Nga Gazeta Si- Auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka gjetur shkelje të ligjit në aktivitetin e Spitalit Universitar të Traumës. Në raportin e publikuar më 11 shtator, KLSH referuar rezultateve të kontrollit që u krye në këtë institucion në periudhën nga 16 janar-14 prill 2023, thuhet se shkeljet kanë të bëjnë më së shumti me abuzime të fondeve për blerjen e medikamenteve, materialeve mjekësore etj.
Auditi u krye për periudhën kohore 1 janar 2021-31 dhjetor 2022. Nisur nga gjetjet e auditimit, KLSH në raportin e saj i ka rekomanduar ministrisë së Shëndetësisë të marrë masa të menjëhershme për shkarkimin e drejtoreshës së SUT, Edlira Bode dhe zinxhirit përgjegjës të vartësve të saj për shkeljet e konstatuara.
Po cilat janë shkeljet e konstatuara në raportin e KLSH për drejtuesit e spitalit të Traumës ose siç njihet ndryshe ish-spitali Ushtarak?
Barna e materiale mjekimi stok të skaduara, dëmi 9 mln lekë
Nga auditimi rezulton se deri në fund të periudhës së auditimit në magazinën e farmacisë së SUT, gjendet një stok i konsiderueshëm medikamente dhe materiale mjekimi të skaduara, të shkaktuara si pasojë e planifikimit dhe menaxhimit jo eficent nga strukturat përgjegjëse të SUT dhe kërkesave të shefave të shërbimit.
Si pasojë e planifikimit dhe keqmenaxhimit përgjatë vitit 2021 dhe 2022 kanë skaduar dhe janë gjendje në farmacinë qendrore të SUT barna në vlerën totale 2,014,241 lekë.
Përveç barnave te skaduar ne farmacinë qendrore një sasi e konsiderueshme e barnave te skaduar gjendet dhe në shërbime që kap vlerën 7,261,179 lekë.
Në magazinën e farmacisë së Spitalit të Traumës dhe në pavijone deri në fund të periudhës së auditimit, gjendet një sasi me medikamente te skaduara në vlerën totale 9,275,420 lekë, e cila përbën një shpenzim jo eficent për SUT duke sjellë një efekt financiar negativ për buxhetin e shtetit.
Në raportin e KLSH thuhet se kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së koordinimit të grupit të punës, përgjegjësve të farmacisë dhe shefave të shërbimeve për hartimin e listës së barnave dhe materialeve të mjekimit, gjatë fazës së planifikimit të nevojave të tyre për barna dhe materiale mjekimi.
Nga verifikimi fizik i kryer në zyrën e kryeinfermierit të bllokut operator qendror nga grupi i auditimit të KLSH, më datë 23.03.2023 rezulton se në këtë ambient gjendej një sasi e konsiderueshme materialeve ortopedike të pajustifikuara dhe të pa inventarizuara nga strukturat përgjegjëse të SUT.
Materialet ortopedike që gjendeshin në këtë ambient ishin materiale ortopedike te llojit Proteza dhe sinteza, të cilat kishin vlerën ekonomike 35,228,087 lekë.
Sasia edhe vlera e këtyre materialeve është pothuajse e barabartë me vlerën e materialeve ortopedike që prokurohen me Marrëveshje Kuadër nga SUT gjate një viti.
“Këto materiale duhej të ishin në farmacinë e SUT dhe jo gjendje ne zyrën e kryeinfermierit. Gjendja stok e këtyre materialeve ne zyrën e kryeinfermierit dhe mungesa e informacionit për sasinë, gjendjen dhe vlerën financiare te tyre ngarkon me përgjegjësi Drejtorin e Përgjithshëm, pasi ka vepruar në mospërputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe detyrat e përcaktuara ne rregulloren e brendshme të SUT”, thuhet në raportin e KLSH.
Mungesa e ambjenteve të morgut pranë SUT
Nga auditimi rezulton se SUT nuk ka ambient dhe nuk është i pajisur me frigorifer-morg, për të bërë administrimin e trupave të pacientëve që ndërrojnë jetë në SUT.
“Në vitin 2021 pranë këtij spitali kanë ndëruar jetë 90 pacient. SUT nuk ka krijuar ambiente të përshtatshme për të ushtruar veprimtarinë e tyre ligjore sipas ligjit në fuqi.
Më tej, në raport përmendet si shkelje e rëndë gjetja nga auditimi, për periudhën 2 vjeçare 2021-2022 i 2,680 recetave të lëshuara për pacientët e shtruar në pavijonin e ortopedisë, receta të njëjta me ato që lëshohen në sistemin parësor (për pacientët jo të shtruar në spital) për materiale ortopedike që nevojiten për këta pacientë sipas diagnozës që gjendet në kartelat mjekësore të tyre.
Sipas raportit të KLSH, shkëmbimi i materialeve ortopedike të grupit sinteza nuk është dokumentuar me proces verbal sipas përcaktimit të pikës 5 paragrafi i dytë i kontratës nr.1/2021 të furnizimit, por nga ana e mjekut kirurg operues janë lëshuar receta mjekësore për pacientin që do të operohet.
“Lëshimi i recetave për pacientet e shtruar që marrin shërbim spitalor është në kundërshtim të hapur me ligjin për shërbimin spitalor Nr.9106, datë 17.7.2003, ligjin për kujdesin shëndetësor nr. 10107 datë 30.3.2009, ligjin 10383 date 24.02.2011 për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në republikën e Shqipërisë, neni 10 pika 1/a ku parashikohet se:
1.Sigurimi i detyrueshëm financon paketat e shërbimeve të sigurimit të detyrueshëm, ku përfshihen:
1/a Vizitat, ekzaminimet dhe trajtimet mjekësore në qendrat e kujdesit shëndetësor parësor publik dhe në spitalet publike”, thuhet më tej në raport.
Po ashtu, në bllokun operator qendror nuk janë pasqyruar në regjistrat e këtij shërbimi, 811 operacione për vitin 2022 dhe 667 operacione për vitin 2021.
Gjithashtu, KLSH konstaton se nga drejtuesit e spitalit të Traumës, nuk ka asnjë nismë për krijimin e ambienteve për administrimin e trupave të pacientëve që ndërrojnë jetë në SUT.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




