Futboll

Ramadani zyrtarizohet në Serinë A, Leçe arrin marrëveshjen me Aberdenin

Gazeta Si – Ylber Ramadani do ta vazhdojë karrierën në Serinë A italiane. Mesfushori i kombëtares shqiptare do të luajë tek skuadra e Leçes, e cila ka arritur akordin me Aberdenin në Skoci për transferimin e mesfushorit.

Kështu, një tjetër lojtar i bashkohet kolonisë kuqezi që do të luajë në Serinë A në sezonin 2023-2024.

Futbollisti 27-vjeçar nga Maqedonia e Veriut kishte arritur akordin me puljezët, por klubi skocez kishte refuzuar ofertën e bërë nga italianët prej 1 milion eurosh.

Leçe e rriti shifrën në 1.2 milionë euro, përfshirë edhe 10% të vlerës në rishitjen e radhës dhe kjo u pranua nga drejtuesit e Aberdenit.

Ramadani do të firmosë kontratën e re, pasi të kalojë vizitat mjekësore. Interes për mefushorin kuqezi kishte edhe Hellas Verona.

27-vjeçari luajti 44 takime me ekipin skocez në vitin e shkuar futbollistik, ndërsa kishte edhe dy vite kontratë. Ai shënoi një gol dhe dhuroi 3 asiste.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë