Ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj i ka takuar që të “zhveshë” qeverinë tij nga akuzat e shumta që u bënë së fundmi nëpërmjet raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për strategjinë ndërkombëtare në luftën kundër narkotikëve.
Për përfaqësuesin e qeverisë shqiptare, raporti i DASH për strategjinë ndërkombëtare në luftën kundër narkotikëve është pasqyrë e momentit pozitiv të një Shqipërie në zhvillim e sipër. Madje ai nuk ngurroi të sulmonte opozitën dhe median që sipas tij janë të pamësuar të lexojnë raportin e nxjerrë së fundmi.
“Të pamësuar të lexojnë, të paaftë të kuptojnë dhe të padëshiruar të shohin e të flasin tjetër gjë, përveç të keqes që u dëshiron syri e u nxjerr goja, rrugëhumburit e politikës e të medies e keqpërdorën edhe këtë raport si gjithçka tjetër, për të tërhequr zvarrë publikun në llumin e fjalëve të tyre”, tha Cakaj.
Raporti, vlerësoi ministri në detyrë është skajshmërisht inkurajues për reformat që po ndodhin në Shqipëri.
“Raporti nënvizon bashkëpunimin e qëndrueshëm mes SHBA-së dhe Shqipërisë që është duke u përkthyer në rritje të kapaciteteve institucioneve për të luftuar korrupsionin. Raporti thekson faktin se Shqipëria ka arritur rezultate thelbësore në luftën kundër narkotikëve, si dhe kemi të bëjmë me përparim drejt axhendës europiane të Shqipërisë”, tha Cakaj.
Gjithashtu ai u shpreh se qeveria nuk fshihet përballë këtij raporti. “Shqipëria është vend origjine kanabisi dhe kjo s’është fshehtësi kozmike, por nga an tjetër po e minimizon këtë fenomen. Thuhet po ashtu se ka rezultate domethënëse në luftë me këtë fenomen. Pra nuk kemi dorëzim institucional para narkotrafikut. Sa për heroinën dhe kokainën nuk kemi të bëjmë e një ndërmarrje kriminale shtetërore. Shqipëria ka pasur rritje të rasteve të kapjes së kokainës që kalon tranzit nëpër Shqipëri. Pra, konfirmim i asaj që thashë, ka rritje të sigurisë ndërkufitar, performancë pozitive për kapjen e drogës. Shqipëria ushqen një mjedis ku trafikantët veprojnë pa u ndëshkuar, thuhet në raport ndër të tjera. Po e pranojmë që korrupsion ka në Shqipëri. qeveria mban pjesën që i takon. Nuk duhet të dorëzohemi tek akuzat e pabaza. Po të lexohet i njëjti raport për vendet e Rajonit shqetësimet janë më të thella se sa për Shqipërinë”,- tha Cakaj ndër të tjera.
Sipas tij me këtë raport nuk kemi të bëjmë me prapa kthim të rezultateve. “Nuk kemi të bëjmë me një mos përmbushje të detyrimeve dhe angazhimeve. Raporti po ashtu afirmon se përkundër sfidave dhe vështirësive të shumta, Shqipëria është në një moment pozitiv sa i përket rezultateve të marra në reformën në drejtësi. Shqipëria po lëviz drejt reformës në drejtësi për të hetuar dhe dënuar edhe krimin e trafikut të drogës. Raporti nënvizon se Shqipëria vazhdon reformën në drejtësi, ndërkombëtarët kanë vlerësuar se modeli i reformës në drejtësi i Shqipërisë është një model që duhet eksportuar në rajon”, theksoi ministri në detyrë.
Cakaj në këtë konferencë nuk preferoi t’i përgjigjej pyetjeve në lidhje me deklaratat e fundit të lëshuara nga kryeministri grek Aleksis Tsipras në lidhje me vendimin që qeveria shqiptare ka marrë bllokimin e procesit të titujve të pronësisë në zonat bregdetare ku preken edhe minoritarët.
Departamenti amerikan i Shtetit i dorëzoi të enjten Kongresit raportin vjetor për strategjinë e luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve.
Në pjesën për Shqipërinë, DASH thotë se ky vend është njëkohësisht burim i kanabisit dhe, gjithnjë e më shumë, një vend tranzit për kokainën dhe heroinën.
Në këtë raport që mbulon vitin 2018, Departamenti i Shtetit thotë se tranziti i kanabisit si dhe i drogave të forta komandohet kryesisht nga elementë të krimit të organizuar që transferojnë droga të paligjshme nga vendet burim për në tregjet evropiane.
Vëllimi i konfiskimeve të drogës dhe arrestimet e lidhura me drogën në vitin 2018, thuhet në raport, ishin me rëndësi, të nxitura kryesisht nga bashkëpunimi i organeve ligjzbatuese me partnerët ndërkombëtarë, presioni ndërkombëtar në rritje dhe përpjekjet e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Europian.

Shqipëria, thuhet në raport, shërben si bazë operacionesh për grupet e krimit të organizuar që veprojnë në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut.
Reformat e fundit në drejtësi, verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve për korrupsion dhe për lidhjet me krimin e organizuar si dhe krijimi i një task-force policore që synon aktivitetet e krimit të organizuar, thuhet në raport, kanë krijuar një trajektore pozitive që Shqipëria të trajtojë çështjen e pastrimit të parave dhe të krimeve financiare.
Megjithatë, përfundon raporti i DASH, korrupsioni i përhapur përbën një sfidë për zgjidhjen e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




