Politike

Raporti i ISP: Politika ashpërsoi retorikën ndaj punës së SPAK

Instituti i Studimeve Politike në një raport monitorimi mbi zhvillimet si dhe ligjërimin publik dhe politik mbi dekriminalizimin, ka dalë në përfundimin se SPAK ka thelluar punën ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe kjo ka ashpërsuar retorikën e aktorëve politik kundër institucioneve të drejtësisë.

Në raport nënvizohet se zyrtarë të lartë publik kanë sulmuar punën e SPAK, ndërsa miratimi i një amnistie penale nga Kuvendi minoi progresin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

"Thellimi i luftës së organeve të drejtësisë ndaj korrupsionit në nivele të larta ka ashpërsuar retorikën e aktorëve politik kundër institucioneve të drejtësisë. Zyrtarë të lartë publik kanë sulmuar punën e SPAK, ndërsa miratimi i një amnistie penale nga Kuvendi minoi progresin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tentativa e aktorëve politik për të bërë ndryshime ligjore në reformën në drejtësi pa u konsultuar me institucionet e drejtësisë dhe në kundërshtim me praktikat e mira ndërkombëtare rrezikon të reduktojë fushën e veprimit të drejtësisë kundër korrupsionit dhe krimit. Kjo do të sjellë rrjedhimisht gërryerjen e zbatimit integral të ligjit të dekriminalizimit", thuhet në raport.

Më tej theksohet se institucionet e drejtësisë kanë thelluar luftën kundër kulturës së pandëshkueshërisë në nivele të larta, e cila po ndihmon në shkëputjen e lidhjeve të individëve me rekorde korruptive nga vendimmarrja publike e Shqipërisë.

"Progresi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka forcuar dhe zgjeruar hapësirën vepruese dhe parandaluese të ligjit të dekriminalizimit. Vendosja nën hetim e zyrtarëve të lartë dhe ekspozimi i individëve të përfshirë në aktivitete kriminale po këput lidhjet e individëve me probleme ligjore me institucionet e shtetit dhe dekurajon përfshirjen e drejtpërdrejtë të rrjeteve kriminale në jetën politike dhe publike të vendit", thuhet në raport.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë