Ne rrjet

Raporti i BE, fshin brigjet detare të Shqipërisë ia “fal” Greqisë


Një studim i Agjencisë Europiane të Mjedisit i vitit 2017 mbi strategjinë detare për mbrojtjen e mjedisit ka zhdukur kufirin detar të Shqipërisë në Detin Jon dhe atë Adriatik, duke e lënë atë si pjesë të Greqisë.
Dokumenti prej 21 faqesh “Përcaktimi i MSFD, sipas Nenit 4, rajonet dhe nën rajonet detare” i hartuar nga tre autorë, mes të cilëve është dhe një profesor nga Greqia. Studimi bazohet mbi të dhënat shtetërore të ofrua nga shteti fqinj, pikërisht nga Shërbimi Hidrografik i Marinës së Greqisë. Autorët e këtij dokumenti zyrtar të Agjencisë Europiane janë Hans Mose Jensen, Periklis Panagiotidis (ICES) dhe Johnny Reker (EEA)
Ky raport i rajonizimit që mban vulën e BE-së është denoncuar nga ana e profesorit të Universitetit Bujqësor të Kamzës, Rigers Bakiu, i cili ka publikuar së fundmi në faqen personale sociale foto nga ky dokument-skandal. Ai bën të ditur se ka njoftuar edhe kryeministrin Edi Rama për këtë fakt.

“Një ditë të bukur pranvere merr vesh se Deti Jon nuk e lag me rivierën e bukur të Shqipërisë. Ai zhduket në Raportin e Fundit mbi Rajonizimin Detar, përgatitur e publikuar në 2017 nga Agjencia Evropiane e Mjedisit.@ediramaal Ju lutem të merrni në konsideratë një çështje kombëtare si kjo; raporti nga EEA në 2017 përjashton ekzistencën e Detit Jon në brigjet shqiptare. Jam në dispozicion për zgjidhjen e saj”, shkruan Bakiu në rrjetet sociale.

https://twitter.com/BakiuRigers/status/1123183664731443200


Në këtë studim theksohet se në vitin 2008, u miratua Direktiva Kuadër e Strategjisë Detare të BE-së (MSFD) me qëllim të mbrojtjes më efektive të mjedisit detar në të gjithë Evropën. “MSFD synon të arrijë statusin e mirë mjedisor (GES) të ujërave detare të BE deri në vitin 2020 dhe të mbrojë bazën e resurseve mbi të cilat varen aktivitetet ekonomike dhe sociale të lidhura me det. Ky është instrumenti legjislativ i parë i BE-së në lidhje me mbrojtjen e biodiversitetit detar, pasi përmban objektivin eksplicit rregullator që "biodiversiteti ruhet deri në vitin 2020", si gur themeli për arritjen e GES”, theksohet në raport.
MSFD mishëron në një kornizë legjislative qasjen e ekosistemit në menaxhimin e aktiviteteve njerëzore që kanë një ndikim në mjedisin detar, duke integruar konceptet e mbrojtjes së mjedisit dhe përdorimit të qëndrueshëm. Për të arritur qëllimin e saj, Direktiva krijon rajonet dhe nën-rajonet detare europiane në bazë të kritereve gjeografike dhe mjedisore.


Mes Shqipërisë dhe Greqisë akoma nuk është ndarë kufiri detar. Diskutimet nisën që në në vitin 2009, kur në pushtet ishte qeveria e djathtë me kryeministër Sali Berishën. Më 27 prill 2009 në Tiranë u nënshkrua edhe marrëveshja zyrtare mes dy qeverive për ndarjen e kufirit detar, e cila shërbente dhe si bazë për ndarjen e Zona Ekonomike Ekskluzive (ZEE), për kërkimin e burimeve natyrore në det.
Kjo marrëveshje u cilësua si skandal, pasi Shqipërisë iu merrte një pjesë ujërave të saj territoriale. Denoncimi i ekspertëve të fushës bëri që më pas Pakti Detar i miratuar nga Parlamenti shqiptar të rrëzohej nga Gjykata Kushtetuese më 15 Prill 2010, duke e shfuqizuar. Prej 9 vitesh nga ku vendim ende nuk ka një marrëveshje mes palëve për ndarjen kufirit detar. Qeveria aktuale greke dhe ajo shqiptare e kryeministrit Rama ka nisur prej vitesh negociatat dhe palët shprehen se janë pranë një marrëveshjeje të re, duke mos dhënë detaje për mënyrën se si është rënë dakord për ndarjen e kufirit. Ndërsa Pakti Detar shihet edhe si një nga kushtet e Greqisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë