Kosova

Ramush Haradinaj, akuza të forta qeverisë Kurti: Mashtruese dhe armike!

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se dyshimet e tij për qeverinë e Albin Kurtit tashmë janë vërtetuar.

Kryetari i AAK-së, theksoi se Albin Kurti është një mashtrues, pasi sipas tij nuk po i mban premtimet për dialogun, reciprocitetin e shumë çështje tjera në Kosovë.

“Populli i Kosovës do ta ketë të vështirë të qeveriset nga një qeveri e tillë. Kjo qeveri nuk do të zgjasë shumë”, – tha ai në Rtv Dukagjini.

Haradinaj u shpreh se me ardhjen në qeveri të Albin Kurtit, Kosova ka pasur rritje të madhe të importeve nga Serbia që sipas tij dikur ai i kishte kundërshtuar. “Kurti ka premtuar se do të rivendosë reciprocitetin, por e vërteta është se u rrit importi i mallrave nga Serbia”.

Haradinaj shtoi se ekonomia e Serbisë asnjëherë më parë nuk ka pasur një kryeministër që po e favorizon me vendimet e tij.

“Kurti po i bllokon bizneset dhe komunat tona. Paraja është bllokuar në Kosovë dhe komunat nuk po zhvillohen. Sipërmarrësit kosovarë do të kenë pasoja të mëdha në fund të këtij viti, derisa mallrat e Serbisë kanë vërshuar tregun tonë. Qeveria Kurti është qeveri armike ndaj ekonomisë së vendit të vet”, shtoi kreu i AAK-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë