Politike

Raporti i DASH: Mosndëshkimi i politikanëve mbetet një problem

Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin mbi të drejtat e njeriut në botë, ka fshikulluar Shqipërinë, duke argumentuar se korrupsioni vazhdon të mbetet një problem në disa nivele.

Sipas DASH-it, problem kryesor mbetet mosndëshkimi i zyrtarëve, politikanëve dhe gjyqtarëve, të cilët i shmangen ndjekjes penale.

“ Ndjekja penale dhe sidomos dënimi i zyrtarëve që kryenin abuzime ishte sporadik dhe jokonsistent, – thuhet në raportin e publikuar nga “Zëri i Amerikës. – Zyrtarët, politikanët, gjyqtarët dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ishin në gjendje të shmangnin ndjekjen penale. Në përgjigje të kësaj, autoritetet kanë ndërmarrë një veting të monitoruar ndërkombëtarisht të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kanë skualifikuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh për pasuri të pashpjegueshme ose lidhje me krimin e organizuar”.

Raporti vijon me shqetësimin se korrupsioni vazhdoi të ishte një problem serioz në qendrat e paraburgimit.

“Edhe pse qeveria ka mekanizma për të hetuar dhe dënuar abuzimin dhe korrupsionin, korrupsioni në radhët e policisë mbeti problem”.

Raporti i DASH vëren një problematikë edhe në lirinë e shtypit dhe të medias. “Pati përpjekje për të ushtruar presion politik dhe ekonomik të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë mbi median, duke përfshirë kërcënimet dhe dhunë ndaj gazetarëve që u përpoqën të hetonin krimin dhe korrupsionin. Pronarët e bizneseve kanë përdorur lirshëm mediat për të përfituar favore dhe për të promovuar interesat e tyre pranë partive politike. Shumica e pronarëve të televizioneve private përdorën transmetimet e tyre për të ndikuar në veprimet e qeverisë ndaj bizneseve të tjera të tyre. Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan mediat e pavarura të shtypit”, – thekson raporti.

Raporti denoncon të dhëna të shumta për dhunë dhe kërcënime ndaj anëtarëve të mediave, ndërkohë që interesat politike dhe të biznesit i vunë gazetarët në presion.

“Më 30 gusht, një person i panjohur qëlloi 10 herë në shtëpinë e prindërve të reporteres së krimit Klodiana Lala. Zonja Lala raporton shpesh për krimin e organizuar dhe çështjet e zbatimit të ligjit, duke përfshirë reformën gjyqësore”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë