Nga Gazeta ‘Si’- Nga Berati ku turin e tij elektoral në këtë qark e nisi me një takim me fermerët e kësaj zone, kryeministri Edi Rama ka zbuluar edhe dy “rekordet” e tij personale, për të cilat thotë se janë në nivel të Guinness-it.
Sipas kreut të PS, një nga rekordet e ka në nivel kombëtar dhe tjetrin në atë botëror.
“Një rekord e kam unë. Dy kam në fakt, një e kam botëror, një kombëtar. Botërori është që jam piktori më i mirë mes kryeministrave në të gjithë botën. Dhe jam kryeministri më i mirë mes piktorëve në të gjithë botës. Këtë nuk ma merr njeri. Ky është Guinnes”, tha Rama.
Ndërsa kombëtari sipas tij, është përparësia në projektet infrastukturore nga drejtuesit e mëparshëm të vendit.
“Rekordin kombëtar që kam është që nga 1912 të gjithë kryeministrat deri këtu, t’i bashkojnë të tërë kilometrat që kanë bërë në Shqipëri janë nuk e di sa xhiro mbrapa meje janë”, tha ai.
Rama nuk la pa ironizuar opozitën, duke thënë se shansi historik për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian nuk duhet humbur për “mustaqet e Çelos”.
“Na duhet të kapim dhe të mos lëshojmë këtë shans për mustaqet e Çelos. Ti bëjmë yzmetin këtij shansi dhe të kemi frymëmarrje tjetër. Është si të vësh mushkëri të reja dhe të vraposh me një shpejtësi më të lartë. Nuk mundet dot t’i lësh pa i vënë se ke disa politikëra në kokë. Kjo është kombëtare. Me këtë vijnë edhe gjëra të tjera, që janë programe, ku ne sot s’mund të kemi akses se nuk jemi pjesë e asaj familjeje. Ata na mbështesin si fqinj, por kur të jemi brenda, mbështetemi si anëtarë të familjes”, u shpreh Rama
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.