Analize

Raporti Europian: Zhvasin biznesin, frikësojnë kundërshtarët, vjedhin zgjedhjet. Mafia në Shqipëri i shërben politikës

Qendra Europiane për Monitorimin e Drogave (EMCDDA) ka ngritur sot alarmin se organizatat kriminale shqiptare i shërbejnë në fakt politikës, e cila ndërhyn duke neutralizuar zbatimin e ligjit përmes emërimit të personave të besuar ose militantëve të partisë.

Sipas saj, organizatat e drogës i shërbejnë politikanëve duke: zhvatur bizneset përmes gjobave, mbështetje të kandidatëve në zgjedhje ose frikësimin e kundërshtarëve politikë, shkatërrimin e opozitës, prishjen e tubimeve partiake, manipulime të rezultateve të zgjedhjeve dhe financimin e fushatave elektorale në shkëmbim të imunitetit nga ndjekja penale.

Sipas EMCDDA, krimi i organizuar ka arritur të neutralizojë shoqërinë edhe për sa i përket lirisë së fjalës.

"Forma më e njohur e bashkëpunimit midis organizatave kriminale dhe organeve shtetërore është korrupsioni, veçanërisht në sistemin  e drejtësisë", thotë  raporti i EMCDDA.

"Partitë politike në Shqipëri kanë përfituar fonde nga rrjetet kriminale, theksohet në raport. Ekziston një prirje shqetësuese e organizatave kriminale që përdorin biznesin si ‘fasadë’ për të fshehur veprimtarinë kriminale. Ky fenomen shfaqet më e përhapur në trafikun e kokainës. Në rajone të ndryshme të vendit, rivaliteti midis bandave te armatosura për të zgjeruar kontrollin shpesh shfaq prirje politike. Anëtarët e grupeve kriminale kanë shërbyer si komisionerë në qendrat e votimit. Pavarësisht mungesës së hetimeve ose vendimeve gjyqësore, anëtarët e parlamentit dhe ministrat kanë qenë në fokus të akuzave publike për lidhjet e tyre me krimin e organizuar", thotë raporti.

Sipas raportit, organizatat kriminale shqipfolëse, të përfshira në trafikun e kanabisit bimor përdorin gjithashtu korrierët e parave cash, të cilët zakonisht kontrabandojnë para me makinë në Shqipëri nga BE. "Në Shqipëri, paratë cash përdoren për të investuar në pasuri të paluajtshme, ndërtim dhe turizëm", thotë raporti.

Në vitin 2019, Qendra Europiane e Monitorimit të Drogave (EMCDDA), e përmend Shqipërinë si prodhuesen më të madhe të kanabisit të trafikuar në Bashkimin Europian, paratë e të cilës transportohen cash me makina drejt Shqipërisë dhe investohen në pasuri të paluajtshme, ndërtim dhe turizëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë