Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e fundit për menaxhimin e situatës së pandemisë së Covid-19 në vend ka konstatuar se institucionet në vendin tonë morën masa për menaxhimin e pandemisë por duhet të ishin më të përgatitura për kontrollin e saj, ndërsa nënvizon politikat e gabuara të Ministrisë së Shëndetësisë.
Pandemia – thotë KLSH – mund të ishte menaxhuar shumë më mirë, pa u rënë në kurriz xhepave të shqiptarëve. Nëse qytetarët mund t’i drejtohen vetëm një laboratori publik, atij të ISHP-së për të bërë analizat, shteti i hapi dyert shumë laboratorëve të tjerë privat për testet COVID. KLSH thotë se ka fakte që jo vetëm shkelin aspektin ligjor, por vënë në dyshim nëse përgjigjet e tamponëve kanë qenë të sakta.
“Përjashtimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit ka sjellë pasoja të mungesës së vërtetësisë së analizave, pasi nuk ka marrë pjesë në akreditimin e aparaturave laboratorike të përdorura për këtë qëllim. Marrja e kompetencave nga Komiteti i Ekspertëve dhe MSHMS-ja, ka sjellë përjashtim të padrejtë të DPA-së duke cenuar vërtetësinë e të dhënave laboratorike për Covid-19”, shkruhet në auditim.
Raporti evidenton kostot që kaluan shqiptarët për faj të vendimi që do u siguronte shërbim falas. “Mungesa e një urdhri administrativ nga MSHMS për ofrimin falas/ rimbursim të vizitave dhe mjekimeve në institucionet jopublike për COVID-19, tregojnë një efektivitet jo të lartë të politikave shëndetësore në menaxhimin e situatës”, vlerëson KLSH.
As sigurimet shëndetësore të shumë qytetarëve të cilëve iu desh të përballen me dyert e spitaleve në pandemi, nuk i kanë mbuluar dot shpenzimet për trajtimet mjekësore. “Shpenzimet nga xhepi për shëndetësinë ishin të larta si për personat e siguruar, ashtu dhe për personat e pasiguruar, gjë e cila ngre pikëpyetje dhe mbi efikasitetin e skemës aktuale të sigurimeve. Për Shqipërinë kjo shkon deri në 50%, në krahasim me 14,9% në BE, shifra që tregojnë se sa i cënueshëm është sistemi shëndetësor edhe pa u përballur me sfida të jashtëzakonshme, siç është rasti i pandemisë së COVID-19”, vlerëson KLSH.
Ndërsa duke përmendur rimbursimin e ilaçeve kundër Covid-19, KLSH thotë se ai u bë 9 muaj pas shfaqjes së pandemisë, ndërsa shumë qytetarë as nuk morën kurrë dijeni për këtë lehtësim financiar për ta.
Sipas raportit të KLSH, pandemia nxori në pah problematikat e shumta të sistemit shëndetësor, duke nisur nga kapacitete spitalore rajonale të pamjaftueshme për trajtimin e rasteve me COVID-19, pamjaftueshmëri në trajnimet e stafit mjekësor, funksionimin jo efecient të qendrave shëndetësore të njësive të vendore të kujdesit shëndetësor, fonde financiare të pamjaftueshme, kapacitete profesionale të specialistëve të sëmundjeve infektive në kujdesin shëndetësor parësor shumë të kufizuar, mangësi në stokun e materialeve të mbrojtjes personale, pasiguri në vendin e punës.
“Në kushtet e sotme të hapjes globale, ku prirjet demografike krijojnë një profil të ri epidemiologjik, sistemi i kujdesit shëndetësor duhet të japë përgjigjet e duhura në rastet e pandemive. Këto kërkojnë kapacitete dhe burime njerëzore me dije dhe aftësi profesionale bashkëkohore. Vetëm me njerëz të aftë profesionalisht mund të realizohet parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm. Gjithashtu, në Republikën e Shqipërisë mbulimi financiar në rastin e COVID-19 nga sigurimet nuk ishte i plotë dhe nuk garantoi ndonjë ndikim të ndjeshëm në uljen e shpenzimeve nga xhepi për shëndetësinë. Shpenzimet nga xhepi për shëndetësinë ishin të larta si për personat e siguruar, ashtu dhe për personat e pasiguruar, gjë e cila ngre pikëpyetje dhe mbi efikasitetin e skemës aktuale të sigurimeve,” shkruhet më tej në raportin e KLSH.
Raporti gjithashtu kritikon strategjinë vjeshtë-dimër të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale për shkak se nuk është e plotë, për sa i përket faktit se objektivat nuk janë të matshme, mungojnë planet konkrete të veprimit, personat përgjegjës, afatet kohore, si edhe buxheti përkatës në realizimin e aktiviteteve të parashikuara”.

Në raport shkruhet gjithashtu se mungesa e fondeve të mjaftueshme për shëndetësinë është një nga sfidat më të mëdha me të cilat është përballur sistemi shëndetësor në vite, ndërkohë që popullata është ende larg përftimit të një shërbimi shëndetësor cilësor dhe falas.
“Mungesën e fondeve për sistemet shëndetësore e vuajnë familjet shqiptare, me shpenzimet e drejtpërdrejta (nga xhepi) të larta dhe që nuk mbulohen nga sigurimet shëndetësore. Për Shqipërinë kjo shkon deri në 50%, në krahasim me 14,9% në BE, shifra që tregojnë se sa i cenueshëm është sistemi shëndetësor edhe pa u përballur me sfida të jashtëzakonshme, siç është rasti i pandemisë së COVID-1995,” thuhet më tej.
Sipas raportit një tjetër pikë ku ka çeduar puna e autoriteteve shëndetësore është edhe gjurmimi epidemiologjik. Në raportin e KLSH thuhet se grupi i auditimit në terren ka konstatuar se nuk është kryer gjurmimi i plotë i kontakteve me personat e infektuar ose rast dyshimi me Covid-19.
Nga kontrolli në disa qendra shëndetësore, komunikimi me mjekët e familjes, si dhe intervistat me pacientë covid pozitiv, grupi i auditimit konstatoi se edhe rimbursimi nuk është kryer në masën 100%, pacientët nuk kanë qenë në dijeni të këtij informacioni, duke mos harruar dhe faktin që çmimet e barnave në Shqipëri shpesh janë më të larta se në vendet e tjera të BE-së. Kjo vërtetohej nga numri i vogël i recetave të lëshuara nga mjekët e familjes, gjë e cila na u komunikua në disa nga qendrat shëndetësore. Më tej KLSH këshillon se meqenëse jemi nën masa të zbutura është domosdoshmëri menaxhimi i kujdesshëm i situatës në këtë fazë të pandemisë që korrespondon me rimëkëmbjen ekonomike e cila pritet të ketë ndikim dukshëm dhe intensiv në stabilizimin e aktivitetit ekonomik në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



