Për Partinë Demokratike gjetjet e raportit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar nuk janë gjë tjetër veçse simptomat e një ekonomie në krizë.
PD thotë se raporti nxjerr se Qeveria po dështon me menaxhimin dhe rritjen e të ardhurave në buxhet, informaliteti mbetet i lartë dhe po ashtu edhe keqmenaxhimi i taksave. Opozita deklaron se raporti nxjerr probleme edhe me shpenzimet, investimet janë joefikase dhe nga to nuk po përfitojnë qytetarët dhe ekonomia.
“Me pak fjalë investimet nuk prodhojnë rritjen e dëshiruar ekonomike, rritjen e punësimit dhe një shëndet më të mirë të ekonomisë. Situata me PPP është në kufijtë e çmendurisë, ato zënë 50 për qind të PBB-së për vitin aktual duke e kthyer buxhetin e shqiptarëve në portofolin e miqve të qeverisë. Borxhi Publik pritet të rritet edhe më tej jo vetëm si pasojë e rritjes së PPP-ve, por edhe si pasojë e rritjes së normave të interesit”, deklaroi deputetja e PD, Jorida Tabaku.
Tabaku thotë se më e rëndë situata bëhet për shqiptarët e thjeshtë që do të paguajnë më shumë për të blerë më pak ushqime. “51% e të ardhurave të familjeve tona shkon për ushqim dhe energji elektrike, do na shkojë edhe më shtrenjtë!”, shton deputetja.
“Transparenca me kontratat, me vendosjen e politikave fiskale dhe ligjeve kanë ndikuar në krijimin e një klime armiqësore me biznesin dhe taksapaguesit por mbi të gjitha që vendosin në pikëpyetje buxhetin në lidhje me PPP. Mungesë e plotë transparence se sa nga taksat e qytetarëve janë shpenzuar për shqiptarët gjatë pandemisë dhe sa i kanë shkuar në xhep koncesionarëve. Mungesë e plotë transparence për fondet e rindërtimit ndërkohë që gjasat janë që keqpërdorimi është disa milionësh. Ndërkohë që lufta kundër informalitetit ka prodhuar një ekonomi edhe më shumë informale”, vijon Tabaku.
Sipas Tabakut të gjitha shenjat tregojnë se rritja e çmimeve do të vazhdojë. “Shqipëria e Ramës është ajo e varfëruar, me korrupsion, buxhet të shndërruar në portofolin e koncesionarëve dhe oligarkëve. Kjo nuk është qeveria e qytetarëve, por e oligarkëve që abuzojnë në kurrizin dhe nga djersa e qytetarëve”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.