Analize

Raporti europian: Në Shqipëri dhe Ballkan, qeveritë kontrollohen nga interesat private

"BE duhet të jetë e kujdeshëm dhe të sigurohet në mënyrë që integrimi ekonomik me Unionin të mos fuqizojë vetëm oligarkët e afërt me qeverinë, duke fuqizuar kapjen e shtetit"

“Kapja e shtetit është tani për tani problemi më i madh në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor. Ky është përfundimi në të cilin arrin raporti i vitit 2020 për luftën kundër korrupsionit në rajon nga Iniciativa e Europës Juglindore për Zhvillim dhe Integritet

Ky raport nënvizon disa nga problemet kryesore në Ballkanin Perëndimor, duke ngritur alarmin se përparimi i ngadaltë dhe i papërfillshëm i reformave kundër korrupsionit ka lejuar që interesat private të marrin kontrollin mbi qeveritë e Ballkanit Perëndimor duke rezultuar në kapjen e shtetit. Ai bën thirrje që organet publike në Ballkanin Perëndimor të ndjekin penalisht politikanët e korruptuar dhe nëpunësit ne lartë civilë.

“Presioni i kapjes së shtetit në rajon mbetet ende në nivele të larta. Rezultatet tregojnë se asnjë nga vendet nuk është afër kapjes së plotë të shtetit, por ka cenime kritike në funksionimin e kontrolleve dhe të ekuilibrave demokratikë dhe ekonomikë”, thotë SELDI në raportin e tij.

“Lirimi nga kapja e shtetit mund të arrihet vetëm nga një aleancë e politikanëve që duan reforma, shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë, kryesori ndërmjet të cilëve nëhstë Bashkimi Europian ”, thotë raporti.

Gjetjet tregojnë se në krahasim me 2016-ën niveli i korrupsionit në vitin 2019 u rrit në katër nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Bosnja dhe Hercegovina, e ndjekur nga Mali i Zi, Kosova dhe Serbia. “Vetëm Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë pësuar një rënie të lehtë të presionit të korrupsionit. Këto rezultate tregojnë se vendet nën presion politik më të lartë nga BE dhe me një qëllim të pranimit në BE, kanë shfaqur një performancë më të mirë”, thekson raporti.

Liderët e Ballkanit Perëndimor gjatë samitit në Tiranë

Sipas Iniciativës së Europës Juglindore për Zhvillim dhe Integritet, qeveria shqiptare, por edhe ato të rajonit duhet të gjurmojnë korrupsionin dhe duhet të përqendrohen tek sektorët me të goditur nga korrupsioni, sidomos kur bëhet fjalë për tenderët dhe koncesionet publike. Sipas raportit tenderët në Shqipëri dhe rajon përdoren shpesh për të çuar parat e shtetit në xhepat e privatit.

“Në Ballkanin Perëndimor, prokurimi publik është një zonë e rrezikut të lartë të korrupsionit pasi përdoret jo vetëm për të prokuruar mallra dhe shërbime për përfitim publik, por shpesh për të transferuar fonde publike në xhepat privatë. Vlerësimi i SELDI-it për prokurimin publik në vendet e rajonit zbuloi tendera shpesh të hartuar për të favorizuar pjesëmarrës të veçantë, mbikëqyrja e dobët mbi pajtueshmërinë dhe zbatimin e kushteve të kontratës, dhënie të tendera pa shpallje publike dhe dhënien e një numri të madh tenderash me një ofertë te vetme”, shkruan raporti.

SELDI ngre po ashtu shqetësimin se pavarësisht se gjithë rajoni po ndërmerr reforma të gjera të gjyqësore, ato nuk kanë prodhuar progres të rëndësishëm. “Thelbi i këtyre reformave ka qenë i kufizuar për shkak të numrit të vogël të ndjekjeve penale. Dënimet përfundimtare të zyrtarëve apo figurave publike  mbeten të rralla. Kjo është veçanërisht e vërtetë për rastet e korrupsionit të nivelit më të lartë”, thekson ai.

Po ashtu sipas raportit, një sektor i rëndësishëm i lidhur ngushtë me korrupsionin që vazhdon të shqetësojë Ballkanin Perëndimor është ekonomia informale. Ai zbulon se Shqipëria ka 12% të punonjësve të regjistruar pa kontratë ndërkohë që 34% prej tyre marrin rrogë më të lartë sesa paga e deklaruar.

“Prania e ekonomisë informale mund t’i atribuohet një numri të madh shkaqesh, të tilla mjedisi i dobët i biznesit dhe nivelet shumë të larta të varfërisë; mungesa e besimit në institucionet e qeverisë dhe perceptimi i lartë i korrupsionit; taksimi dhe kostot e larta fiskale dhe një politikë tatimore tepër shtrënguese”, thekson raporti. “

Raporti arrin në përfundimin  se demokratizimi i Ballkanit Perëndimor tani është i lidhur ngushtë me procesin e integrimit të tyre në Bashkimin Europian. Megjithatë SELDI i bën thirrje unionit të jetë i kujdeshëm dhe të sigurohet  në mënyrë që integrimi ekonomik me Unionin të mos fuqizojë vetëm oligarkët e afërt me qeverinë, duke fuqizuar kapjen e shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë