Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni Europian ka informuar vendet anëtare për progresin e Shqipërisë në sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës, në përmbushje të detyrave të anëtarësimit.
Në dokumentin konfidencial i cili nuk është bërë ende publik, vlerësohet puna e SPAK dhe rezultatet e këtij institucioni në hetimin e çështjeve të korrupsionit, kryesisht në nivele të larta.
“SPAK-u ka konsoliduar më tej kapacitetin e tij në shtypjen e korrupsionit, duke arritur rezultate pozitive dhe duke bërë përparim të prekshëm drejt krijimit të një historiku të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta”, tha Komisioni Europian.
Brukseli i sheh shqetësuese përpjekjet e politikës “për të ushtruar ndërhyrje të pajustifikuara dhe presion ndaj sistemit gjyqësor” duke evidentuar dy raste. Arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe sulmet e Sali Berishës ndaj gjyqtares Irena Gjoka, për të cilat nisi edhe një hetim penal.
“Zyra e Prokurorit të Posaçëm nisi një hetim penal lidhur me përpjekjen për të ushtruar presion ndaj një magjistrati në një çështje që kishte të bënte me një anëtar të Kuvendit. Institucionet drejtuese të gjyqësorit ishin të zëshme në denoncimin e presionit politik mbi gjyqësorin, duke lëshuar deklarata publike.”
Raporti evidenton edhe boshllëqet në sistemin e drejtësisë. Mes tyre rinovimi i mandatit të prokurorëve dhe gjyqtarëve teksa kritika ka për funksionimin e dy organeve kryesore, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Sipas draft Raportit “nuk është shënuar ndonjë zhvillim domethënës nga KLGJ-ja dhe KLP-ja, në forcimin e transparencës për ngritjet në detyrë dhe transferimet. KLGJ-së, i mungojnë rregullat e brendshme të nevojshme për të ushtruar funksionet e saj në mënyrë efektive, ndërsa ato të KLP-së kërkojnë rishikim. Të dy Këshillat nuk kanë rregullore të brendshme për konfliktet e interesit të anëtarëve të tyre, duke bërë që rastet e mundshme të konflikteve të interesit të mos trajtohen”, vë në dukje dokumenti i Brukselit.
Po ashtu një kapitull të veçantë, Brukseli i kushton edhe situatës politike në Shqipëri duke specifikuar, tentativat e opozitës për të bllokuar punimet parlamentare.
“Anëtarët e Parlamentit nga partia kryesore e opozitës ndoqën taktika penguese dhe përçarëse, duke çuar në masa disiplinore kundër disa prej tyre, duke përfshirë masa të përkohshme disiplinore që më pas u ulën pjesërisht nga gjykata administrative.”
I vetmi komision që vijoi punën normalisht thotë raporti është Komisioni për Çështjet Europiane duke mundësuar miratimin e pozicioneve negociuese të Shqipërisë për të hapur disa grupkapituj te negociatave.
Nga viti i kaluar Komisioni Europian ka nisur të publikojë, krahas raporteve vjetore të progresit për vendet në proces anëtarësimi, dhe një raport dedikuar shtetit të së drejtës. Dokumenti këtë herë pritet të paraqitet zyrtarisht në ditët e para të korrikut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.