Mjedis

Raporti/ Blegtorët në Shqipëri helmojnë kafshët e egra se u dëmtojnë prodhimin. Nuk kemi as shkaba

Fotografi ilustruese e një ujku

Përdorimi i paligjshëm i substancave helmuese në mjedis që ka në shënjestër kafshët 'e padëshirueshme' po varfëron biodiversitetin në Shqipëri. Kjo sipas studimit me titull “Helmimi i kafshëve të egra në Ballkan 2022”, kryer në kuadër të projektit BalkanDetox LIFE, financuar nga BE-ja.

Motivi kryesor pas incidenteve të helmimit duket se janë ‘konfliktet’ që blegtorët kanë me kafshët e egra (kryesisht ujqit, dhelprat, çakejtë dhe arinjtë) për dëmet e mundshme që mund të shkaktojnë në blegtori, prodhimin bujqësor dhe kafshët e gjahut në zonat e gjuetisë.

Deri në vitin 2010, helmimi i kafshëve të egra në Shqipëri konsiderohej si një faktor i vogël kërcënues për shumë lloje të kafshëve të egra, të kufizuara në zona të thella malore të vendit. Kjo lidhej me mungesën e njohurive mbi shtrirjen dhe përhapjen e helmimeve në vend.

Në raport shkruhet se pothuajse nuk ka të dhëna zyrtare në lidhje me helmimin e kafshëve të egra. Në fakt, kjo çështje nuk ekzistonte zyrtarisht në vend deri në vitin 2019, kur përdorimi i karremave helmues kundër kafshëve të egra shprehej qartë në ligjin “Për mbrojtja e faunës së egër” si kundërvajtje administrative.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka përjetuar zhdukjen e të gjitha llojeve të saj të shkabave. Zhdukja e të gjitha popullatave kombëtare të llojeve të shkabave gjatë shekullit, siç u dokumentua në shumë vende të tjera fqinje, lidhet me përdorimin e karremave helmues në mjedisin natyror.

Shkaba e zezë

Karremat helmues përdoreshin rregullisht në zonat rurale për eliminimin e grabitqarëve të egër (kryesisht ujqër) gjatë shekullit 20 si pjesë e veprimeve të menaxhuara nga qeveria për kontrollin e popullsisë. Ndërsa Striknina (substancë) përdorej më së shumti në zonat malore, cianidi u përdor në mënyrë të organizuar në zonat bregdetare. Gjithsesi, helmimi me cianid nuk ishte i përhapur.

Hetimi i parë gjithëpërfshirës i praktikës së helmimit të kafshëve të egra në Shqipëri është realizuar përmes zbatimit të Projektit Ballkanik kundër Helmimeve (BAPP), i cili u zbatua nga viti 2018-2021.

Meqenëse helmimi i kafshëve të egra nuk u përmend deri në 2019 si një aktivitet i paligjshëm, studiuesit e raportit shkruajnë se ndërgjegjësimi për këtë problem dhe rrezikun që paraqet si për kafshët e egra ashtu edhe për mjedisin është ende i ulët.

Sipas të dhënave në këtë raport, helmimi i kafshëve të egra në Shqipëri mund t'i atribuohet kryesisht:

-Përdorimit të qëllimshëm të karremave helmues me qëllim zhdukjen e grabitqarët, (kryesisht dhelpra dhe ujqër) dhe zvogëlimi i dëmeve që këto kafshë mund të shkaktojnë në blegtori.

-Helmimi i paqëllimshëm, ku përdorimi jo i duhur i produkteve fitosanitare çon në ngordhje të grabitqarëve.

Në 59% të rasteve, u vendos karrem helmues me qëllim eliminimin e dhelprave, ujqërve, çakejve dhe arinjtë që mund të shkaktojnë dëme në zonat rurale.

Duke qenë se dëmtimi i prodhimit nga grabitqarët është i pranishëm, blegtorët vendas shpesh e përdorin helmimin si një metodë e lehtë dhe e përballueshme. Përveç kësaj, blegtorët nuk kompensohen nëse prodhimi i tyre dëmtohet nga kafshët e egra dhe kjo e shton më tej konfliktin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë