Politike

Raporti i Dick Martyt, Rama: Gjepura të nxitura nga Rusia! Do t’i tregojmë botës që ishte një maskaradë

Kryeministri Edi Rama mbrojti nga Brukseli rezolutën e propozuar nga socialistët në Kuvend, ku dënohet raporti i Dick Marty-t si i paprovuar për akuzat e krimeve të luftës nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tha se rezoluta është dorëzuar për t’i treguar gjithë botës se akuzat dhe ai raport ishte një maskaradë e mbushur me gjepura.

“Hetime janë bërë në Kosovë dhe Shqipëri, totalisht të pavarura nga çdo ndikim dhe nuk sollën asgjë. Ajo që kërkojmë ne është që t’i themi botës që kjo ishte një maskaradë dhe kjo maskaradë u bë përmes një sasie të pallogaritshme balte ndaj të gjithë vendit tonë, ndaj një shteti të pavarur, siç është Kosova dhe gjithë luftës çlirimtare. Nuk ka asnjë provë të kushedi se sa hetimeve që ka pasur trafik organesh të organizuar nga UÇK, që ka qenë viktimë e një sulmi të organizuar në të gjithë botën”, tha Rama.

Kryeministri u pyet nga një gazetar zviceran, nëse ekziston një lidhje e mundshme mes rezolutës kundër këtij raporti dhe sulmeve kibernetike që kanë goditur sistemet qeveritare që prej së premtes. Rama tha se për sulmet nuk mund të drejtonte gishtin nga Rusia, por për akuzat e trafikut të organeve nga UÇK, po.

“Ka një dallim mes meje dhe zotërisë (Dick Marty-t), që unë nuk ngre akuza pa fakte. Por, një histori e ndyrë e trafikut të organeve u nis nga Rusia dhe zëdhënësa rusë. Ajo çfarë thashë dhe mund të them sërish, është që duke parë akuzat nuk ka asnjë fakt, apo dyshime mbi trafikun e organeve. Siç e vutë re, kjo Gjykatë e Hagës është krijuar në bazë të këtij raporti, sepse ka qenë ky raport, plot me gjepura ka sjellë në jetë këtë gjykatë speciale”, u shpreh ai.

Rama deklaroi se raporti i Dick Marty-t është një faqe e turpi e Këshillit të Europës dhe Këshilli duhet të gjejë guximin që të kërkojë falje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë