga 5.32% që kishte qenë në qershor, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë.
Edhe me bazë vjetore treguesi i kredive me probleme vijon të shfaqë një tendencë rënëse, nga niveli 7.05% ku qëndronte në korrik të vitit të kaluar.

Raporti i kredive me probleme është ende sipër nivelit prej 5.24%, të shuar në muajin mars të këtij viti dhe që përfaqëson pikën më të ulët të këtij treguesi që prej vitit 2009.
Banka e Shqipërisë në deklaratën e fundit të stabilitetit financiar evidentoi se në muajt e fundit është vërejtur një ngadalësim i rritjes së kredisë, ashtu si edhe i depozitave. Rritja më e ngadaltë e kredisë mund të ketë një efekt frenues në uljen e raportit të kredive me probleme.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë nënvizoi se veçanërisht kriza e çmimeve të energjisë që ka përfshirë Europën mund të shtrojë rreziqe të konsiderueshme për rritjen ekonomike edhe në Shqipëri. Kjo mund të shoqërohet me përkeqësim të aftësisë paguese dhe me rritje të treguesit të kredive me probleme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



