Nga Gazeta ‘SI’ – 1 në 4 lekë që ka qarkulluar në Shqipëri gjatë 2023-shit, ka ardhur nga turizmi.
Një raport i Këshillit Botëror të Turizmit thotë se Shqipëria arkëtoi 565 mld lekë nga turizmi, gjatë vitit të shkuar, 37% më shumë se sa në 2019-n dhe pritet të shkojë në 610 mld gjatë këtij viti.
Shpenzimet e vizitorëve ndërkombëtarë parashikohen të rriten në më shumë se 493 miliardë lekë, një rritje prej 55% në nivelet e vitit 2019. Shpenzimet e vizitorëve vendas gjithashtu parashikohen të arrijnë mbi 107 mld lekë këtë vit.
“Vendet e punës të mbështetura nga sektori u rritën me më shumë se 10% krahasuar me 2019 me pothuajse 269.000 vende pune të mbështetura nga industria e turizmit në të gjithë vendin, duke përfaqësuar 1/5 vende pune në Shqipëri,” thuhet në raport, ku theksohet se për 2024-n pritet të shtohen dhe 10 mijë vende pune të tjera. Deri në 2034-n, Këshilli parashikon që mbi 314 mijë shqiptarë të punojnë në sektorin turistik.
Julia Simpson, Presidente dhe CEO e këshillit Botëror të Turizmit tha se Shqipëria është një shembull i shkëlqyer sesi Udhëtimi dhe Turizmi mund të nxisë prosperitetin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës.
“Shifrat rekord për Shqipërinë përfaqësojnë progres real dhe mundësi reale për mijëra punëtorë. Shqipëria ka dalë në skenën botërore si një destinacion i madh dhe po vendoset si një destinacion në rritje në peizazhin global të turizmit,” tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.